Sa duhet të paguajmë të na e lini parkun?

Publikuar tek: analiza-komente, më 18:37 20-02-2015 Sa duhet të paguajmë të na e lini parkun?

E hëngrët, u pasuruat dhe e kafshuat deri në kafshatë të fundit këtë qytet. Ajo që kërkoni të hani tani është zemra dhe mushkëria e qytetit. Është turpi me bukë që duhet të hamë të gjithë nesër para brezave që do vijnë, para fëmijëve tanë, si hajdutë të së ardhmes, hajdutë të hapësirave dhe vrasës të parkut. Dhe për këtë do mbahemi mend gjatë. Do mbahemi mend më shume se një hajdut parash, një hajdut profesionist a kriminel. Ne do jemi ata që shkulën pemët dhe mbollën betonin, zhdukën hapësirat dhe i bënë letra në bankë.

Është turpi i të përballurit nesër me brezat si barbarë të gjelberimit, mjedisit dhe hapësirës, tre gjera që s’i mbulon dot me një shkelje syri, as me një psherëtimë, eh mor bir… Ne po ju heqim atyre të drejtën nesër të zgjerojnë parkun me një ambient sportiv, me një park tjetër të kuruar, me një kënd lojërash për fëmijët. Do mbahemi mend për ata që s’ditën të respektojnë veten dhe jo më të ardhmen, për faktin se jemi hajdutë parqesh dhe veprojmë si të këtillë. Po vjedhim gjënë më të shtrenjtë që do i duhet këtij qyteti, pasi pushteti të dali nga verbëria, hapësirën pranë një parku dhe më pas parkun.

Dihet sa para fitoni nga ndërtimet poshtë digës, dihet si do ndahen, dihet ku do shkojnë, për të ndërtuar e vënë prapë para. Po as 10 vetë nuk bëheni, sa lek do ju duhen? Ku do i çoni? Na thoni ne qytetarëve që parkun kemi të vetmen pasuri që mund ti lëmë fëmijëve sa lek ju detyrohemi të na e lini parkun??? Ta paguajmë ne që e duam parkun park.

Ju lutemi si qytetari qytetarit, mos e çoni deri në fund barbarinë e hapësirave në park! Sot jeni të pangopur, nesër do jeni të mbingopur e do villni vet mbi ato pallate.

Pse të mos e blej qeveria atë hapësirë të gjithën dhe ta bëjë pjesë të parkut? Kemi paguar 7 mijë lek të reja për një rrugë që u vodh disa herë, ndoshta do paguanim më lehtë një taksë për zgjerimin e parkut, për një kënd më të madh sportiv a një kënd lojërash për fëmijët!

Zoti Kryeministër, mbas disa vitesh do vini dhe te Tirana e Re me çizme veshur, ndihma ngarkuar, ndoshta pa bageti dhe refrenin e zakonshëm në raste përmbytjesh, eh po vuajmë atë që i kemi bërë mjedisit këto 20 vite…!!!

Qartë ju i keni borxhe ndërtuesve, por jo ne! Është më mirë ti shlyeni borxhet atyre dhe të ruajmë parkun sesa ta paguajmë me të ardhmen e brezave që do të vijnë!

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.070054054260254
array(1) { ["section"]=> string(45) "sa-duhet-te-paguajme-te-na-e-lini-parkun-3985" }