Rrezik për epidemi, nis dezinfektimi dhe groposja e kafshëve

Publikuar tek: aktualitet, më 19:00 04-02-2015 Rrezik për epidemi, nis dezinfektimi dhe groposja e kafshëve

Rinisin rreshjet në jug të vendit. Parashikimet janë që mund të ketë sërish përmbytje, përveç 5 mijë hektarëve tokë deri tani nën ujë. 

Frika nga epidemitë e mundshme, pesë ditë nga fillimi i përmbytjeve të mëdha, i ka detyruar autoritetet e Ministrisë së Bujqësisë, që të nisin zyrtarët më të lartë dhe të angazhojnë të gjithë efektivët dhe drejtoritë e veterinerisë për të dezinfektuar dhe për të groposur të gjitha kafshët e ngordhura gjatë këtyre ditëve.

Lajmi konfirmohet për newsbomb.al nga zyrtarët e ministrisë së bujqësisë, të cilët pranuan rrezikun në rast se kafshët e ngordhura qëndrojnë jashtë në natyrë për një kohë të gjatë.

“Pothuajse gjithë zyrtarët e ministrisë së Bujqësisë do të jenë në terren për të mundësuar këtë proces. Do të fillojë më së shumti e gjithë procedura në zonën e Fierit dhe Vlorës, ku dëmet me bagëtitë janë shumë më të mëdha” deklaroi një zyrtar i lartë i ministrisë së Bujqësisë.

Më herët, gjatë paradites, Ministri Edmond Panariti u ka kërkuar Bankave të nivelit të dytë dhe bankës Qendrore të ngrijnë kreditë që kanë marrë fermerët në jug të vendit.

Panariti ka kërkuar që ky pezullim të bëhet për një periudhë 1-2 vjeçare, si dhe heqjen e penaliteteve për vonesat për bizneset agroushqimore.

Një tjetër pikë është edhe rishikimi i kushteve të kredisë për bizneset e dëmtuara.


Mblidhet grupi parlamentar i PD, Basha: Qeveria krihet, fshati digjet

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD, i ka bërë thirrje Kryeministrit Rama të shpallë gjendjen e emergjencës.

Basha tha se qeveria ka braktisur popullin e përmbytur duke i lënë në mëshirë të fatit të pa shtrëhuar, pa ushqim dhe ujë. Kryetari i PD tha se ishte kthyer nga zonat e përmbytura në Fier dhe Vlorë dhe se banorët ishin të alarmuar.


Ministria e Brendshme ka deklaruar sot se njoftimi për situatën e rëndë të përmbytjeve që do të godiste vendin, është mësuar që më 28 janar. Sipas Florenc Seriani nga MB, qytetarët janë lajmëruar përpara se përmbytjet të nisnin por shumica e tyre kanë refuzuar evakuimin.

MB ka theksuar se gatishmëria e strukturave dhe Shtabeve të Emergjencës ka qenë maksimale, e për këtë arsye është bërë e mundur që të mos ketë asnjë humbje jete nga vërshimi i ujit.

MB ka njoftuar se situata kritike nuk ka kaluar ende pasi rreshje të fuqishme shiu priten në ditët në vijim.


Forcat e Armatosura kanë vijuar edhe gjatë ditës së sotme të asistojë me forca dhe mjete të shumta në zonat e prekura nga përmbytjet në jug të vendit.

17 efektiva dhe 4 mjete të Komandës së Mbështetjes janë duke punuar për largimin e ujrave që rrezikojnë rezervuarin e Maskurës në Golem, ndërsa  19 efektiva dhe 6 mjete ndodhen në Novoselë, për transport ndihmash ushqimore. Gjithashtu , dy mjete të tjera të janë vënë në dispozicion të Prefekturës së Fierit për të qënë të gatshme për operacionin e shpëtimit dhe të evakuimit në rast se paraqitet nevoja.

Në Qarkun e Beratit 20 forca dhe 2 mjete janë në gjendje gatishmërie për çdo situatë dhe nevojë që do të ketë Shtabi i Emergjencave në këtë qark.

Në total gjatë ditës së sotme në aksionin e emergjencave për përballimin e situatës së rënduar nga përmbytjet janë angazhuar 83 trupa, 18 mjete, 4 motopompa, 2 motobarka dhe 4 gomone.


Për përmbytjet reagoi në profilin e tij në "Facebook" ish-kryeministri Sali Berisha. Ai akuzoi qeverinë Rama për neglizhencë në mosshpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, duke e cilësuar Ramën si ''beun e Surrelit" që mendon se zonat e përmbytura janë lagje të rezidencës së tij.

“Edi Rama dhe qeveria e tij, në kohën kur Gjirokastra, Tepelena, Përmeti, Fieri dhe Vlora ishin në mëshirën e Vjosës dhe tërbimit të saj, zhgërryheshin në orgjitë e ëeekendit të radhës apo siç del tani kishin marrë çiften dhe gjuanin derra dhe lepuj. Për gjendjet e fatkeqësive natyrore shteti ka një ligj që detyron kryeministrin të caktojë fondet dhe të mobilizoje të gjitha burimet si dhe të ngreje me shpejtësi të gjithë infrastrukturën e shpëtim-kërkimit, evakuuimit, sistemimit, sanifikimit, vlerësimit të dëmit dhe çdëmtimit te tij.

Sigurisht që ata që paguhen për përballimin e këtyre situatave e dinë mirë dhe kanë njoftuar edhe Ramën për ekzistencën e këtij ligji. Por gjendja e emergjencës nuk u shpall sepse duhej kaluar pa shqetësim ëeekendi dhe se çdëmtimi i të përmbyturve nuk do bëhet sipas ligjit. Me këtë rast i them Ramës se Gjirokastra, Novosela, Darzeza etj nuk janë lagjia e rezidencës tënde në Surrel ku ti sillesh si beu i Surrelit”, shkruan Berisha.

Ndërkohë rreshjet kanë rinisur, duke patur parashikime të këqija se përmbytjet mund të shtohen. Disa nga akset e vendit mbeten të bllokuara, ndërkohë që motit të keq i janë shtuar edhe rreshjet e borës.


Aksi Cërrik-Banjë-Gramsh është i bllokuar për shkak të daljes së lumit Devoll.

Aksi Elbasan-Gjinar është i bllokuar për shkak të rrëshqitjeve të dheut në Shelcan.

Aksi Librazhd-Qafë Thanë, trashësia e borës shkon në 35 cm. Rekomandohen zinxhirë.

Qafë Priskë-Brizë me reshje borë. Rekomandohet përdorimi i zinxhirëve.

Bajram Curri- Valbonë ka rreshje dëbore që arrijnë 120 cm lartësi dhe qarkullimi bëhet me një korsi

Fushë Sudë, ARRSH këshillon drejtuesit e automjeteve të përdorin zinxhirë ka 30 cm dëborë.

Traget- Lekbibaj, është shembur dhe përbën vështirësi në qarkullim.

 

Deri tani, si rrjedhojë e përmbytjeve të shkaktuara nga moti i keq, 5000 ha tokë janë nën ujë dhe 420 familje janë evakuar. Ndërkohë 232 pjesëtarë të Forcave të Armatosura kanë shkuar në ndihmë të zonave të përmbytura.

Ora 11:00, 4 shkurt

Uji i lumit Vjosë ka shpërthyer drejt Vlorës.

Ostreni ka mbetur pa energji elektrike, si rrjedhojë e  rrëzimit të shtyllave elektrike.

Problem përbën edhe fusha kulluese e Fushës së Maliqit.

Ora 11: 15, 4 shkurt

Liqeni i Fierzës arrin 291 metër, vijojnë rreshjet të cilat nëse vazhdojnë të bien do shkaktojnë hapjen e portave të Fierzës.

Fierza është në kuotën e shkarkimit, duhen dhe 5 metra për të arritur pikën kritike.

Aktualisht punojnë 2 turbina, ndërkohë që pritet të vihen në punë 4.

 

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Çahet autostrada Fier-Vlorë nga përmbytjet, rrezik për udhëtarët
Dëshmia e 20-vjeçares që denoncoi italianin për ngacmim seksual »
Article Logic
Execution time: 0.013391971588135
array(1) { ["section"]=> string(64) "rrezik-per-epidemi-nis-dezinfektimi-dhe-groposja-e-kafsheve-2304" }