Seancë e jashtëzakonshme për Vetingun - nesër zgjidhje surprizë?!

Publikuar tek: aktualitet, më 21:36 05-03-2017 Seancë e jashtëzakonshme për Vetingun - nesër zgjidhje surprizë?!

Debati më i rëndësishëm politik në ditët e fundit është përqëndruar tek reforma në drejtësi, veçanërisht tek seanca e jashtëzakonshme parlamentare e së hënës kur do të votohet ngritja e Komisioneve ad-hock që zgjedh anëtarët e institucioneve të vettingut. Spartak Ngjela thotë se bojkoti i opozitës nuk e bllokon proçesin, duke argumentuar se vendet vakante mund ti plotësojë PDIU, e cila rezulton e regjistruar në koalicion opozitar në KQZ. PD hedh poshte kategorikisht këtë mundësi, ndërsa përfaqësues të mazhorancës në Komisionin e posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi, pranojnë se ekzistojnë hapësirat kushtetuese.

Të hënën në orën 18:00, parlamenti do të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme për ngritjen e Komisionit ad-hock, që  miraton anëtarët e institucioneve të vettingut, prej listës së dorëzuar nga Avokati i Popullit dhe kontrolluar nga operacioni ndërkombëtar i monitorimit.

Bojkoti parlamentar i opozitës ngriti një debat  në qoftëse proçesi i reformës në drejtësi është bllokuar apo mund të gjenden hapësira kushtetuese për çuarjen përpara të proçesit vettingut i vlerësuar si më i rëndësishmi për këtë reformë. Kushtetuta e miratuar me konsensus mesnatën e 21 dhe 22 korrikut, përcakton në nenin c të saj:

“Brenda tre ditëve nga marrja e listës së kandidatëve, të cilët i plotësojnë kriteret formale, listës së kandidatëve, të cilët nuk i plotësojnë kriteret formale dhe listës së rekomandimeve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Kuvendi krijon një komision ad-hoc me gjashtë anëtarë të ndarë në mënyrë të barabartë midis shumicës dhe pakicës parlamentare”.

Por në kushtet e bojkotit të Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj, ky proçes mund të zhbllokohet?!

Ish-Ministri i Drejtësisë, juristi i njohur Spartak Ngjela, bën këtë intërpretim kushtetues, duke theksuar se PDIU mund të plotësojë vendet vakante pasi rezulton e regjistruar në koalicionin opozitar në zgjedhjet e 2013-ës.

Ngjela: Nesër vetting  si normë kushtetuese, s’është i bllokuar, dhe nuk mund të bllokohet për faktin që një pjesë e opozitës nuk do që të marr pjesë në kuvend. Shumë e thjeshtë : praktikisht këtë të drejtë do ta shfrytëzojë plotësisht PDIU, por, edhe ata opozitarë  të tjerë që do jenë në aulën e Parlamentit dhe që nuk jan regjistruar  në KQZ në koalicionin e mazhorancës qeverisëse. PDIU është humbëse në zgjedhjet elektorale të vitit 2013. Domethënë është opozitare, deri atëherë kur ajo nuk është shrregjistruar nga një koalicion  dhe ka bërë marrëveshje parlamentare me mazhorancën aktuale për pozicionin juridik të deputetëve të sajë në Parlament.

Hapësira kushtetuese pranohet dhe nga perfaqësuesit e mazhorancës në Komisionin Parlmentar për reformën në drejtësi, ndërsa konfirmojnë për Ora News, se ende nuk ka një diskutim të tillë.

Por theksojnë vendosmërinë e partnerëve të SHBA dhe BE  për zbatimin e Kushtetutës për vettingun.

Lu: SHBA dhe unë personalisht ndajmë disa nga synime e protestës aktuale, thirrjen për zgjedhjet e lira dhe të ndershme, dekriminalizimin, veprime më vendimtare kundër narkotikëve. Ajo që nuk ndajmë janë disa nga metodat: bojkoti i parlamentit, çfarëdo kërcënimi për të bllokuar apo bojkotuar zgjedhjet, bllokimi i reformës zgjedhore apo zbatimi i reformës në drejtësi. Sipas mendimit tim, persona seriozë nga e majta dhe e djathta duhet të kryejnë një dialog serioz lidhur me mënyrën për t’i bërë disa gjëra konkrete për të çuar përpara zgjedhje të lira dhe të ndershme, dekriminalizimin dhe luftën kundër narkotikëve. Mendoj se çadra mund të jetë pozitive nëse shohim përparim me synimet. Çadra mund të jetë negative nëse shohim vetëm metodat, pra bojkotimi i parlamentit apo prishja e zgjedhjeve.

Por burimet pranë Partisë Demokratike hodhën poshtë mundësinë që vendet vakante në Komisionin ad-hock,  mund të plotësohen nga Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet,  duke theksuar se ajo është pjesë e mazhorancës dhe përfaqësohet në kabinetin qeveritar. /Oranews.tv

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « “Transport kafshëror i artefakteve arkeologjike të gjetura në Durrës”
Peshkatari rrezikon të mbytet në liqenin e Pogradecit, shpëtohet nga policia »
Article Logic
Execution time: 0.011070966720581
array(1) { ["section"]=> string(67) "seance-e-jashtezakonshme-per-vetingun-neser-zgjidhje-surprize-70865" }