Ministria e Kulturës e Malit të Zi do të dorëzojë padi kundër organizatorit të festivalit tradicional popullor “Logu i Tërgajës” në Cem të Malësisë.
Arsyeja e padisë është pasi në këtë festival është shfaqur flamuri kombëtar shqiptar, pa flamurin kombëtar të Malit të Zi.
“Meqë në tubimin e përmendur u shfaq flamuri i shtetit fqinj pa flamur kombëtar të Malit të Zi, lidhur me rastin në fjalë do të dorëzojmë padinë penale para organeve kompetente kundër organizatorit. Theksojmë se manifestimet e kulturës nuk mund të guxojnë të jenë paravan për çfarëdo lloj nacionalizimi, as për shkeljen e normave të cilat janë të përcaktuara qartë me dispozitat pozitive ligjore të Malit të Zi. Duke respektuar të drejtat e të gjithë qytetarëve të Malit të Zi, të cilët kultivojnë identitetin kulturor dhe kombëtar, me këtë rast edhe një herë theksojmë nevojën e respektimit të dispozitave ekzistuese ligjore, në mënyrë që të shmangen reagimet e ngjashme në të ardhmen. Sepse, ligjet e Malit të Zi duhet të jenë të njëjtë për të gjithë””, thuhet në deklaratën e ministrisë.
Ndërkohë, lidhur me këtë ka reaguar edhe nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Genci Nimanbegu dhe koalicioni që mban pushtetin në Komunën e Tuzit, Forumi Shqiptar.
“Jam i befasuar në mënyrë të pakëndshme. Ministria e Kulturës dhe punonjësit e saj absolutisht duhet ta dinë që ne, si popull shqiptar autokton në Mal të Zi, e kemi simbolin tonë kombëtar që sipas Kushtetutës kemi të drejtën e përdorimit të lirë, dhe gjithçka tjetër, për mendimin tim, është inicim i grindjeve me popullin tonë”, thuhet në reagimin e Nimanbegut.
“Për shqiptarët, padia juaj nuk do të thotë asgjë, por ju vetëm e keni njollos veten”,thuhet në kumtesën e Forumit Shqiptar.