Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesa në Ministrinë e Brendshme, ka ekzekutuar sot vendimin e Gjykatës për arrestimin e disa punonjësve të Policisë Kufitare të Rinasit, të akuzuar për “shpërdorim detyre”.
Të arrestuar janë:
Isa B., N/Komisar, përgjegjës Turni, 20 raste të lejimit të kalimit kufitar në kundërshtim me ligjin
Evjon M., kontrollor, 11 raste të lejimit të kalimit kufitar në kundërshtim me ligjin
Migena Q., kontrollore, 5 raste të lejimit të kalimit kufitar në kundërshtim me ligjin
Florida M., kontrollore, 6 raste të lejimit të kalimit kufitar në kundërshtim me ligjin
Njoftimi i Prokurorisë:
Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, Njësia Task-Force, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për disa punonjës të Policisë Kufitare të Rinasit, të akuzuar për “shpërdorim detyre”. Vendimi i gjykatës është ekzekutuar gjatë ditës së dielë nga ana e forcave të Shërbimi të
Çështjeve të Brendshme dhe Ankesa në Ministrinë e Brendshme (SHÇBA).
Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimin për këta shtetas në muajin Prill 2015, në bazë të një informacioni operativ të SHÇBA. Sipas këtij informacioni, disa kontrollorë dhe përgjegjësi i tyre, kanë lejuar kalimin tranzit në Shqipëri nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Rinasit pesë shtetas turq, me kombësi kurde, të cilët më pas janë larguar në drejtim të vendeve të Bashkimit Europian për azil. Shtetasit turq ishin pajisur me “ftesa formale” nga ana e disa qytetarëve shqiptarë për të vizituar Shqipërinë për turizëm. Por, në fakt, këto “ftesa zyrtare” ishin të fallsifikuara nga ana e disa kontrollorëve të policisë kufitare të Rinasit.
Në bazë të këtij informacioni, Prokuroria e Tiranës zhvilloi hetime disa-mujore, në bashkëpunim me SHÇBA-në, nga të cilat rezultuan një numër i konsiderueshëm rashtesh, ku, me ndërhyrjen ose dakordësinë e përgjegjësit Isa B., kontrollorët Evjon M., Migena Q. dhe Florida M. kanë lejuar kalimin e kufirit shtetëror të shtetasve të ndryshëm shqiptarë, të cilët nuk plotësonin kriteret e udhëtimit, kishin dokumente të fallsifikuara, dokumente të skaduara ose persona të akuzuar për vepra penale të ndryshme.
Në materialin hetimor ka rezultuar se këta shtetas, pasi komunikojnë me persona të ndryshëm qytetarë me edhe pa njohje të mëparshme, bëjnë verifikime në sistemin TIMS për emra personash, gjeneralitetet e të cilëve ju jepen si porosi nga persona të tretë dhe, pasi zhvillojnë takime me ta, bien në kompromis për lejimin e kalimit të kufirit pa pasur pengesa nga punonjësit e Policisë Kufitare, nëpërmjet shmangies së kontrollit kufitar, pavarësisht se këta persona mund të jenë me precendentë penalë, persona në kërkim, mund të mos justifikojnë qëllimin e vizitës së tyre, mund të mos kenë dokumentacionin e duhur për të udhëtuar jashtë shtetit (pasaportë të vlefshme si dokumenti bazë).