Orialda Kajtazi, vajza 18 vjeçare e cila u arratis së bashku me motrën e saj vetëm 14 vjeçe Klevisën, rikthehet në shtëpi e penduar dhe gati për të nisur gjithçka nga e para, pas javëve në qeli. Në fokus tashmë ka shkollimin pasi këtë vit është maturante. E penduar, Orialda i rrëfen gazetares Klodiana Haxhiaj:
“Gjithçka nisi si një aventurë mbrëmjen e 15 korrikut. Të gjitha veprimet i bëra bashkë me motrën pasi policia erdhi në derë të shtëpisë e pyeti për helmimin e prindërve dhe të motrës së madhe. Unë doja të vrisja veten ndërsa motra e vogël tha që të arratisemi”, thotë Orialda Kajtazi për GSH.
“Në mbrëmje ne i kishim marrë të gjitha dokumentet e motrës së madhe Alketës, rrobat tona, paratë dhe u bëmë gati të iknim. Për të humbur gjurmët dhe që gjithçka të dukej si grabitje ne derdhëm vajin e ullirit dhe i vumë zjarrin shtëpisë në dhomën e gjumit. Ikëm me taksi, ndërsa kemi fjetur në një hotel për tri netë. Më pas u nisëm për në Vlorë, ku shtëpinë e morëm me kartën e motrës së madhe Alketës, me emrin e saj pasi ne jemi minorene. Nuk menduam gjatë, kishim inat me prindërit, me motrën e madhe, nuk e di pse”, rrëfen 18 vjeçarja.
“Në Vlorë kemi dalë shumë pak, sa për të blerë gjërat e nevojshme për banesën ku rrinim.
Prindërve u kam thënë duke iu përgjëruar se vetëm falja e tyre më mjafton”, thotë Kajtazi ndërsa xhirimin dhe hedhjen e videove në youtube e ka cilësuar si “moment budallallëku”.
“Sapo u arrestova nga policia doja të fshija videot por ishte e pamundur, pasi më sekuestruan celularët. Vetëm pasi u futa në burg, u dhashë kodin e adresës prindërve dhe ata i fshinë. U kërkoj falje të gjithë atyre që i kemi përmendur në video unë dhe motra”, pohon Orialda ndërsa shton se do tentojë të rikthejë në shtëpi edhe motrën e vogël Klevisën që gjendet në një qendër sociale.