Gazetarja Fiori Dardha, bashkëdrejtuese e emisionit investigative Boom në Ora News, pas pjesmarrjes në festën e 26 vjetorit të themelimit të gazetës së parë opozitare në vend, Rilindja Demokratike, ka konstatuar se shumica e personazheve që ishin present në atë kokteil, drejtues të rëndësishëm të medias, jo vetëm që nuk flasin me njëri tjetrin, por janë edhe dhunuesit më të medhenj të fjalës së lirë.
Postimi i plotë i Fiori Dardhës
Në festën e organizuar për 26 vjetorin e RD ishin të pranishëm thuajse të gjithë drejtuesit e medias, analistët e studiove televizive, gazetarët që kanë mbuluar opozitën etj.
Dje ishte ditëlindja e gazetës së parë të pluralizmit, ditëlindja e mendimit ndryshe, e fjalës së lirë. Në fakt në Shqipëri, vetëm mendimi është I lirë, fjala JO. Kalohet mirë në ambiente të tilla, takon miq e kolegë, shkrep foto e konsumon biseda të këndshme, ndeshesh me persona që nuk të shohin dot me sy, ama të përshëndesin gjithë “dashamirësi”.
E teksa festonim për lirinë e fjalës, tek shihja personazhe të medias që sforcoheshin për të përshëndetur njëri tjetrin, në një moment më erdhi të them me zë të lartë se janë pikërisht ata që predikojnë se kanë sjellë një frymë perëndimore në media, ata që në daljet e tyre hiqen si mendjehapur, janë pikërisht ata armiqtë më të mëdhenj të fjalës së lirë.
Personazhe të rëndësishëm të medias që I mbajnë mëri njëri tjetrit sepse kanë shprehur një opinion , se kanë guxuar t’i bëjnë një kritikë kolegut, se kanë thënë troç atë që mendojnë.
Më të kompleksuarit janë pikërisht ata që hiqen si dashnorë të fjalës së lirë. Pas 26 vitesh, ne jemi të lirë të mendojmë ç’të duam, por fjalën e kemi akoma të “burgosur”.
PS: në këtë pikë mendoj se politika është një hap përpara medias. Disa politikanë janë vërtet mendjehapur.