Ish-prokurori i Elbasanit, Dritan Gina, i cili u lirua nga detyra një ditë më parë me urdhër të kryeprokurores së përkohshme, Arta Marku ka zbuluar më shumë detaje rreth shkarkimit të tij dhe të bashkëshortes Rovena Gashi disa ditë më parë.
Burrë e grua u shkarkuan me urdhër të Markut brenda dias ditësh.
Ditën e sotme Gina depozitoi pranë Krimeve të Rënda një kallëzim penal ndaj kryeprokurores me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.
Sipas tij shkarkimi i tij është një hakmarrje e Arta Markut ndaj bashkëshortes së tij, Rovena Gashi, e cila po ashtu e paditi në gjykatën Administrative tre ditë më parë kryeprokuroren, pasi e shkarkoi nga puna, ku mbante postin e drejtores për Marrëdhëniet me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme.
“Largimi im nga puna është hakmarrje për padinë e Rovena Gashit. Mbi gruan time ka patur presion e përndjekje dy javore”, mësohet të ketë theksuar Gina në aktpadinë prej 15 faqesh të depozituar ditën e sotme në gjykatë, duke shënuar kështu dy padi ndaj Arta Markut deri më tani.