Rriten pensionet me 1.4 %, ja kush janë kategoritë që përfitojnë

Publikuar tek: aktualitet, më 06:48 23-07-2015 Rriten pensionet me 1.4 %, ja kush janë kategoritë që përfitojnë Ministri i Mireqenies Sociale Blendi Klosi

600 mijë pensionistë do të përfitojnë një rritje me 1.4 % duke nisur nga 1 gushti. Ky është vendimi i marrë dje nga Këshilli i Ministrave sipas të cilit  kjo rritje nuk shkon vetëm për pensionet e plota të pleqërisë por edhe pensionet e pjesshme, ato të reduktuara, të parakohshme të pleqërisë, të invaliditetit dhe familjarëve, pensionet për vjetërsi shërbimi, në fshat e qytet.

Po njësoj, pra me 1.4% do të rriten pensionet shtesë për ushtarakët, policinë e shtetit, gardën e Republikës, SHISH, policisë së burgjeve , zjarrfikseve, SHKB, punonjësve me tituj shkencorë , ish detarëve, ish-minatorëve, trajtimet e veçanta të pilotëve, ish punonjësve të industrisë ushtarake.

Sipas ministrit Klosi rritja bëhet me qëllim mbrojtjen e kësaj shtrese pavarësisht luhatjes së inflancionit.

“Falë vendimit, 599,364 pensionistë në Republikën e Shqipërisë do të fitojnë rritje të pensionit mujor me 1.4 %. Ky vendim merret për të mbrojtur të gjithë pensionistët 453, 511 në qytet dhe 145, 000 që jetojnë në fshat dhe 32, 800 pensione të parakohshme suplementare në mënyrë që pensioni i tyre mujor të jetë i garantuar pavarësisht luhatjeve normale të inflancionit”, tha ministri i Mirëqënies Klosi.

Me anë të një tjetër vendimi, qeveria shqiptare vendosi edhe rritjen e pensioneve për veteranët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në masën 15.6 %  prej të cilit do të përfitojnë rreth 6600 veteranë.

 

Vendimet e marra nga mbledhja e Këshillit të Ministrave:

V E N D O S I:

1. Indeksimin, në masën 1.4 për qind, të:

a) pensioneve të caktuara sipas ligjeve nr.4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”; nr.4976, datë 29.6.1972, “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, dhe nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuara;

b) pensioneve të posaçme shtetërore dhe të shtesave të pensioneve të posaçme shtetërore, të caktuara në përputhje me ligjin nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;

c) shtesës mujore, të përfituar me vendimin nr.326, datë 21.6.1993, të Këshillit të Ministrave, “Për kriteret e trajtimit të invalidëve të luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar”;

ç) pensioneve të caktuara me dekretin nr.758, datë 1.2.1994, të Presidentit të Republikës, “Për një mbrojtje të veçantë të ushtarakut”; 

d) shtesës mbi pension, të dhënë sipas nenit 33, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar; 

dh) shtesave mbi pension, të dhëna sipas neneve 38, 39 dhe 48, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe nenit 24, të ligjit nr.4171, datë 13.6.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”;

e) pensioneve të caktuara dhe të rillogaritura me ligjin nr.10142,                           datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me përjashtim të pensioneve të caktuara me nenin 21, të këtij ligji; 

ë) trajtimeve të veçanta financiare të familjeve të pilotëve fluturues, të caktuara sipas  ligjeve nr.8455, datë 4.2.1999, “Për një trajtim të veçantë të familjeve të pilotëve, që humbasin jetën në përmbushje të detyrës, gjatë fluturimit”, të ndryshuar, dhe nr.9128, datë 29.7.2003, “Për një trajtim të veçantë financiar të pilotëve fluturues, në pension”, të ndryshuar;

f) trajtimeve të veçanta financiare të caktuara sipas ligjit nr.9361, datë 24.3.2005, “Për një trajtim të veçantë financiar të efektivave, oficerë dhe nënoficerë, lundrues të nëndetëseve dhe polumbarëve të forcave detare në pension”;

g) trajtimeve të veçanta financiare të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të caktuara sipas ligjit nr.8685, datë 9.11.2000, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”, të ndryshuar,

gj) pensioneve të pleqërisë të punonjësve të minierave në nëntokë, të caktuara me ligjin nr.150/2014, datë 6.11.2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”; 

h) trajtimeve të veçanta financiare të caktuara sipas ligjit nr.9179, datë 29.1.2004, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake”;

i) pensioneve suplementare të caktuara sipas ligjit nr.10139, datë 15.5.2009, “Për pensionet shtetërore suplementare të punonjësve të universiteteve, të shkollave të larta, Qendrës së Studimeve Albanologjike, Akademisë së Shkencave dhe të gjitha institucioneve të tjera kërkimore publike në Republikën e Shqipërisë, të cilët kanë tituj shkencorë”;

j) pensioneve suplementare të caktuara sipas ligjit nr.8097, datë 21.3.1996, “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”, të ndryshuar.

2. Indeksimin, sipas përcaktimeve të pikës 1, të këtij vendimi, e përfitojnë edhe pensionet të cilat caktohen nga data 1.8.2015 e në vazhdim, me kusht që data e fillimit të pensionit të jetë deri më 31.7.2015, përfshirë edhe këtë datë.

3. Pensionet e plota të pleqërisë, pensionet e plota të invaliditetit dhe pensionet e plota familjare, të caktuara në mbështetje të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me përjashtim të pensioneve të caktuara në përputhje me paragrafin e katërt, të nenit 96, të këtij ligji, si dhe pensionet e pleqërisë të punonjësve të minierave në nëntokë, të caktuara me ligjin nr.150/2014, datë 6.11.2014, që kanë datë fillimi deri më 31.12.2014,  pas datës 1.8.2015 nuk do të jenë më pak se 12 436 (dymbëdhjetë mijë e katërqind e tridhjetë e gjashtë) lekë në muaj dhe më shumë se 24 872 (njëzet e katër mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e dy) lekë në muaj.

4. Pensionet e plota të pleqërisë, pensionet e plota të invaliditetit dhe pensionet e plota familjare, të caktuara në përputhje me paragrafin e katërt, të nenit 96, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me datë fillimi nga 31.12.2014 e në vazhdim, nuk do të jenë më pak se 8 516 (tetë mijë e pesëqind e gjashtëmbëdhjetë) lekë në muaj, por jo më shumë se 12 436 (dymbëdhjetë mijë e katërqind e tridhjetë e gjashtë)  lekë në muaj.

5. Pensionet e parakohshme, të caktuara sipas ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, të ndryshuar, me datë fillimi nga 1.8.2015 e në vazhdim, nuk do të jenë më pak se 12 436 (dymbëdhjetë mijë e katërqind e tridhjetë e gjashtë) lekë në muaj.

6. Përfituesit e pensioneve dhe të të ardhurave, të caktuara sipas ligjeve nr.4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”; nr.4976, datë 29.6.1972, “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë”; nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe nr.150/2014, datë 6.11.2014, me datë të fillimit të pensionit deri më 31.12.2014, përfshi edhe këtë datë, edhe pas indeksimit të pensionit të caktuar sipas përcaktimeve të pikës 1, të këtij vendimi, do të vazhdojnë të marrin kompensimin e çmimeve dhe kompensimin e të ardhurave mujore, sipas kritereve dhe masës së përcaktuar në vendimet e Këshillit të Ministrave nr.138, datë 31.3.1994, “Për kompensimin e shpenzimeve nga ndryshimi i çmimit të energjisë elektrike dhe lëndëve djegëse”; nr.471, datë 15.7.1996, “Për kompensimin nga ndryshimi i çmimit të bukës, vajgurit dhe gazit të lëngshëm”;  nr.401, datë 21.6.2006, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionisteve”; nr.763, datë 27.12.2006, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensioneve”; nr.415, datë 27.4.2009, “Për rritjen e pensioneve”; nr.477, datë 30.6.2010, “Për rritjen e pensioneve”, dhe nr.17, datë 20.1.2007, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve të fshatit”.

7. Përfituesit e pensioneve të parakohshme sipas ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me datë fillimi deri më 31.7.2015 përfshi edhe këtë datë, edhe pas indeksimit të pensionit të caktuar sipas përcaktimeve të pikës 1, të këtij vendimi, do të vazhdojnë të marrin kompensimin e çmimeve dhe kompensimin e të ardhurave mujore, sipas kritereve dhe masës së përcaktuar në vendimet e Këshillit të Ministrave nr.138, datë 31.3.1994, “Për kompensimin e shpenzimeve nga ndryshimi i çmimit të energjisë elektrike dhe lëndëve djegëse”; nr. 471, datë 15.7.1996, “Për kompensimin nga ndryshimi i çmimit të bukës, vajgurit dhe gazit të lëngshëm”;  nr.401, datë 21.6.2006, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionisteve”; nr.763, datë 27.12.2006, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensioneve”; nr.415, datë 27.4.2009, “Për rritjen e pensioneve”, dhe nr.477, datë 30.6.2010, “Për rritjen e pensioneve”.

8. Kompensimet për të ardhura mujore minimale, në masën dhe kriteret e përcaktuara në vendimet e Këshillit të Ministrave nr.401, datë 21.6.2006, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve”; nr.763, datë 27.12.2006, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensioneve”; nr.415, datë 27.4.2009, “Për rritjen e pensioneve”; nr.477, datë 30.6.2010, “Për rritjen e pensioneve”, dhe nr.17, datë 20.1.2007, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve të fshatit”, do t’i marrin edhe ata persona që do të përfitojnë pensione me datë fillimi deri më 31.12.2014, me kusht që shuma e pensionit mujor plus kompensimin e të ardhurave, pas indeksimit të pensioneve sipas pikës 1, të këtij vendimi, të jetë:

a) deri në 14 086 (katërmbëdhjetë mijë e tetëdhjetë e gjashtë) lekë në muaj, për pensionet e pleqërisë, përfshirë edhe ato të caktuara me ligjin nr.150/2014, datë 6.11.2014;

b) deri në 13 586 (trembëdhjetë mijë e pesëqind e tetëdhjetë e gjashtë) lekë në muaj, për pensionet e invaliditetit dhe pensionet familjare;

c) deri në 9 206 (nëntë mijë e dyqind e gjashtë) lekë në muaj, për pensionet e pleqërisë, invaliditetit dhe pensionet familjare të caktuara sipas paragrafit të katërt të nenit 96, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

9. Kompensimet për të ardhura mujore minimale, në masën dhe kriteret e përcaktuara në vendimet e Këshillit të Ministrave nr.401, datë 21.6.2006, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve”; nr.763, datë 27.12.2006, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensioneve”; nr.415, datë 27.4.2009, “Për rritjen e pensioneve”; dhe nr.477, datë 30.6.2010, “Për rritjen e pensioneve”, do t’i marrin edhe ata persona që do të përfitojnë pensione të parakohshme sipas ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, me datë fillimi deri më 31.7.2015 e në vazhdim, me kusht që shuma e pensionit mujor të parakohshëm plus kompensimin e të ardhurave të jetë deri në 14 086 (katërmbëdhjetë mijë e tetëdhjetë e gjashtë)  lekë në muaj.

10. Pas datës 1.8.2015 të ardhurat minimale:

a) të personave që përfitojnë pensionet e plota të pleqërisë (përfshirë edhe ato të caktuara me ligjin nr.150/2014, datë 6.11.2014),  përjashtuar ato të caktuara sipas paragrafit të katërt, të nenit 96, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe kompensime vetjake, me datë fillimi deri më 31.12.2014, nuk mund të jenë më të ulëta se 14 586 (katërmbëdhjetë mijë e pesëqind e tetëdhjetë e gjashtë) lekë në muaj;

b) të personave që përfitojnë nga pensionet e caktuara sipas ligjit nr.4976, datë 29.6.1972, “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, dhe sipas paragrafit të katërt, të nenit 96, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe kompensime për çmimin e energjisë elektrike e për të ardhurat, nuk mund të jenë më të ulëta se 9 406 (nëntë mijë e katërqind e gjashtë) lekë në muaj dhe më të larta se 12 636 (dymbëdhjetë mijë e gjashtëqind e tridhjetë e gjashtë) lekë në muaj;

c) të personave, që përfitojnë pensione të parakohshme për vjetërsi shërbimi, sipas ligjit ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, të ndryshuar, dhe kompensime vetjake, nuk mund të jenë më të ulëta se 14 586 (katërmbëdhjetë mijë e pesëqind e tetëdhjetë e gjashtë) lekë në muaj.

11. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, në shumën 568 000 000 (pesëqind e gjashtëdhjetë e tetë milionë) lekë, përballohen nga fondi i kontingjencës, i parashikuar në buxhetin e shtetit të vitit 2015 dhe ndahen përkatësisht:

a) 554 000 000 (pesëqind e pesëdhjetë e katër milionë) lekë, për mbulimin e pagesave të pensioneve; 

b) 14 000 000 (katërmbëdhjetë milionë) lekë, për procedurat teknike të zbatimit të këtij vendimi dhe për pagesën e komisioneve të shërbimit të pagesave të pensioneve nga Posta Shqiptare, sh.a.

12. Ngarkohen Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Posta Shqiptare, sh.a., për të nxjerrë udhëzues teknikë për zbatimin e këtij vendimi.

V E N D O S I:

1. Indeksimin në masën 15.6 për qind të shpërblimit të veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar, i përcaktuar në vendimin nr.190, datë 3.5.1995, të Këshillit të Ministrave, “Për zbatimin e ligjit nr.7874, datë 17.11.1994, “Për statusin e veteranit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar”, të ndryshuar”, duke arritur vlerat e mëposhtme:

a) Shpërblimi sipas shkronjës “a”, të pikës 7, nga 3 383 lekë bëhet 3 911  lekë në muaj.

b) Shpërblimi sipas shkronjës “b”, të pikës 7, nga 2 709 lekë bëhet 3 132 lekë në muaj.

c) Shpërblimi sipas shkronjës “c”, të pikës 7, nga 2 255 lekë bëhet 2 607 lekë në muaj.

ç) Shpërblimi sipas shkronjës “e”, të pikës 7, nga 676 lekë bëhet 781 lekë në muaj.

d) Shpërblimi sipas pikës 8/1 (për kohën e vuajtjes në burg mbi 6 muaj), nga 1 127 lekë bëhet 1 303 lekë në muaj.

 dh) Shpërblimi sipas pikës 8/2 (për kohën e vuajtjes në burg nga 1 deri në 6 muaj), nga 678 lekë bëhet 784 lekë në muaj.

e) Shpërblimi sipas shkronjës “a”, të pikës 9, nga 3 383 lekë bëhet 3 911 lekë në muaj.

ë) Shpërblimi sipas shkronjës “b”, të pikës 9, nga 2 255 lekë bëhet 2 607 lekë në muaj.

f) Shpërblimi sipas pikës 11 nga 1 127 lekë  bëhet 1 303 lekë në muaj.

2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përllogariten në shumën 16 600 mijë lekë dhe përballohen nga fondi i kontingjencës, të parashikuara në buxhetin e shtetit për vitin 2015.

3. Ngarkohet Instituti i Sigurimeve Shoqërore për të nxjerrë udhëzimet përkatëse teknike për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1.8.2015.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Vdes nëna dhe 2 fëmijët e saj në Korçë, zjarr në banesë
Komisariati Dixhital gabon sërish, nuk konstaton shkeljen e denoncuar nga qytetari »
Article Logic
Execution time: 0.015032052993774
array(1) { ["section"]=> string(67) "rriten-pensionet-me-1-4-ja-kush-jane-kategorite-qe-perfitojne-16800" }