Se jemi njerëz, dreqi ta hajë!

Publikuar tek: fcb-bomb, më 13:12 31-10-2018 Se jemi njerëz, dreqi ta hajë!

NGA ZEFINA HASANI

 

Një histori amerikane, që mbartet që prej 1937-ës, kur u realizua e u shfaq në kinema i pari version i filmit “A star is born” dhe një rrëfenjë edhe më e vjetër, ruse, e 1898-ës, “At Sergi”, e zbërthyer në ndjesi rrënqethëse, siç ka ditur ta bëjë vetëm Leon Tolstoi, ndërsa zgjodha të shkoj, javën e kaluar, edhe në kinema edhe në teatër, më zhytën në ato kohët kur njeriu dhe shpirti i tij kishin të tjera dimensione e thellësi.

Njëri (filmi) ishte padiskutim prodhim gjigand hollivudian, i Bradley Cooper, ndërsa tjetri (teatri) krejt tjetër gjë, një krijim shumë më i brishtë dhe i vogël, por ama i konceptuar mbi një tekst të madh, punuar me shumë kujdes, dashuri, pasion e sakrificë nga regjisori i njohur kosovar Fatos Berisha dhe producentja (gazetare) Kozeta Kurti.

Të ndara vetëm në tre- katër ditë prej njëri- tjetrit, historitë pavarsisht se nga ku, nga kush e me ç’përmasa më erdhën para syve, s’di pse mu lidhën në një pikë: tek njeriu që ç’nuk provoka e provokoka në jetë. Edhe dashurinë, edhe vdekjen, edhe vetëvrasjen, edhe zhgënjimin, edhe humbjen edhe mëkatin e pendesën apo çlirimin pas tij; tek njeriu që as vetë nuk e di kurrë se çfarë është e çfarë do në këtë jetë; tek njeriu që sot në fakt vëshitrë se mund të jetë aq vetëmohues sa At Sergi e Xheksoni.

U ndjeva sa mirë aq dhe ligsht në ato hone ku më hodhi secili prej tyre, e ku çdo qënie e gjallë mund t’i dorëzohet njëmijë e një ndjesive, të cilat duket sikur na janë venitur e djerrur fare, apo më keq akoma, sikur ne vetë i strukim me zor, që të mos na i marrin për dobësi, në këtë botën sipërfaqësorë ku po vrapojmë e po përplasemi me gjëra e marrëdhënie nga më absurdet, ku veç për ndenja më duket se s’bëhet më fjalë.

Unë vetë nuk munda të qaj, me filmin, ashtu siç bënë gjysma e vajzave dhe grave në kinema. As nuk munda të psherëti aq thellë sa gjysma e sallës së vogël të teatrit eksperimental por më duhet ta pranoj u preka dhe u kapërdiva, s’di prej cilës prej njëmijë e një ndjesive që më mbërthyen. Ishte kënga e fundit e Elit (Lady Gaga) tek “A star is born” dhe përgjërimet e nënës (Rovena Lules) nën këmbët e të birit të kthyer në shtëpi, gjysëm i gjallë e gjysëm i kallur, tek “At Sergi” që më ngacmuan e më depërtuan përtej mburojës që unë i ve vetes në të tilla raste.

Ndërkaq ngashërimi masiv më bëri të kuptoj se të gjithë dashkemi ndonjëherë të ikim prej sipërfaqes, paskemi nevojë për atë lloj thellësie ku të hedhin histori të tilla dashurish njerëzore, pavarsisht dramave që sjellin ato nga pas, apo pavarsisht kur ato të duken skematike apo dhe me funde ekstreme.

Një burrë (Xhekson - artist) i dha fund jetës, që më shumë se për veten nuk i duhej më për vajzën (Eli), me të cilën u dashurua marrëzisht. Pasi e zbuloi dhe e promovoi në rrjedhën e stilin e tij artistik, vendosi të ikë, në emër të dashurisë dhe sakrificës që duhej të bënte për të. Karriera e saj ishte e pashmangshme po aq sa dhe rrënimi i tij, në një realitet, të cilin ai nuk e pranonte e si rrjedhojë as nuk i përkiste dot. Ai zgjodhi të mos bëhej pengesë të paktën për të, vetëm kështu, duke mos ekzistuar më.

Një burrë tjetër (Kasatzki- ushtarak i suksesshëm), në vend të varjes me litar zgjodhi një vdekje ndoshta edhe më të rëndë, syrgjynosjen, izolimin si murg. I zhgënjyer nga tradhëtia e gruas që deshi aq fort, vendosi të përplasej dhimbshëm me vetminë dhe botën boshe që se kishte më shkëlqimin e luksin që dikur ja dëshironte aq shumë.

Ata u dorëzuan për hir të një dashurie por dhe prej dramave personale, trazirave e komplekseve që krijohen prej tyre. A duket kjo një dobësi, një marrëzi, një budallallëk? Në kohët e tyre jo. Sot duket që ç’ke me të. Ama është një marrëzi që na shkund, për të na kujtuar se dikur ndjenjat ishin më të vërteta e si të tilla edhe më fatale. Një marrëzi që thellë - thellë po e duam, se në fund të fundit jemi njerëz, dreqi ta hajë!

45068883_10156666300574847_4647184700517908480_n (1).jpg

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.015326976776123
array(1) { ["section"]=> string(35) "se-jemi-njerez-dreqi-ta-haje-139731" }