Sfida reale e Shqipërisë, kushtet e BE dhe kushtet plus që i krijojmë vetes

Publikuar tek: politike, më 11:10 21-09-2020 Sfida reale e Shqipërisë, kushtet e BE dhe kushtet plus që i krijojmë vetes

Nga Afrim Krasniqi

 

Në kulmin e pandemisë, në mars 2020 Bashkimi Evropian vendosi hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Vendimi kushtëzohej nga 6 kushte, plotësimi i të cilave sjell zhvillimin e konferencës së parë BE-Shqipëri. 6 muaj më vonë, në shtator 2020 BE është duke bërë vlerësimin e kushteve dhe në dhjetor nën presidencën gjermane pritet të ketë një vendim final lidhur me ecurinë e Shqipërisë. Vendimi i marsit ishte një shans për Shqipërinë dhe një “dhuratë” nga këmbëngulja e diplomacisë gjermane dhe e vendeve të tjera mike ndaj zërave skeptikë, të cilët ishin e janë ende në Paris apo qendra të tjera të rëndësishme evropiane.

Në respekt të debatit dhe interesit publik duhet theksuar se teza e Tiranës zyrtare, se vendimi ka qenë e është gjeopolitik dhe lidhet me raportet brenda BE, është absolutisht e pasaktë. E tillë është edhe teza e albanofobisë dhe e kushtëzimeve tek kapaciteteve tona. 6 kushtet e marsit janë lehtësisht të realizueshme dhe janë 100% në dorë të vullnetit politik vendimmarrës në Tiranë.

Konkretisht,

Zbatimi i reformës zgjedhore (1): nëse Shqipëria shkon në Berlin me paktin e Kodit Zgjedhor votuar më 23 qershor, Shqipëria e ka plotësuar kushtin dhe merr vlerësim pozitiv. Nëse qeveria shkon në Berlin duke thënë se miratuam ndryshimet konsensuale, pastaj ca ditë më vonë ndryshuam Kushtetutën për të përfituar privilegje ligjore para-elektorale, natyrisht nuk gjendet njeri përballë për ta pritur, për ta mirëkuptuar dhe as për ta votuar. Shqipëria ka pasur politikanë që kanë miratuar ligje specifike për të deformuar votën, kanë përdorur policinë e shtetin, por ky është rasti i parë kur ambicia e pushtetit sakrifikon Kushtetutën.

Lidhur me plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe të Lartë (2) Shqipëria nuk ka bërë progres, por në thelb, ngërçi aktual nuk është politik, por teknik dhe ligjor. Nuk ka kandidatë të aftë për poste, kriteret janë të forta, KED po vepron me vonesë, KLGJ është pasive dhe ironikisht, ndonëse për motive të kundërta është hera e parë kur PS, PD e Presidenti kanë interes për të pasur Gjykatë Kushtetuese funksionale. Efekti domino në vetting (vakanca në gjykatat e apelit apo administrative, vonesa e procesit, kritikat për dy standarde, etj), lidhen me integritetin e reformës në drejtësi, jo me rolin e aktorëve politikë. Përgjegjësia e qeverisë është se nuk ka përmbushur detyrimet mbështetëse ligjore, financiare, logjistike, etj, nga organeve të drejtësisë dhe se në tërësi politika ka qenë penguese ose influencuese në elementë të ndryshëm të reformën në drejtësi.

Vendimmarrjet e SPAK dhe BLH (3) vijojnë të jenë larg pritshmërive, por ngritja e tyre është në fazën finale. SPAK është 90% funksional, BKH ka një drejtor dhe po kërkon hetues përmes thirrjes publike. Janë dy investime me rëndësi, të cilat do të duhej të kishin aktet e para kundër korrupsionit (zyrtarë të lartë të djeshëm e të sotëm, dosje VIP). Ngritja e tyre është lajm i mirë, produktiviteti i tyre do të duhet të vihet në provë përpara fundit të vitit. Në këtë pikë qeveria dhe politika nuk kanë shumë për të bërë, thjesht të ndalin presionet publike ndaj (vendimmarrjes/agjendës) tyre.

Jetësimi i rekomandimeve për Planin e Veprimit (lufta ndaj pastrimit të parave) (4) kërkonte masa institucionale, masa administrative dhe masa teknike. Disa institucione kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi, është rritur kontrolli përmes sistemit bankar, ka nisma përmes KÇK, etj, që e bëjnë bilancin 6 mujor pozitiv. Shqetësim kryesor mbetet nisma për amnisti financiare, e cila shkon në krah të kundërt me kushtin e BE/Bundestag. Qëllimi është forcimi i bazës ligjore, jo legalizimi i parave informale jashtë sistemit.

Rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe paketa për median (5) ende janë në proces. Nga tri rekomandimet (nisma për Presidentin, institucioni i betimit, paketa për median), janë plotësuar dy, i treti vijon të jetë objekt debati e kontestimi publik. Vetë fakti që qeveria heziton të pranojë Venecian si bazë reference për ligjet e medias, tregon se interesi i saj paraelektoral për kontrollin e medias është më i madh sesa interesi publik për plotësimin e këtij standardi.

Së fundi, problemi i azilkërkuesve (6), në këtë fazë mund të quhet teknikisht i tejkaluar, pasi COVID-19 dhe mbyllja e kufijve pamundësoi lëvizje drejt BE dhe se Shqipëria vijon të presë të gjithë qytetarët e dëbuar nga vendet evropiane. Pasi situata të normalizohet mund të ndodh që problemi kthehet dhe kjo lidhet me sfidat e ardhshme të Shqipërisë.

Në aspektin e integrimit, prej marsit Shqipëria ka bërë vetëm një hap konkret, emërimin e negociatorit zyrtar, i cili, edhe pse ka krijuar përshtypjen se deri tani është më shumë negociator i qeverisë sesa i Shqipërisë me BE, përbën një masë që duhej ndërmarrë dhe mbetet vendim pozitiv. Por prej marsit 2020 dhe deri tani, në Tiranën politike (qeveri, parlament, jetën politike dhe publik) nuk ka pasur asnjë debat serioz lidhur me integrimin dhe kushtet e BE, as takime cilësor koordinimi dhe as ndonjë produkt institucional, duke krijuar idenë se integrimi nuk është prioritet në axhendë, se Tirana zyrtare nuk e ka seriozisht angazhimin për të dhe se publiku nuk e ndjen sa duhet impaktin që mund të ketë në të ardhmen e vendit.

Nga ana tjetër, disa mesazhe politike, si retorika e panevojshme dhe e pa kërkuar mbështetëse e Tiranës zyrtare ndaj qëndrimeve të Erdogan, vetë-viktimizimi, tendenca për të lobuar në kanale informale diplomatike dhe jo përmes transparencës e komunikimit institucional, ligjërimi denigrues ndaj figurave të njohura vendimmarrëse në Berlin, si dhe strategjia “duam paratë tuaja por jo këshillat tuaja” janë mëse të gabuara dhe tregues të diplomacisë amatore për një vend me kaq shumë probleme dhe gjithnjë në krizë e nevojë, si Shqipëria.

Shqipëria humbi edhe rolin që mund të kishte në kryesimin e OSBE duke dështuar të ofrojë konsensus e zgjidhje të problemeve brenda vendit dhe duke tentuar të dërgojë krizën dhe jo zgjidhjen në kancelaritë evropiane. Zgjedhjet e 2021 janë test serioz, por ende nuk ka garanci se standardet e tyre do të jenë më të larta sesa më 2017 dhe se gabimi i opozitës me mandatet dhe njësimi 100% i pushtetit nga një parti me 48% të votave, janë tregues i qartë i dështimit për të pasur progres në aspektin e demokracinë funksionale dhe përfaqësuese. Raportet kritike të TIA, FH, NT, WB etj, për rritje korrupsioni dhe rënie të treguesve cilësore të qeverisjes janë dosja tjetër përmes së cilës prezantohet Shqipëria në kancelaritë perëndimore dhe për të cilën zgjidhje nuk është asnjëherë injorimi dhe denigrimi i burimeve referuese, por përballja me to dhe ofrimi i zgjidhjeve.

Në dhjetor Shqipëria ka shansin të përfitojë nga presidenca gjermane nëse ka vullnet për të përmbushur detyrimet e mbetura dhe sidomos nëse nuk i krijon më probleme vetes (të tilla si ndryshimi i Kushtetutës, nisma e amnistisë apo refuzimi i KV për median). Tirana zyrtare e di, individët e përfshirë në brendësinë e procesit e dinë. Publiku ynë duhet ta dijë, procesi duhet të jetë transparent dhe presioni pozitiv nga poshtë meriton të jetë më i madh. Është e qartë se në Tiranë ka politikanë që duan të mos japin llogari për aktet e tyre abuzuese në Bruksel dhe as të jenë nën monitorim, por mbetet i qartë gjithashtu fakti se Shqipëria meriton progres, meriton më shumë BE dhe SHBA në Tiranë dhe kështu edhe më shumë kontroll mbi politikanët e saj abuzues. Është tragjike për një vend kaq pro evropian, të vijojë të humbë shanset dhe të mbahet peng nga një klasë politike kaq pak evropiane sa oligarkia jonë politike dhe të deleguarit e saj periodikë në institucione kushtetuese dhe publike.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0091559886932373
array(1) { ["section"]=> string(81) "sfida-reale-e-shqiperise-kushtet-e-be-dhe-kushtet-plus-qe-i-krijojme-vetes-221103" }