RRËFIMI I RRALLË, nanë Gjela: Si më ftuan të vajtoja Enverin!

Publikuar tek: kulture-art, më 13:12 11-04-2019 RRËFIMI I RRALLË, nanë Gjela: Si më ftuan të vajtoja Enverin!

Nga Gjergj Marku

Me nanë Gjelën kam disa intervista brilante, herë nëpër skena, e herë për gazetë apo televizione. Një barde e rrallë e këngavajit mirditas, por dhe e skenës së Festivaleve, e cila, edhe pse tashmë nuk jeton, do të mbetet gjatë në memoristikën kulturore të Mirditës e shumë më gjërë. Vaji (vajtimi) i saj nëpër morte të ndryshme ishte një “poemë” më vete, e rrallë në gjithë Malësitë e Vendit.

Një vajtemore (thënë në aksentin mirditas) kur vajton, i paraqitën situata tejet të vështira, sidomos me rastet, që varen nga moshat e të vdekurit apo rrethanat familjare etj. Ndaj pyetjes se kur ishte ndjerë më keq në situata të trishta, ajo më qe përgjigj se kam plot prej tyre, dhe më është dashur t’i përballoj sido të ishte dhimbja, por ma në siklet jam ndjerë kur më ftuan në komitetin e partisë pas vdekjes së Enverit në prill 1985.

Kishin ardhë nga Tirana një grup zyrtarësh të kohës nga sektori i edukimit, për t’më pyetur rreth asaj që rrethi ynë u kishte propozuar: një vajtemore e Mirditës do të vajtonte Enverin gjatë homazheve që po bëheshin në Tiranë.

U gjenda shumë ngushtë, kisha vajtuar raste tepër të vështira, në situata nga më të ndryshme, me mot të mirë e me mot të lig, me pleq apo të rinj, e deri me fëmijë, por kjo që po më thonin të bëja kalonte çdo imagjinatë, do të ishte rasti ma i vështirë në jetë. Imagjinoja: si do të vajtoja ma të Madhin e vendit! Kurrë nuk më kishte shkuar mendja. Mirëpo ma ngushtë u gjenda kur më thanë, ku i ke vargjet?! U them që vajtemoret nuk shkruajnë vargje në letra, ato vijnë aty për aty ku vajtohet, “mbijnë” nga shpirti, pikërisht atë moment sipas situatës dhe historisë të të vdekurit.

Jo jo, ata insistonin që t’i regjistronin vargjet dhe t’i përcillnin Lart! Me orë të tana, qëndruam pa gjet zgjidhje, sepse nuk e kisha imagjinuar kurrë se një ditë do më duhej të rrjeshtoja në letër fjalët e vajtimit. Mirë, u them, m’i regjistroni. Isha mësuar me skenën në festival dhe regjistrimet e kangëve nga muzikantët e Mirditës, që më kishin marrë plot vargje me magnetofona, kështuqë e pata më të lehtë. Nxorën një magnetofon të asaj kohe, dhe ma vunë para për t’më regjistruar. I rrjeshtova fjalët ashtu siç më erdhën. Pasi mbaruan punë, i shtypën dhe në makinë shkrimi, duke më thënë të mbaja një kopje dhe unë. Më thanë me e përsërit vajin. Mirëpo nuk kisha si me vajtu me vargje të shkruara, aq më tepër të baja vajtim origjinal kur nuk e ke të vdekurin aty para të rrethu nga njerëzia e gra të tjera, ndaj duket se i ndërrova përsëri fjalët, me sikletin se po luaja rol aktoreje dhe jo misionin e vërtetë të vajtemores!...

Më pas e pyes, si ngjau kur shkove në Tiranë, pikërisht tek vendi ku kishe për të vajtuar Udhëheqësin e vendit, i mbajte mend vargjet që kishe thur para të deleguarve?! Jo mor bir, si do i mbaja mend, ata e kishin kuptuar kët gja, kështuqë për të mos i fut ngatrresa vetes, e anolluan, nuk më bëzajtën ma!...

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.006782054901123
array(1) { ["section"]=> string(65) "rrefimi-i-rralle-nane-gjela-si-me-ftuan-te-vajtoja-enverin-160019" }