Juliana Pasha ka folur sot në emisionin “Rudina” për karrierën, jetën si dhe projektet e radhës. Ajo çka vëmë re tek këngëtarja, është mungesa e videoklipeve në projektet e saj artistike.
“Nuk më pëlqen shumë të bëj klipe. Jam më shumë e dhënë pas kontaktit të drejtpërdrejtë me publikun dhe emocionin që më jep skena live. Nuk më mungon afrimiteti me publikun dhe më pëlqen shumë ndjesia e drejtpërdrejtë. E shijoj më shumë atë lloj komunikimi…” – rrëfen Juli, teksa tregton dhe për çmimet e rëndësishme që ka marrë gjatë karrierës.
Energjike, ekspresive, përherë e gjallë dhe shpërthyese, Juli është ҫdo javë pranë publikut në Tiranë duke kënduar live. Për vite me radhë, ajo është ushqyer nga kjo dashuri e ndërsjellë, ndaj edhe e ka gjetur veten mjaft mirë aty.
Po ashtu Juli ka treguar dhe për frymëzimin e saj më të madh “Zakonisht më frymëzojnë shumë fytyrat e qeshura, sytë, buzëqeshja e publikut, sidomos në skenat e vogla. Nëse shikoj njerëz që janë të qeshur dhe gati për të kënduar e për t’u argëtuar bashkë me mua, edhe sikur të jem shumë e lodhur, harroj gjithë lodhjen dhe ndihem e përmbushur…”
Juliana është një ndër këngëtaret e skenës "live", të cilën rrallëherë e shohim me klipe në këngët e saj.