Tre mjete lundruese dhe një transportues janë sekuestruar në Durrës, pranë bregdetit, gjatë një operacioni nga policia shqiptare në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.
8 persona janë shoqëruar në polici, ndërsa ditën e sotme një gomone e ngarkuar me drogë arriti t’i shpëtonte policisë por u arrestuan dy shtetas, makina e të cilëve u bllokua në rërë. Nuk dihet nëse edhe tre mjetet e bllokuara përdoreshin për transport droge, për këtë hetimet vijojnë.
Njoftimi i policisë
Më datë 16.12.2017, në lagjen Nr. 15, Spitallë, në afërsi të bregdetit nga kontrollet e ushtruara nga Policia Bregdetare dhe Policia Lokale janë gjetur dhe bllokuar 3 mjete dhe nje karel qe transporton mjete lundruese.
Në lidhje me ngjarjen më lart Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe Autoritetet Italiane vijojnë hetimet për sqarimin e situatës.
Në të gjithë vijën kufitare po ushtrohet kontroll i imtësishëm nga Policia Kufitare në bashkëpunim me Autoritetet Italiane Guardia Di Finanza, Frontex dhe policitë e vendeve fqinjë, për të evidentuar dhe bllokuar ndonjë mjet lundrues qe dyshohet se mund të jetë transportuar me karel deri në breg të detit ku dhe u sekuestruan mjetet dhe kareli.
Deri tani nga asnjë nga Policitë e përfshira në operacion nuk është konstatuar asnjë mjet lundrues.
Janë shoqëruar 8 shtetas dhe po punohet per zbardhjen e plotë të këtij rasti.