Shkarkohet për shkelje të rënda Petrit Koshaj, me detyrë Drejtor i Policisë së Burgjeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve.
Mësohet se ka qenë Ministri i Drejtësisë Petrit Vasili i cili ka firmosur dje shkarkimin nga detyra të Petrit Koshaj me motivacion shkarkimi për shkelje të rënda.
Koshaj u prezantua më 17 dhjetor 2015 nga Ministri i Drejtësisë i atëhershëm Ylli Manjani. Petrit Koshaj ka kryer Shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej” dhe më pas, ka studiuar pranë Akademisë Ushtarake, dega Zbulim. Është trajnuar në fushën e policisë, si për luftën kundër terrorizmit në USA dhe në Rumani, për shërbimet e policisë dhe VIP Protection në Izrael dhe Angli etj.
Pas viteve ’90 ka punuar në Ministrinë e Brendshme me detyra të ndryshme dhe si pjesë e Forcave Speciale Renea. Në vitin 1998 ka mbajtur detyra të ndryshme pranë Drejtorisë së Shoqërimit të Personaliteteve, deri edhe drejtimin e këtij institucioni së fundmi. Ai ka një eksperiencë prej më shumë se 25 vitesh në struktura të ndryshme të policisë së shtetit. Zotëron shumë mirë gjuhën angleze dhe disa gjuhë të tjera. Petrit Koshaj është 55 vjeç, ka lindur në Vlorë dhe banon në Tiranë.