Kryeministri Edi Rama reagon menjëherë pas lajmit të mirë se një marrëveshje e re është nënshkruar mes Kosovës dhe Malit të Zi, sa i takon demarkacionit.
Përmes një statusi në facebook, Rama zbulon se është rrugës për në Prishtinë, si duket për të qenë pjesë e festimeve për 10-vjetorin e Pavaraësisë së Kosovës dhe se gjatë udhëtimit ka marrë lajmin e madh.
“Rrugës për Prishtinë ku sapo dëgjova për hapin e rëndësishëm drejt finalizimit të demarkacionit me Malin e Zi! Uroj të mbyllet sa më parë”, shkruan Rama.
Sakaq, marrëveshja e re, që konsiston në korrigjimin e nënshkrimit të parë në 2015-ën është përshëndetur edhe nga presidenti Ilir Meta.
“Mali i Zi partner i shkëlqyer i shqiptarëve. Miratimi i Demarkacionit do sjellë një pranverë europiane për Kosovën e qytetarët e saj”, shprehet Meta.
Marrëveshja është nënshkruar në nivel presidentesh. Nga Kosova ka nënshkruar Presidenti Hashim Thaçi ndërsa nga Mali i Zi firmën e ka vëndosur presidenti malazez Filip Vujanoviq.
Kosova dhe Mali i Zi sipas marrëveshjes së nënshkruar janë dakorduar që demarkacioni të zgjidhet sa më shpejtë.
Së shpejti pritet të thirret edhe seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për ratifikimin e demarkacionit.
LEXO EDHE: DEMARKACIONI, MARRËVESHJE E RE MES KOSOVËS DHE MALIT TË ZI