Shpërthen gazetari i njohur: I hidhni një copë bukë tek dera njeriut të shkelur e zhvatur, për të numëruar më pas 'liket' e fotove

Publikuar tek: fcb-bomb, më 10:17 24-04-2020 Shpërthen gazetari i njohur: I hidhni një copë bukë tek dera njeriut të shkelur e zhvatur, për të numëruar më pas 'liket' e fotove Foto e publikuar nga Kikia

Nga Mentor Kikia

Bamirësia që duhet tju bëjë të skuqeni nga turpi e përgjegjësia

Gjatë ketyre dy muajve, jemi prezantuar edhe me një epidemi tjetër, atë të bamirësisë. Po e quaj epidemi, për shkak të reklamimit të madh që i është bërë rasteve të ndihmës ndaj njerëzve në nevojë.

Deputetë e ministra, zyratë lokalë, politikanë të të gjitha rangjeve dhe padyshim fondacione që bamirësinë e kanë biznes dhe biznese që bamirësinë e bëjnë për parime.

Ata udhëtojnë nëpër fshatra e qytete, duke shparndarë derë më derë qese me ushqime, thasë me miell, patate, e në disa raste edhe sufllaqe.

Kudo ka logo, madje edhe emra, që ai që do ta hajë atë copë bukë, ta dijë mira nga i ka ardhur. Kudo ka video e foto. Video duke ecur, duke përqafuar njerëzit e varfër, në derë të shtëpisë, në divan, në rrugë, në karrige...

Shëmtia e promovimit të bamirësisë është temë e rrahur tashmë. Por doja të shikoja një anë tjetër të këtij realiteti.

Ata që bëjnë foto me mjerimin, janë njerëz në pushtet, ose njerëz të rënë nga pushteti, që shpresojnë që përmes këtyre veprimeve të marrin ca vota për të riardhur në pushtet.

Kur shikon tërë këtë bamirësi, kupton se sa shumë njerëz në këtë vend nuk e sigurojnë dot vetë ushqimin, por jetojnë me lëmoshën e të tjerëve. Atëherë kjo bamirësi, nuk është demonstrimi i fytyrës humane të pushtetit apo politikës, por është shëmtia më e madhe e qeverisë, shtetit, pushtetit, shoqërisë dhe të gjithëve sëbashku.

Deputetë që u çojnë trasta me ushqimeve familjeve të varfra, e pastaj zgërdhihen duke dalë foto me nënën dhe fëmijët e saj të rreckosur, njësoj si gjahtarët me prenë e vrarë tek këmbët. Ata nuk duhet të ndjehen krenarë për atë që bëjnë, por duhet të ndjehen të turpëruar për atë që është. Asnjë politikan nuk duhet të qeshë, por të ulërijë. Ai nuk duhet të bëjë foto, por të zhduket me varp pasi të lërë atë torbe me miall në derën e fukarasë.

Sepse kjo është Shqipëria e të gjitha qeverive, të gjitha partive, të gjithë atyre që kanë qeverisur e qeverisin. Të gjthë atyre që kanë bërë e bëjnë biznes, duke zhvatur përmes korrupsionit fondet publike që duhej të ishin bërë shkolla, spitale, sera, ferma, rrugë e punë për këta fukarenj.

Përmes kësaj bamirësie, ju na treguat përmasat reale të mizerjes ekonomike, ku të gjithë bashkë e keni katanditur këtë vend, e tashmë krenoheni, duke u hedhur një copë bukë tek dera njeriut të shkelur e zhvatur, për të numëruar më pas “liket” e fotove në rrjetet sociale, apo duke lexuar komentet që ju lavdërojnë për ndihmën e madhe që po u jepni të varfërve.

Por varfëria nuk luftohet kurrë me lëmoshë. Varfëria luftohet me zhvillim.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0097970962524414
array(1) { ["section"]=> string(133) "shperthen-gazetari-i-njohur-i-hidhni-nje-cope-buke-tek-dera-njeriut-te-shkelur-e-zhvatur-per-te-numeruar-me-pas-liket-e-fotove-203818" }