Pas një pauze të shkurtër pas përçarjes me Blushin që çoi në përjashtimin e saj si kryetare e LIBRA-s, profesoresha Mimoza Hafizi është rishfaqur përsëri për publikun.
Në një postim në Facebook, Hafizi duket se ka udhëtuar drejt Francës në një takim miqësor me fizikanten e njohur franceze në fushën e Gravitacionit, Prof. Nathalie Deruelle.
"Në Café Le Rostand, me kolegen dhe miken time, Prof. Nathalie Deruelle, fizikane e njohur franceze në fushën e Gravitacionit të Albert Einstein.
Po shkëmbejmë argumente mbi rolin që merr shkencëtari i mirëfilltë në "popshkencë"-libra a filma shkencorë për publikun joprofesionist.
Këto ditë del në Francë një libër i saj i thjeshtuar mbi Valët Gravitacionale, të cilin beson se disa mijra francezë do e mirëpresin. Po ne shqiptarët, sa e mirëpresim popshkencën? Përvoja ime me faqen www.tuimp.org, ku secili mund të hyjë lirisht e të shtypë librin e vet, është mjaft e bukur. Por sa ia vlen angazhimi në një vepër edhe më të zgjeruar? Për t'i sjellë njerëzit tek jeta e kërkuesit dhe tek arritjet më të fundit, tek planetet e zbuluara fare pranë Sistemit Diellor apo me mijra vite-dritë larg nesh, për t'i çuar në skajet e Universit a futur në mikrobotën e bërthamave atomike, për t'u sjellë dijet mbi jetën jashtë nesh apo inteligjencën përtej njeriut. Përmes një fjalori të thjeshtë, por korrekt. Sa gati është publiku ynë për të lexuar, kuptuar e besuar komunikimin shkencor? Sa larg nga pseudoshkenca, teoritë konspirative apo besimet okulte?
Besoj se ia vlen angazhimi dhe duhet bërë!"- ka shkruar Hafizi në Facebook.