Gazeta Panorama shkruan sot, duke iu referuar burimeve të saj pranë ILDKP se ish-ministri i Financave Ridvan Bode, nga verifikimi i deklaratave të pasurive që nga viti 2003 deri në vitin 2013, ka rezultuar se nuk ka deklaruar burimet e disa pasurive të paluajtshme të vendosura në emër të bashkëshortes aktuale dhe vajzës së tij, pasuri kjo që kap shifrën e 500 mijë eurove.
Në deklaratat e pasurisë Bode, aktualisht deputet i PD, ka specifikuar se një pjesë e të ardhurave në emër të vajzës dhe bashkëshortes janë fituar me projekte.
ILDKP ka thënë se disa herë e ka thirrur ish-ministrin për të sqaruar burimin e të ardhurave për pasurinë e deklaruar por ai nuk është paraqitur.
Nga ana tjetër deputeti Bode njoftoi dje se do ngrejë kundër padi pas padisë ndaj tij nga ILDKP. Bode do të padisë kryeinspektorin Shkëlqim Ganaj për “mashtrim publik” dhe “denigrim të personit” pasi deputeti pretendon se çdo deklarim e ka bërë konform të gjitha ligjeve , pa dhënë sqarime të detajuara mbi shifrën 500 mijë euro të përmendur nga burimet e ILDKP. Sipas Bodes çdo gjë është e dokumentuar ndërsa ka pohuar se nuk ka marrë asnjë njoftim nga ILDKP duke shtuar se kjo ka ngjarja ka një prapavijë politike.