Sejko: Fenomeni BREXIT nuk mund të kalojë pa lënë gjurmë në Shqipëri dhe në rajon

Publikuar tek: ekonomi, më 15:45 27-10-2016 Sejko: Fenomeni BREXIT nuk mund të kalojë pa lënë gjurmë në Shqipëri dhe në rajon

Gjatë ditës së sotme u zhvillua konferenca vjetore e bankës së Shqipërisë me temë “Harmonizimi i politikës monetare me stabilitetin financiar–objektivat, përgjigjet dhe ndërveprimi mes tyre në periudha pasigurie".

 

Në këtë konferencë ishin të pranishëm kryeministri Edi Rama, Guvernatori i Bankës Qendrore, Gent Sejko, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, përfaqësues të lartë të bankave qendrore, përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar e Banka Botërore, rrethet akademike në vend, përfaqësues të sistemit bankar e financiar etj.

Guvernatori Sejko theksoi dy temat kryesore, efektet e mundshme të daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian ose i ashtuquajturi fenomeni “Brexit”dhe përcaktimi i modaliteteve për koordinimin e politikës monetare me politikën dhe masat makroprudenciale, në realitetin e ri me të cilin po përballemi.

Gjatë fjalës së tij Sejko u ndal tek Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor në periudhën pas krizës.

“Kriza e fundit botërore ndikoi të gjitha dimensionet e aktivitetit njerëzor: atë ekonomik, atë financiar dhe atë shoqëror. Për nga madhësia e goditjes, nga kompleksiteti i sfidave dhe nga ndërvarësia e kanaleve të transmetimit, ajo ishte një krizë e paprecedentë gjatë dekadave të fundit. Ajo nisi si një turbullirë në segmente të caktuara të sistemit financiar, për t’u transformuar në një krizë të plotë të këtij sistemi dhe, shumë shpejt, u transferua në sektorin real. Kjo goditje solli humbje të mëdha në prodhim e punësim, reduktoi mirëqenien dhe testoi qëndrueshmërinë e modeleve të rritjes e të zhvillimit të shumë vendeve.

Vendet e Ballkanit Perëndimor nuk ishin në syrin e ciklonit të krizës botërore. Megjithatë, edhe pse në periferi të tij, efektet e krizës me kalimin e kohës u ndjenë të forta edhe në rajon. Rënia e kërkesës së huaj, rritja e pasigurisë, shtrëngimi i kushteve të financimit dhe tërheqja e fondeve të huaja nga rajoni, e frenuan aktivitetin ekonomik dhe evidentuan një sërë problemesh strukturore”.

Sipas Guvernatorit, të ndodhura në këtë situatë bankat qendrore u detyruan të eksplorojnë në territore të pashkelura. Politika monetare stimuluese mori një intensitet të paimagjinueshëm deri para disa vitesh. Në jo pak raste, kjo politikë u mbështet në përdorimin e instrumenteve jokonvencionale, të patestuara më parë, të cilat tashmë kanë një pretendim legjitim për t’u përfshirë në arsenalin e bankave qendrore.

"Ndonëse debatet mbi përshtatshmërinë dhe efikasitetin e instrumenteve të përdorura për përballimin e krizës vazhdojnë, është e padiskutueshme që në tërësinë e tyre këto instrumente arritën të shmangin më të keqen dhe gradualisht, të krijojnë premisa për rritje të mëtejshme të ekonomisë botërore, shtoi më tej gurvenatori.

Si një vend tipik i Ballkanit Perëndimor, Shqipëria ndodhet në një stad të ngjashëm zhvillimi.

Analizat dhe parashikimet tona konfirmojnë se ekonomia shqiptare ndodhet në një trend pozitiv. Rritja ekonomike pritet të vijë në përmirësim progresiv gjatë tre viteve të ardhshme. Kjo rritje vazhdon të ushqehet nga gjallërimi i kërkesës së brendshme private.

Politika monetare lehtësuese e ndjekur nga ana e Bankës së Shqipërisë, kushtet e përmirësuara të financimit dhe forcimi i besimit të agjentëve privatë vlerësohen si elementet kryesore që qëndrojnë pas këtij gjallërimi. Rikthimi gradual i ekonomisë në ekuilibër do të ndihmojë në përmirësimin tërësor të treguesve ekonomikë, me të cilët më konkretisht kam parasysh: rritjen e punësimit; kthimin e inflacionit në objektiv; reduktimin e borxhit publik; dhe forcimin e mëtejshëm të bilanceve financiare të sektorit privat.

Përshpejtimi i rritjes ekonomike në Shqipëri është dëshmi e dinamizmit të sektorit privat. Ky zhvillim është inkurajues, për vetë faktin se politika fiskale e ndjekur gjatë kësaj periudhe është fokusuar drejt kujdesit dhe shëndoshjes së financave publike, ndërkohë që politika dhe masat makroprudenciale të Bankës së Shqipërisë kanë synuar forcimin e mëtejshëm të stabilitetit financiar", -tha guvernatori.

Ndërsa përsa i përket Brexit, Sejko theksoi se ky fenomen do të ketë gjurmë dhe në Shqipëri.

“Brexit përbën pa dyshim një fenomen përcaktues për Bashkimin Evropian dhe Eurozonën. Si i tillë, ai nuk mund të kalojë pa lënë gjurmë në Shqipëri dhe në rajon. Ai mund të shoqërohet me efekte negative, direkte apo indirekte, afatshkurtra apo afatgjata, në tregjet e punës, të mallrave dhe të shërbimeve.

Përgjithësisht, efektet e drejtpërdrejta në Shqipëri dhe në rajon vlerësohen të jenë të vogla, pasi bashkëpunimi tregtar me Mbretërinë e Bashkuar është i ulët. Për ilustrim, eksporti i mallrave shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar përbën vetëm 0.2% të totalit gjatë dhjetë viteve të fundit, ndërsa pesha e importit është luhatur rreth nivelit 1.1%.

Raporte të ulëta paraqet edhe stoku i investimeve të huaja britanike në Shqipëri, ndërkohë që ndikimi në treguesit e emigrimit dhe të remitancave është disi më i lartë, por gjithsesi jopërcaktues”, tha ndër të tjera guvernatori Sejko.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.027902841567993
array(1) { ["section"]=> string(86) "sejko-fenomeni-brexit-nuk-mund-te-kaloje-pa-lene-gjurme-ne-shqiperi-dhe-ne-rajon-57578" }