Një zyrtar policie në Kosovë është arrestuar pasi akuzohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.
Sipas njoftimit të policisë, ai është pezulluar nga detura dhe i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Njoftimi i policisë:
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së kanë arrestuar një zyrtar policor me dyshimin se i njëjtit ka kryer veprën penale “dhunë në familje”. IPK ka pranuar mbrëmë informacione nga Policia e Kosovës lidhur me dyshimin së një zyrtar policor në Prishtinë ka kryer veprën penale dhunë në familje.
Menjëherë pas pranimit të informacionit hetuesit e IPK-së i janë përgjigjur thirrjes duke intervistuar viktimën e këtij rasti – bashkëshorten e tij. Pas disa veprimeve fillestare hetimore është konsultuar edhe prokurori kompetent dhe zyrtarit policor me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar. Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.