Shpenzimet për shkollën, familjet në nevojë vështirësi për të përballuar kostot

Publikuar tek: ekonomi, më 16:48 05-09-2017 Shpenzimet për shkollën, familjet në nevojë vështirësi për të përballuar kostot

Familjet me ndihmë ekonomike, ato me një të punësuar dhe të punësuarit me të ardhura të ulëta janë duke u përballur me kosto të larta të përgatitjes së fëmijëve për vitin e ri arsimor.

Syzana është përfaqësuese tipike e kësaj shtresë. Ajo është e punësuara e vetme e familjes me pesë anëtarë. Me një burrë të papunë, me tre fëmijë për t’i bërë gati për shkollë, rroga prej 20 mijë lekësh që merr në fabrikën e fasonit ku punon nuk i mjafton për shpenzimet normale të muajit.

“Me duhen së paku 120 mijë lekë (te vjetra) për një fëmijë, gjithsej rreth 400 mijë lekë (te vjetra) vetëm për nisjen e shkollës” shpjegon gruaja në moshë rreth të 40-tave. Në këto shpenzime ajo ka përfshirë librat, fletorët, kancelaritë dhe mjetet e punës, rrobat e domosdoshme (atlete, pantallona, triko…) dhe çantat. Mjetet e shkollës dhe rrobat janë nga më të lirat që ka tregu, gjithashtu edhe kancelaritë dhe mjetet e tjera të punës.

Nga subvencioni i librave nuk përfiton se nuk është kontingjent i ndihmës ekonomike. “Kam të paktën tre vite që marr borxh në fillimin e shkollës, që kur dy të vegjlit nisën arsimin fillor. Këtë vit i kam marrë kunatës 300 mijë lekë dhe do t’i shlyej nga pak” shton gruaja.

Historia e Syzanës është e shumë familjeve këto ditë. Nga kërkesa e lartë për mjete dhe rroba, tregtarët, nga ana tjetër kanë reaguar me rritjen e çmimeve. Artikujt shkollorë këto ditë janë 5-100 lekë më të shtrenjta. Por më e keqja është se e njëjta cilësi mjetesh shkollore shitet me çmime të ndryshme në pika të ndryshme kancelarish.

Prindërit pa përvojë që çojnë fëmijët për herë të parë në shkolla ka gjasa të bien pre e spekulimeve për shkak se nuk janë të familjarizuar me markat dhe cilësinë e kancelarisë.

Stilolapsi jo cilësor, fletorët e holla, gomat që nuk fshijnë ka shumë gjasë që ta bëjnë fëmijën më pak cilësorë se shoku e shoqja klasës që ka blerë mjetet klasit të parë që ia lehtësojë dukshëm punën dhe paraqitjen estetike.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Arsimit përfituan kompensimin e çmimit të blerjes së teksteve shkollore për vitin shkollor 2016-2017 rreth 100 mijë nxënës të kategorive të veçanta dhe shtresa në nevojë, ose për rreth 23-25% të totalit të nxënësve me rreth 340 milion lekë.

Por ndërkohë mjetet e tjera që nevojiten për nisjen e shkollës përveç teksteve kushtojnë më shumë se librat.

Mungesa e mundësive ekonomike po shihet si shkak themelor për rënien e lindshmërisë në vend. Në periudhën 1992-2016 lindjet kanë pësuar rënie drastike me 61.3%. Nga anketat që INSTAT ka bërë në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik në lidhje fertlitetin ka rezultuar se gratë shqiptare dëshirojnë të kenë më shumë fëmijë se sa kanë realitet. Por përmbushja e dëshirës për të pasur fëmijë pengohet nga kushtet ekonomike, referojnë anketat, shkruan Monitor.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.021770000457764
array(1) { ["section"]=> string(84) "shpenzimet-per-shkollen-familjet-ne-nevoje-veshtiresi-per-te-perballuar-kostot-91250" }