Gjatë Samitit të Ballkanit Perëndimor që po mbahet në Poznan të Polonisë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka zhvilluar një takim bilateral me kryeministren e Britanisë së Madhe, Theresa May.
Haradinaj ka falenderuar kryeministren May për mbështetjen që Britania e Madhe i ka dhënë Kosovës në kohët e saj më të vështira dhe në proceset e shtetndërtimit.
Gjatë një postimi në rrjetin social Facebook, Haradinaj bëri me dije se falenderoi kryeministren May edhe për qëndrimin e palëkundur të Britanisë së Madhe kundër idesë për ndryshimin e kufijve dhe këmbimin e territoreve të Kosovës.
Në takimin me kryeministrin Haradinaj, May theksoi se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë mbështetjen për Ballkanin në proceset integruese dhe në krijimin e një stabiliteti ekonomik dhe të sigurisë.
Postimi i plotë:
Takim bilateral me kryeministren e Britanisë së Madhe, Theresa May, në kuadër të Samitit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në Poznan të Polonisë. Kryeministren May e njoftova për zhvillimet politike në Kosovë, duke shprehur vendosmërinë tonë për fuqizimin e partneritetit bilateral mes dyja vendeve dhe duke kërkuar mbështetje në proceset rajonale, veçmas në finalizimin e dialogut me Serbinë, konkretisht në arritjen e një marrëveshjeje finale, me njohje reciproke në kufijtë ekzistues. Falënderova Kryeministren May për qëndrimin konsistent të Britanisë së Madhe kundër idesë për ndryshim kufijsh dhe këmbim territoresh, si dhe për ndihmen e vazhdueshme që Mbretëria e Bashkuar ka dhënë për fuqizimin e sundimit të ligjit, avancimin e administratës publike dhe zhvillim ekonomik në Kosovë.
RH