Shkëmbimi i territoreve Kosovë-Serbi, presidenti maqedonas Pendarovski: Ide e rrezikshme, ende nuk ka ‘vdekur’

Publikuar tek: rajon, më 21:30 29-10-2019 Shkëmbimi i territoreve Kosovë-Serbi, presidenti maqedonas Pendarovski: Ide e rrezikshme, ende nuk ka ‘vdekur’ Presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka deklaruar se ideja për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë mbetet e rrezikshme dhe nuk ka vdekur ende.

Pendarovski në një intervistë për RTSH-në tha se kjo ide vazhdon të diskutohet nga politikanë e ekspertë të rajonit.

‘Jo, ende jo [nuk ka vdekur ideja e shkëmbimit të territoreve]. Ju e dini që kjo ide erdhi publikisht nga nivelet më të larta të mundshme politike, erdhi nga ish-këshilltari për Sigurinë kombëtare i presidentit amerikan, z. John Bolton. Ai tashmë nuk është pjesë e administratës për arsye krejt të tjera, por aty-këtu dëgjoj njerëz nga rajoni, politikanë, ekspertë, që ende rreken me këtë ide’, ka thënë Pendarovski.

Presidenti maqedonas ka pohuar se mënyra për t’i bindur bashkëbiseduesit, Kosovën dhe Serbinë se kjo është një ide e rrezikshme, është se shpërndarja etnike e popullsisë në rajon nuk guxon të ndodhë pasi që ajo sjell efektin domino.

‘Së pari, nuk mund të ndjekësh shpërndarjen etnike të popullsisë në rajon. Nëse ti e nis diku, për shembull në Kosovë dhe do të vijosh pastaj me zona të tjera, çdokush e di që në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë në vetvete, ne jemi heterogjenë në pikëpamjen etnike dhe fetare.

Prandaj, teza ime kryesore është se do të doja të shihja që problemi i Kosovës, problemi ndërkombëtar i Kosovës, të zgjidhet. Pse?! Sepse të dyja këto vende janë fqinjët tanë të drejtpërdrejtë. Ne kemi vendosur marrëdhënie diplomatike me Kosovën. E njëjta gjë me Serbinë.

Është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne që të kemi marrëdhënie dypalëshe shumë të mira me të dyja vendet, dhe për ata që të kenë marrëdhënie shumë të mira dypalëshe me njëri-tjetrin. Por nuk është gjë e mirë që të mbyllësh një problem, problemin e Kosovës dhe të hapësh 2 apo 3 probleme të tjera në rajon’, është shprehur Stevo Pendarovski.

Presidenti maqedonas ka thënë se pa përfshirjen serioze të SHBA-së nuk ka zgjidhje të krizave.

‘Ju e dini, sikundër dhe unë, që rreth 30 vjetët që kanë kaluar na kanë treguar se pa një përfshirje serioze të SHBA-së nuk është e mundur që BE-ja e vetme t’i zgjidhë krizat dhe problemet e kësaj natyre.

Ne patëm një krizë tonën në vitin 2001, patëm konflikt në territorin tonë dhe pas kësaj nënshkruam marrëveshjen kornizë të Ohrit dhe atëherë ndërmjetësuesi i BE-së punonte ngushtësisht me ndërmjetësin amerikan. Unë nuk mendoj që pa një përfshirje aktive nga Uashingtoni, do të shohim një zgjidhje të qëndrueshme të këtij procesi’, deklaroi presidenti maqedonas, Pendarovski.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Palmer vizitë në Shkup: SHBA-ja, partnere e fuqishme e Maqedonisë së Veriut
Po patrullonte në kufi, policia serbe plagos rëndë shqiptarin nga Medvegja »
Article Logic
Execution time: 0.011358976364136
array(1) { ["section"]=> string(112) "shkembimi-i-territoreve-kosove-serbi-presidenti-maqedonas-pendarovski-ide-e-rrezikshme-ende-nuk-ka-vdekur-183987" }