Shkrimtari Petrit Ruka kritikon ashpër organizatorët dhe pjesëmarrësit në Festivalin e 58-të të këngës në RTSH, duke thënë se ata duheshin "arrestuar" në sallë për krim ndaj gjuhës shqipe dhe fyerje të rëndë të dinjitetit te kultures kombëtare shqiptare.
Sipas Rukës, duhet hartuar me ngut një ligj i posaçëm që këngët në Festivalin e RTSH duhet të vijnë patjetër në standard dhe të kenë poshtë firmën aprovuese të dhjetë poetëve më të mirë të vendit.
“Turpi e mbuloftë emrin e atyre regjisorëve, udhëheqësve artistikë, prezantuesve, redaktorëve, kompozitorëve që kanë emrin në titrat e këtij produksioni me tekste të tilla. Një ditë bota do të qesh me të madhe me idiotësinë e tyre. Tallja e brezave që vijnë do t'i shoqërojë edhe aty ku do te jenë, në varr”, shkruan ndër të tjera shkrimtari Petrit Ruka.
Ndërkohë, të njëjtin mendim me shkrimtarin Ruka ndan dhe regjisori i njohur Albert Minga, i cili shkruan se drama fillon nga "kokat e mëdha" drejtuese të këtij projekti, që kanë bërë të mundur pjesëmarrjen e mender këngëtarëve, të mender kompozitorëve dhe të mender "poetëve"në forumin më të lartë të këngës shqiptare.
“Më fal o Petrit vëllai, por më duket se Ty të mungon sensibiliteti i duhur intelektual dhe poetik për të bërë vlerësime të sakta për këtë poezi super moderne! Në Vlorë, në këto raste, thonë pika në bythë! Drama, miku im fillon nga "kokat e mëdha" drejtuese të këtij projekti, që kanë bërë të mundur pjesmarrjen e këtyre mender këngëtarëve, të mender kompozitorëve dhe të mender "poetëve"në forumin më të lartë të këngës shqiptare! Llogaria duhet të fillojë pikërisht këtu, nga drejtori i përgjithshëm i Rtsh, që është dhe drejtori i festivalit?! Këtu fillon Drama! Edhe unë jam plotësisht dakord me Ty, që këtu fillon figura e "krimit " e pastaj me rradhë! E tmerrshme miku im: Festivali i 58 i këngës në Rtsh?!..I 58-ti!...”, shkruan regjisori Albert Minga.