Ministri i Mbrojtjes, Sandër Lleshaj nuk e ka hedhur poshtë mundësinë që në zgjedhjet e 25 prillit të qarkullojnë lekë të pista, të akomuluara nga aktivitetete kriminale.
Megjithatë, në një intervistë në "Abc", Lleshaj u shpreh se lufta me aktivitetin e paligjshëm është në nivele maksimale, teksa shtoi se nuk e parashikon të ardhmen e tij në kabinetin qeveritar pas zgjedhjeve të prillit.
"Këtë garanci nuk mund ta jap unë sepse përderisa nuk janë sekuestruar janë në qarkullim. Ne do kontribuojnë në luftën kundër krimit. Ne kemi garancinë se niveli i luftës kundër krimit është në nivelin më të lartë siç nuk e kemi pasur asnjëherë. Sot më shumë se kurrë kemi njësi të specializuara. Unë e kam thënë që nuk do jem përgjithmonë në këtë post. Nuk mund të bëj plane. Në jetën time nuk kam marrë kurrë një detyrë që e kam aspiruar. Unë nuk bëj plane. I vetmi plan që bëj është të ndjek disa parime të rëndësishme dhe mbërrij aty ku dua të mbërrij. Ky është i vetmi plan që bëj".
Ndërkohë, Lleshaj ka sqaruar konfliktin me deputetin Myslim Murrizi, të cilit iu drejtua me frazën "Polic ke qenë dhe polic do mbetesh”.
"Ka lidhje me CV e personit që ka qenë pjesë e policisë. Ja thashë se ka qenë pjesë e policisë financiare. Kam kërkuar ndjesë por është keqkuptuar. Zotëria ka qenë pjesë e policisë," përfundoi Leshaj.