Rruga e Kombit e papërfunduar, rrezikohet rritja e kostos së koncesionit, Ministria: S’do ketë fonde shtesë

Publikuar tek: ekonomi, më 15:13 16-08-2017 Rruga e Kombit e papërfunduar, rrezikohet rritja e kostos së koncesionit, Ministria: S’do ketë fonde shtesë

Aplikimi i pagesës në Rrugën e Kombit, si rezultat i dhënies së saj me koncesion do të vonohet më shumë se parashikimet në kushtet e tenderit, për shkak se një inventar që po kryhet për dorëzimin e objektit ka nxjerrë në pah se disa punime të kontraktuara nga qeveria shqiptare nuk kanë përfunduar, çka mund të rrisë më tej koston e koncesionit edhe me mbi 70 mln euro.

Burimet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar pohuan se, është ngritur një grup pune me përfaqësi të Ministrisë së Transportit dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar që po negocion kontratën me kompaninë koncesionare “Catalyst”, me asistimin edhe të një kompanie te huaj.

Burimet e Monitor në ARRSH pohuan se nga verifikimet në terren janë vërejtur disa dëmtime dhe investime të munguara. Mungojnë disa skarpata anës rrugëve dhe nga ana tjetër ka shumë dëmtime në hyrje-daljet e autostradës të paautorizuara, të cilat i bëjnë të pamundur koncesionarit të fillojë zbatimin e kontratës.

Këto gjetje dhe punimet e tjera të kontraktuara, por të parealizuara duket se do të sjellin në terma të tjera financiare faturën e koncesionit.

Në ofertën ekzistuese të Catalyst, 43,409,518 euro është investimi fillestar dhe në vazhdimësi në mirëmbajtje dhe operim të rrugës në shumën 217,562,056 euro për 30 vitet në vijim.

Mirëpo të njëjtat burime pohojnë për Monitor se kostoja e punimeve të munguara do të jetë mbi 70 milionë euro. Palët janë në negociata që shuma e punimeve të munguara me gjasë do të transferohet tek koncesionari duke i akorduar fonde shtesë. Megjithatë, burime nga Ministria e Transporteve pohuan se nuk ka mundësi të akordohen fonde shtesë, pasi kjo të kërkonte rishikim të kontratës.

Në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar, Komisioni i Prokurimit Publik e shpalli përfundimisht bashkimin e kompanive shqiptare nën emrin “Catalyst” fituese të koncesionit, duke rrëzuar një vendim të mëparshëm të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në Ministrinë e Transportit që kishte shpallur fitues kompanive turke “Vendeka”.

Në  fund të vitit 2016, në buletinin e radhës, APP i kërkon konsorciumit Catalyst thuhet se brenda 60 ditëve duhet të ekzekutohet marrëveshja e koncesionit çka për qytetarët do të thotë se rruga do të bëhet me pagesë. Por afati i aplikimit të pagesës është shtyrë së paku me gjashtë muaj si rezultat i problematikës që është krijuar me inventarët e punimeve në rrugë.

Përveç taksave që do të paguajnë qytetarët (5 euro për makinë) buxheti i shtetit do të paguajë në 13 vitet e para të koncesionarit të paktën 65 milionë euro, shumë që është zbardhur në raportin e zgjeruar të Komisionit të Prokurimit Publik, ku ka shqyrtuar ankesën e grupimit “Catalyst Viba Das General Constractin LLC&Salillari shk& BEE Tech” & Viplap Ateve & Kastrati sha, për skualifikimin nga gara për koncesionin e mirëmbajtjes së autostradës Milot – Morinë./Monitor/

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.021619081497192
array(1) { ["section"]=> string(110) "rruga-e-kombit-e-paperfunduar-rrezikohet-rritja-e-kostos-se-koncesionit-ministria-s-do-kete-fonde-shtese-89268" }