Pasi përfitoi tenderin për lungomaren në Vlorë, pasi përfitoi edhe tenderin për ndërtimin e parkut të Viroit, duket se Riviera Sh.p.k është kompania që është shpallur fituese edhe për rikonstruksionin e qendrës së Përmetit, me një fond prej 900 milionë lekësh.
Bashkësia Përmet denoncon këtë duke e quajtur një aferë të turpshme. Në fakt, prej më shumë se dy javësh, informacionet vinin se fituesi i tenderit ishte paracaktuar dhe do të ishte Riviera sh.p.k.
Madje në përfundim, kur është ftuar firma për të lidhur kontratën, duket se autoriteti kontraktues ka bërë edhe një gabim me emrin e firmës, duke vendosur një emër tjetër. Për vlerën e punimeve prej 900 milionë lekësh, është e njëjtë. Në fletën e parë faksimile që paraqitet vlera e Rivierës është pa TVSH dhe më vonë, në fletën e dytë, është e llogaritur me TVSH. Gjithsesi, sikurse duket, është firma që ka dhënë edhe ofertën më të lartë.
Në fakt, Riviera është duke punuar shumë mirë kohët e fundit. Duke marrë shumë projekte. Në qytet flitet edhe për ndërmjetësimin për këtë procedurë të kunatit të një ministri, i cili “ka kryer edhe rolin e sekserit”. Edhe pse u interesuam të gjenim detaje të kësaj ndërhyrjeje, pasi prej kohësh dinim se tenderin do e fitonte kjo kompani, nuk u arrit të dokumentohej kjo ndërhyrje, e cila, pas fitores së tenderit nga kjo kompani, që ka dhënë edhe vlerën më të lartë, tregon për mënyrën sesi janë zhvilluar procedurat.