Reagon ashpër Ismail Kadare: Fatos Lubonja një shpifës ordiner dhe i neveritshëm, Bunk’art nxit nostalgjinë për komunizmin

Publikuar tek: aktualitet, më 09:11 22-02-2017 Reagon ashpër Ismail Kadare: Fatos Lubonja një shpifës ordiner dhe i neveritshëm, Bunk’art nxit nostalgjinë për komunizmin

Shkrimtari Ismail Kadare ka reaguar ashpër ndaj kritikave të publicistit Fatos Lubonja gjatë një interviste të dhënë për gazetarin Mentor Nazarko në portalin ‘Konica’.

Kadare i ka konsideruar shpifje pretendimet e Lubonjës se ka qenë agjent i sigurimit, ndërsa publicistin e ka konsideruar ordiner dhe të neveritshëm. Në intervistë shkrimtari i madh shqiptar flet edhe për periudhën e komunizmit dhe sondazhet që bëhen sot për mbështetjen që gëzon ky regjim në Shqipëri, që për Kadarenë janë krime raciste kundër popullit. Ai thekson se muzetë si Bunk’art apo Shtëpia me Gjethe nxisin nostalgjinë për komunizmin, ndërkohë që sugjeron që të punohet fillimisht për anti-nostalgjinë ndaj atij regjimi.

Marrë me shkurtime nga Konica.al

Ka një moment të afërt, që është botimi i një libri me dokumente që tregon që ju përndiqeshit, mbikqyreshit nga Sigurimi, që kishte njerëz që vepronin për t’ju shkatërruar, që është libri i Dashnor Kaloçit, “Kadare në dokumentet e Pallatit te Ëndrrave”.   Fatos Lubonja,  një nga kritikët tuaj kryesorë, më i kualifikuari dhe ndoshta më cilësori në statusin e tij publik, thotë që nga ato dokumente, që sipas tij nuk janë përzgjedhur në mënyrë korrekte, nuk del kjo përndjekje, përkundrazi, dhe përmend Zylyftar Ramizin dhe të tjerë. Cila është përgjigjja juaj për këtë?

Përgjigjja ime është që unë nuk e marr fare seriozisht këtë Lubonjën që po thoni ju…

Fatosin…

Po, sepse shkrimi i tij ishte një lloj përçartje, dhe asgjë tjetër. Ju përmendët një Zylyftar Ramizi. Zylyfar Ramizi ka qënë shef i Sigurimit shqiptar dhe zëvendës ministër i brendshëm. Ditën që u dënua me vdekje, në zemërim e sipër, ose në panik e sipër, tha “do t’ju them edhe unë disa gjëra që do t’ju prishet gjaku”, dhe foli kundër meje.

Tani, të përmendësh këtë argument kundër meje, është turpi më i madh. E para, sepse në një letër që i kam shkruar Ramiz Alisë,  të vetmin që propozova për të hequr urgjent nga posti ka qenë Zylyftar Ramizi, kur ky ishte ende në post, dhe ky letrën sigurisht e mori vesh nga të parët, dhe e ka treguar. Nuk ka se si të dalë një njeri dhe të marrë sharjet e Ramizit kundër meje, dhe ta botojë këtë shpifje pa pikë ndërgjegje.

Unë po flas me një fjalor të ashpër, e di, që nuk i shkon një bisede letrare, por unë jam që në Shqipëri nuk duhet kurrsesi që, nën maskën e mendimit të lirë, të justifikohen shpifjet. Shpifja vjen pas vrasjes, ose është njëlloj si një vrasje.

Të shpifësh kundër një shkrimtari të njohur, (sepse kjo është shpifje e pastër, ai tha “Kadareja ka qenë agjent i  Sigurimit”) është diçka, por si e boton ti sot në gazete këtë gjë? Së paku duhet vënë në kllapa “sipas kokës së tij, mendjes së tij”, aq më tepër pas një libri që ka njëqind e një dokumente ku vërtetohet e kundërta, apo jo? Si e gjete ti që në këto dokumente nuk ka të vërteta? Ato janë dokumente me emra, me data,  me shifra, me faksimile, me çdo gjë që ka një dokument, dhe vetëm në një shtyp të degjeneruar mund të dalë dikush në këtë mënyrë për të thënë që këto dokumente janë fallco, dhe mos t’i përgjigjet askush.

Unë kam deklaruar në intervista, në shtypin shqiptar apo dhe në atë botëror, kudo, me përgjegjësi personale, që të shkojnë të kërkojnë në mijëra arkiva, dhe nuk do të gjejnë një radhë timen kundër një shkrimtari tjetër. Ç’do më tepër, atëherë? Këtë deklaratë e kam bërë 5-6 vite më parë, sigurisht që janë turrur të kërkojnë por nuk kanë gjetur dot, dhe tani na del ky shpifës ordiner, fare i neveritshëm, dhe thotë “po, ato dokumente janë të falsifikuara”. Kemi një kaos total, dhe Shqipëria po e vuan së tepërmi këtë kaos, sepse kaosi nuk të lejon të shpjegosh asgjë, çdo gjë e nxin, çdo gjë e çorienton.

Duke mbetur në temën e të kaluarës, është një figurë interesante, për atë sa flitet për të, dhe është figura e Mehmet Shehut. Presidenti francez Hollande përmendi librin tuaj Pasardhësi, si ndër librat e suksesshëm. Rreth Mehmet Shehut ka folur Nexhmie Hoxha që tregonte se si ndodhi tragjedia e tij, dhe si përpjekje  për të justifikuar të shoqin. Ka pasuar ditët e fundit historiani dhe ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo që thoshte që është vetëvrarë, ndërkohë vëllai i Mehmet Shehut thotë se e kanë vrarë. Cili është qëndrimi juaj për këtë çështje që vjen nga e kaluara por që ende krijon kaq shumë vëmendje publike?

Pyetja juaj më tingëllon pak e çuditshme. Unë nuk kam asnjë qëndrim të veçantë nga ajo që duhet të ishte qëndrimi i opinionit publik në përgjithësi, i shtypit, i shoqërisë. Mendimi i parë që më vjen është që Shqipëria nuk duhet të merret me kaq zell të madh, me kaq zjarrmi si të thuash, me asnjë nga figurat që kanë drejtuar diktaturën. Sigurisht duhet të merret me seriozitet, të zbërthejë krimet e tyre…

Është një vrasje e pazakontë apo jo…

Sigurisht! Vrasja e një kryeministri është një ngjarje e pazakonshme, dhe mund të jetë edhe shume simbolike për një vend. Megjithatë, ato deklarata që bëhen poshtë e përpjetë dhe që kam parë, pra që në Shqipëri po zgjohet interesi për diktaturën…

Është një sondazh i OSBE që thotë që 53%…

…e duan regjimin! Këtë unë e gjykoj një sondazh racist kundër popullit shqiptar.

Nuk mundet kurrsesi që një popull që ka vuajtur në një regjim kaq të egër pas 27 vitesh që ky regjim ka ikur, ti degradojë mendja dhe papritur të ndjejë nostalgji për atë kohë.

Kjo nuk është thënë për vendet e tjera, dhe nuk ka pse të thuhet dhe nuk ka pse shqiptarët të ndihmojnë këtë gjë, që është një hedhje balte kundër kombit shqiptar, kundër popullit shqiptar.

Bashkim Shehu thoshte që e shpjegueshme është në qoftë se në sondazh kanë marrë pjesë mosha mbi 50 vjeç, që ka qenë dominante.

Po pse ajo moshë nuk kishte…? Ajo lidhet me sa ishin pro regjimit dhe sa ishin kundra. Nuk është e vërtetë që shumica e njerëzve ka qenë me komunizmin.

Kjo po, por ka ndodhur një gjë, që kudo në këto vendet ish-komuniste, papritur njerëzit ballafaqohen me atë që sistemi i ri ekonomikisht është në rënie, nuk kishte fabrika, nuk kishte punësim 100%, nuk kishte garanci, as spitale falas,  ajo ndjenjë e barazisë në varfëri. Kapitalizmi në ato vitet e para është i tmerrshëm, dhe disa thonë “sa mirë kemi qenë, ç’na u desh”…

Po janë klishe të vjetra. Edhe përpara piramidave thoshin “përpara ishte më mirë”, po çfarë mund të ishte më mirë përpara piramidave? Mund të ishte rastësisht më mirë…

Mos e nxisin nostalgjinë, siç thotë edhe opozita, këto muzetë që po hapen, si te Ministria e Brendshme, Bunk’Arti, Shtëpia me gjethe…

Ato mund ta nxisin, por në radhë të parë duhet të nxisnin anti-nostalgjinë, pra të kundërtën, dhe mund t’i pranosh të dyja. Por që populli shqiptar të jetë katandisur në atë derexhe që t’i mbushen sytë me lot për atë regjim, jo, është diçka që nuk mund ta pranoj, është një fyerje. Mendoj gjithashtu që këto deklarata duhet të verifikohen.

Nga i kanë marrë të dhënat, nga i kanë nxjerrë. Me sondazhet në Shqipëri, është vërtetuar dhe unë kam shkruar disa herë, bëhen spekulime të pështira. Kam shkruar dhe nuk kam marrë përgjigje nga askush, për shembull, për çështjen e popullsisë të Shqipërisë, e cila ka 500-600 vjet që nuk ka ndryshuar, përtej kohëve të fundit. Nuk është normale. Ka sondazhe të paturpshme. Janë të gjitha me qëllim, janë pa qëllim, gjysmë me qëllim, rastësore,  këtë nuk e di.

Por nuk ka popull që 500 e ca vjet përpara të ketë bërë qoftë edhe një farë pengese për një perandori për një kohë të caktuar, dhe të ketë qenë 1 milion banorë, si para 30 vjet më parë. Nuk ekzistojnë popuj të tillë.

Ju jeni vlerësuar nga presidenti francez si një pro evropian i vendosur, edhe pse vini nga një vend i vogël, siç thonë, me një shumicë myslimane, dhe që ka lavdëruar islamin e moderuar shqiptar. Ndërkohë ka shfaqje të ekstremizmit islamik në vend. Cili është gjykimi juaj për këtë?

Ky është një shqetësim, me thënë të drejtën,  dhe një gjë jo shumë  e shpjegueshme, jo fort logjike. Unë nuk kam ndonjë mendim që të zbërthej se përse ndodh. Në radhë të parë dyshoj se ndodh. Është vërtetë Shqipëria një vend ku po rritet islamizmi, siç thonë? Karakterizohet vërtetë si  një komb me shumicë myslimane? Kjo është një lloj formule që zakonisht përdoret, kur flitet për popullsitë e botës.

Për një vend që ka një harmoni fetare të konfirmuar, nuk ka me “me shumicë “ a “pa shumicë”. Këto terma përdoren për shtete të cilët ndërtojnë sistemet e tyre shoqërore, politike dhe juridike edhe në bazë fetare.

Populli shqiptar në këta 100 vjet, nuk ka lejuar që feja të ndikojë në sistemin e tij të brendshëm, shtetëror, juridik, politik. Prandaj nuk ka pse ta pranojmë ne këtë kualifikim, i cili në botë ka marë vetvetiu një konotacion racist, dhe me sa duket do të vazhdojë kështu.

E majta shqiptare ka disa prekursorë, si paraprijës, që kanë qenë intelektualë por edhe patriotë, vlen të përmendet Sejfulla Malëshova dhe të tjerë. Pse e majta nuk i referohet këtyre figurave?

Sepse është një mungesë e saj, do të thosha unë, tregon që nuk ka thellësi, që nuk ka sinqeritet ndoshta, sepse një lëvizje e majtë ka edhe ajo ligjet e saj, origjinën, idolet e saj, dhe ne kemi pasur një plejadë të tillë që përmendët ju, si Sejfulla Malëshova, që ishte intelektual i madh, dhe të tjerë si ai. Këta janë dënuar nga regjimi i kaluar dhe me sa duket vazhdon jehona e këtij dënimi.

Një pyetje tjetër lidhet me jetën tuaj midis Shqipërisë dhe Francës. Përgjithësisht, intelektualet që kanë jetuar dhe jetojnë në Francë sjellin edhe kriticizmin ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për rolin e saj në Shqipëri, Kosovë, Ballkan etj. Ndërkohë ju në asnjë rast në shfaqjet tuaja publike nuk keni bërë një kritikë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës për atë që ka bërë në Shqipëri. Cili është gjykimi juaj për raportin midis shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara?

Unë mendoj që Shqipërisë, krahas thashethemeve dëmprurëse, që janë përhapur me shumice sot në botë, dhe që duhet të na brengosin jo thjesht në emër të patriotizmit të modelit klasik, por për imazhin e njeriut shqiptar, ka edhe një thashethem që do ta quaja pozitiv dhe po aq të përhapur në botë, që ky është një shtet që ka simpati për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe amerikanizmin.

Kjo është e vërtetë dhe nuk na turpëron. Të parën e quaj turp, që të na dalë nami që jemi vendi i drogës, i prostitutave dhe gangsterëve, patjetër asnjë vend nuk do t’ia uronte vetes.

Por që të dalë nami që Shqipëria është tepër e dalldisur pas SHBA, përveç një buzëqeshje nuk i bën dëm vendit. Për mua është gjë pozitive, dhe unë jam dakord. Populli shqiptar, me gjithë akuzat që i bëjnë, pra që e ka mendjen nga Lindja, nga Otomanët, nga kinezët, megjithatë për çudi mendjen e tij di ta ketë edhe nga ky kontinent i ri i botës, ky vend i madh dhe demokratik.

E kisha fjalën edhe për atë kriticizëm që shihej kur bëhej fjalë për armët kimike, ka intelektuale që jetojnë këtu në Francë dhe kritikojnë ambasadorët amerikanë që përfshihen në çështjet e reformës për drejtësi.

Unë këtë do ta quaja konformizëm ndaj vendit ku jetojnë. Unë nuk e kam ndjerë kurrë këtë gjë, dhe as nuk  e kam ndjerë dhe as nuk e kam quajtur të nevojshme.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Ushtron dhunë ndaj ish-bashkëshortes, arrestohet 36-vjeçari i shpallur në kërkim (Emri)
Kryejnë veprime të turpshme me të miturën, procedohen penalisht dy 14-vjeçarë »
Article Logic
Execution time: 0.013792037963867
array(1) { ["section"]=> string(126) "reagon-ashper-ismail-kadare-fatos-lubonja-nje-shpifes-ordiner-dhe-i-neveritshem-bunk-art-nxit-nostalgjine-per-komunizmin-69524" }