Kreu i bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdini nuk është vetëm në fushatë. Sot paradite në zyrën e tij në bashki u mblodhën bashkë me Komisionin Qytetar dhe stafin e bashkisë për buxhetin e vitit 2015. Kjo traditë e Bashkisë së Elbasanit bëhet me synimin e një transparence sa më të madhe për qytetarin, por edhe për të parë nevojat më emergjente për investime.
Përfaqësuesit e Komisionit qytetar u interesuan për ecurinë e investimeve të vitit të kaluar dhe projektet për të ardhmen.
Komisioni Qytetar dhe përmes tyre, të gjithë qytetarët u njohën me punën që tashmë filluar për ndërtimin e Landfillit të ri, një nga investimet më të rëndësishme dhe më të shumëpritura për qytetin e Elbasanit. Brenda 14 muajve gjithçka do të jetë gati dhe qyteti nuk do të mbulohet më nga retë e tymit kancerogjen që çlironte fusha ekzistuese e grumbullimit të mbetjeve urbane. Gjithashtu komisioni u njoh me përfitimin e financimeve për dy projekte të tjera të paraqitura pranë FZHR. Këto projekte konsistojnë në rikonstruksionin e 100 fasadave të pallateve dhe në disa akse rrugore. Përfaqësuesit e këtij Organi Këshillues parashtruan edhe nevoja të tjera të qytetit dhe morën premtimin e angazhimit maksimal për çdo kërkesë të qytetarit.