Renditja e kompanive më të mëdha të rajonit, Shqipëria 'mburret' me tregti, Serbia e Maqedonia me industri e teknologji

Publikuar tek: aktualitet, më 06:17 27-09-2020 Renditja e kompanive më të mëdha të rajonit, Shqipëria 'mburret' me tregti, Serbia e Maqedonia me industri e teknologji Ilustruese

Në renditjen e kompanive më të mëdha në Shqipëri vijojnë të mbizotërojnë kompanitë tregtuese të naftës. Rajoni po profilizohet në industrinë prodhuese, duke rritur eksportet me vlerë të shtuar dhe duke e lënë në fund vendin tonë për këtë tregues.
3 kompani nga 10 të mëdhatë në Maqedoni janë prodhues të mëdhenj të industrisë automotive. Serbia po bëhet lider në teknologjinë e informacionit.

Nga Ornela Liperi-Investimet në zgjerimin e kapaciteteve, rritja e eficencës, kalimi drejt teknologjive të gjelbra dhe fokusi te novacionet ishin elementet kryesore të strategjive të kompanive më të mëdha në Europën Juglindore gjatë viteve të fundit, teksa përpiqen të kapin kolegët e tyre të Europës Perëndimore.

Sidoqoftë, për të shfrytëzuar këtë potencial, është e rëndësishme që ata të akordojnë më shumë para për kërkime. Shëndeti i mirë i industrive themelore të rajonit siguron baza të forta për një fokus më të mprehtë në inovacione.

Raporti vjetor i “See News”, një publikim që bën renditjen rajonale të kompanive më të mëdha në Europën Juglindore, e vë theksin te përshtatja e kompanive ndaj ndryshimeve teknologjike, por edhe sociale.

Sektori i automobilave është ndër industritë më të shpejta në zgjerim në të gjitha vendet e rajonit, për sa i përket kontributit ndaj PBB-së, rritjes së kapacitetit prodhues, vëllimit të investimeve dhe krijimit të vendeve të punës, sidomos në Serbi dhe Maqedoni. Në të dy këto shtete, kompanitë e sektorit prodhues renditen ndër më të mëdhatë, sa i takon qarkullimit vjetor dhe punësimit. Një kontrast total me Shqipërinë, ku në renditje kryesojnë sipërmarrjet tregtuese, sidomos ato të karburanteve, ndërsa vëmendjen kryesore, vitet e fundit, e kanë marrë koncesionet. Lexo shkrimin e plotë këtu

Tre prodhues për pjesë automjetesh në Maqedoni renditen sërish ndër 10 më të mëdhenjtë sipas qarkullimit vjetor (me mbi 8,000 të punësuar në total), ndryshe nga Shqipëria që ka në këtë listë katër subjekte që tregtojnë karburante me shumicë, një aktivitet pa vlerë të shtuar dhe pa kontribut në punësim.

Serbia është një tjetër shtet konkurrues në rajon, edhe për shkak të traditës që ka në industrinë automotive.

Në këtë garë rajonale, Shqipëria është në fillesa. Katër sipërmarrje kanë hyrë në këtë sektor vitet e fundit, “Forschner”, “PSZ Albania” dhe së fundmi “Delmon” dhe “Yura”. Por asnjëra prej tyre nuk ka arritur ende të hyjë në listën e “Monitor 200”.

Krahu i lirë i punës, pozicioni gjeografik i favorshëm dhe maturimi i tregut të fqinjëve me fabrika të industrisë automotive që kryejnë procese të thjeshta fasoneri, po shërbejnë si shtysë në vendimet e investitorëve që të hedhin sytë nga Shqipëria, por sektori po has vështirësi në gjetjen e punonjësve të kualifikuar.

Jo rastësisht, Serbia dhe Maqedonia janë të pozicionuara më mirë në rebusin se cili shtet do të arrijë të kalojë me më pak pasoja pandeminë e Covid-19. Institucionet ndërkombëtare presin që ato të goditen më pak, sidomos Serbia, e cila vitet e fundit është bërë një nga pionierët e zhvillimit të teknologjisë, jo vetëm në rajon, por po merret si model në të gjithë Europën./Monitor

 

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0067310333251953
array(1) { ["section"]=> string(122) "renditja-e-kompanive-me-te-medha-te-rajonit-shqiperia-mburret-me-tregti-serbia-e-maqedonia-me-industri-e-teknologji-221798" }