Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos pritet të lërë sot spitalin Evangelismos, ku ka qëndruar 12 ditë me radhë nën kurim pasi u prek nga covid-19, raporton newsbomb.al.
Lajmin e bënë të ditur vetë zyra e shtypit e spitalit grek, vendosur në Athinë, duke garantuar gjithë besimtarët se gjendja shëndetësore e Hirësisë së tij ështëe mirë.
“Do të lëshohet nga Spitali sot, pasi dymbëdhjetë (12) ditë shtrim në spital. Kryepeshkopi z. Anastasios pas daljes së tij nga spitali, do të mbetet në karantinë në shtëpi duke ndjekur të gjitha udhëzimet e përshkruara” thuhet në njoftimin e spitalit.
Në 11 nëntor, kryepeshkopi u dërgua me urgjencë drejt Athinës me një avion ambulancë të ushtrisë, edhe pse shfaqi simptoma të lehta, raporton newsbomb.al.
Kryepeshkopi 91 vjeçar, në qershor të këtij viti iu nënshtrua edhe një ndërhyrjeje në zemër.
Edhe pse nuk do të kthehet menjëherë në Shqipëri por do të vazhdojë karantinën në shtëpinë e tij në Athinë, ky është një lajm i gëzuar për besimtarët orthodoksë. /NEWSBOMB.AL/