Respekt për të pavarurit

Publikuar tek: analiza-komente, më 10:53 21-05-2015 Respekt për të pavarurit Afrim Krasniqi, politolog

Nga Afrim Krasniqi

Ka një sentencë të njohur në shkencat politike lidhur me sistemet zgjedhore: “shikoni si sistemi sillet me individët e pavarur dhe e kupton se cfarë sistemi është”. Ideja është e qartë: sistemet zgjedhore janë produkt i partive të mëdha, të cilat, zgjedhin sisteme të tilla që ua mundësojnë marrjen e sa më shumë mandateve me kosto sa më të lirë. Sa më pak demokratik të jetë një vend, aq më shumë partitë e mëdha përdorin rolin dominues të tyre për të ngushtuar hapësirat për partitë e treta, ato më të voglat dhe sidomos për prurjet e reja, parti apo kandidatë. Referuar praktikës shqiptare teza merr përgjigje të prerë: de facto asnjë kandidat i pavarur nuk ka arritur të fitojë mandat parlamentar në 8 proceset e deritanishme zgjedhore. De juro statistikat mund të quajnë “të pavavarur” Lleshin (1991), Fejzon e Hasanin (1997), Lesin e Dukën (2001), Peci (2005), por të gjithë e dimë se secili prej tyre kishte zonë të lirë nga e majta, pra ishin taktikisht të pavarur.

Në zgjedhjet lokale ka përvoja të tjera. Në gjashtë procese zgjedhore ka pasur të paktën 15 raste kur kandidatë të inicuar nga zgjedhësit, kanë arritur të fitojnë zgjedhjet kryesisht në komuna, duke sfiduar partitë e mëdha. Më 2011 të tillë ishin Gjokola (Lurë), Shabanaj (Kurjan), Dervishi (Krahës), Mani (Velcan), Oruci (Kolsh), Aliaj (Surroj), Demaj (Tërthore), Shakaj (Novoselë), dhe sidomos dy kanditatë vertetë të pavarur, Dorzi (Pezë) dhe Kumi (Lukovë). Numri i këshilltarëve të pavarur është shumëfish më i lartë, edhe për shkak të rolit të fiseve dhe komuniteteve të caktuara lokale në njësitë e periferisë.

Në zgjedhjet 2013 patëm dy kandidatë të pavarur: Prifti në Fier dhe Malaj në Vlorë, të dy politikanë karriere dhe ri-kandidues në zonat ku kanë qenë zgjedhur edhe më parë deputet. Sic pritej ata nuk fituan, por morën një numër të konsiderueshëm votash, madje njëri prej tyre ka numër më të lartë të votave sesa 8 deputetë aktualë të zgjedhur në Kuvend në kuadër të votave brenda koalicioneve politike.

Në zgjedhjet 2015 Kodi Zgjedhor nuk ka ndryshuar, e drejta e kandidimit të pavarur është vështirësuar, dhe për shembull, një kandidat bashkë me listën e tij të këshilltarëve në Tiranë do duhet të mbledhë 409,200 firma qytetarësh. E thënë me terma reference, do duhet të firmosin vullnetarisht 177% e votuesve realë në Tiranë ose 70% të firmave që i duhen PS/PD për të marrë pushtetin në Shqipëri në zgjedhjet parlamentare. Paradokse të tilla nuk gjenden në praktikat zgjedhore të vendeve demokratike. Në Shqipëri kufizimi i shanseve për të tretët, sidomos ata që guxojnë të kalojnë reshtin, është maksimal dhe konsensual. Për shembull, më 2009 legjislativi kërkoi 10 mijë firma për regjistrimin e një partie në zgjedhje, vendim që u rrëzua më pas nga Gjykata Kushtetuese.

Duke qenë të detyruar të pranojnë sistemin aktual zgjedhor dhe legjislacionin penalizues për të tretët, disa emra kanë guxuar të mbledhin firmat dhe të gjejnë mekanizmin e konkurrimit në zgjedhje. Në Tiranë janë në garë Gjergj Bojaxhiu (kandidat për kryetar, pa listë këshilli), Arben Tafaj (kandidat për kryetar dhe me listë këshilli përmes një partie të re). Në listë është edhe Sazan Guri i dalë përmes mbledhjes së firmave. Në Shkodër kandidon Vullnet Elbasani (për kryetar dhe me listë këshilltarësh), në Vlorë kandidon Vasil Bedinaj, në Fier kandidon Alber Caci, si dhe janë lajmëruar edhe 23 kandidime të pavarura edhe në disa rrethe të tjera të vendit. Shumica e tyre kanë arritur të mbledhin firmat e nevojshme, madje ti mbledhin 2-3-4 fishin e tyre, duke sfiduar partitë e mëdha dhe duke treguar se numri i qytetarëve të protestës ndaj tyre është gjithnjë e më shumë në rritje.

Në trajtimin e kandidatëve të pavarur ka disa skema të gatshme. Dikush heton midis tyre për të gjetur se cila palë përfiton prej kandidimit dhe kështu, për ta etiketuar kandidatin si produkt fiktiv të palës tjetër politike. Kur kjo ndodh kandidati denigrohet, fyhet, dhe njëra nga partitë e mëdha porosit komisionerët e saj të përdorin cdo mjet për (mos)numërimin e votave të të pavarurit. Në rastin kur nuk gjendet lidhje indirekte politike (shoqëria shqiptare është e mbyllur dhe cilido mendim kritik akuzuhet se i shërben palës tjetër, duke u marrë me personin, jo me idetë e tij), përhapet teza se të pavarurit nuk kanë shanse për fitore ndaj vota për ta është votë e humbur. Pjesërisht është logjike. Në sistemin tonë zgjedhor dy partitë e mëdha kontrollojnë administratën zgjedhore, kanë numrin më të madh të militantëve, kanë burime pakufi financimi, kanë kontroll mbi Kolegjin Zgjedhor dhe kështu, kanë mjetet e presionit që vetëm ose me konsensus të eleminojnë këdo, sidomos ata që përbëjnë kërcënim për statusquo-n e tyre.

Në fakt, analiza për të pavarurit duhet të jetë tjetër si nga politika e media, ashtu edhe nga qytetarët. Shikoni si i injorojnë partitë e mëdha, sesi sillen me arrogancë ndaj tyre për të kuptuar sesi forcat politike që kanë monopolin, oligarkia politike, nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do jetë e gatshme të pranojë standarde të reja demokracie, nëse nuk do jetë e detyruar ta bëjë këtë.

  • Së pari ata meritojnë respekt, sepse kanë guxuar tu dalin përballë partive të mëdha dhe kandidatëve të emëruar të tyre. Pra, nëse ka kandidatë vertetë janë ata që kanë një projekt për qytetin dhe duan ta realizojnë atë, jo ata që emërohen nga shefat e partive për të gjetur një projekt që më pas, me ndihmën e partisë, të mund të realizohet.
  • Së dyti, kandidatët e pavarur janë produkt i revoltës qytetare ndaj sistemit të oligarkisë politike, partitokracisë dhe sistemit të mbyllur abuzues që kanë imponuar prej vitesh dy partitë e mëdha dhe aleatët e tyre. Ata dalin për të thënë “ne dhe mbështetësit tanë ekzistojnë dhe refuzojnë të jenë numra” sic i trajtojnë partitë e mëdha qytetarët tanë prej kohësh.
  • Së treti, ata janë simbol proteste ndaj mungesës së demokracisë, garës dhe sistemit të meritokracisë brenda vetë partive politike kryesore. Nëse do kishte demokraci e garë atëherë mund të konkurrohej brenda pa qenë nevoja të dilej përballë. Ngaqë mundojnë këto elementë, ata protestojnë dhe dalin përballë.
  • Së katërti, ata pa përjashtim janë prurje civile, qytetare, standarde që shpesh mungojnë në prurjet militante politike. Si të tillë, ndryshe nga partitë, ata nuk e bazojnë forcën e tyre tek muskujt e militantëve, por tek forca e ideve që mbartin dhe prezantojnë. Kjo i bën më dinjitozë dhe më të dobishëm për sistemin tonë përfaqësues.
  • Së pesti, ata nuk duan dhe as nuk kanë mundësi të përdorin shtetin në fushatë, sic bëjnë palët politike aty ku ata drejtojnë, në qeverinë qëndrore ose lokale. Ata kanë mbledhur rreth tyre të rinj, stafe teknike, persona që duan të dëgjohet zëri i tyre dhe përmes këtij mekanizmi duan të sfidojnë makinerinë e dhunshme dhe abuzuese të pushteteve, pra duan ti japin fushatës dimensionin ligjor që palët politike, asnjëherë nuk e kanë respektuar.
  • Së gjashti, ata janë të gjithë individ me një projekt konkret, debatojnë me tema konkrete, nuk tundin flamujt dhe as teserat, sa tundin skicat dhe projektet e zhvillimit të komunitetit të tyre, - dicka që përbën thelbin e një fushate elektorale në zgjedhjet vendore.
  • Së fundi, ata mund të humbin, sic ka ndodhur me të tjerë përpara tyre, por testi i tyre përvecse i jep dinjitet e forcë sistemit demokratik amorf të krijuar nga forcat politike tradicionale, mund të shërbejë si bazë e lëvizjeve të reja politike në zgjedhjet e ardhshme parlamentare e lokale.

Duke detyruar në të ardhmen partitë të ndryshojnë rregullat e brendshme dhe të bëhen më të hapura, duke u ofruar qytetarëve një dritare përfaqësimi tej ndarjes bardh e zi, duke rritur cilësinë e përfaqësimit qytetar përmes konkurrencës reale dhe profesionale, duke treguar se zgjedhësit dhe qytetarët shqiptarë nuk janë numra pa mendim, por njerëz në nevojë që meritojnë trajtim më dinjitoz nga ata që vijnë në pushtet duke u premtuar tu shërbejnë dhe më pas bëjnë gjithcka ti shndërrojnë qytetarët në shërbëtorë të tyre. Qoftë edhe për këtë arsye, pavarësisht nga emrat, pavarësisht nga rezultati, kandidatët e pavarur dhe ata jashtë “vijës së partisë” meritojnë respekt!

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.026576042175293
array(1) { ["section"]=> string(30) "respekt-per-te-pavarurit-11638" }