Gjatë 24 orëve të fundit janë dorëzuar në të gjitha qarqet 45 armë zjarri, 11.933 fishekë, 37 granata, 18 ndezësa, 2 predha kundër tank, 5 kapsolla detonatore, 2 mina, 8 kallëpe tritol si dhe 56 krehëra.
Paralelisht me dorëzimin vullnetar të armëve, nga Strukturat e Policisë së Shtetit vijojnë takimet sensibilizuese në të gjithë vendin. Takimet zhvillohen në të gjitha Njësitë Administrative, me të gjithë Kryetarët e fshatrave ku pjesë e këtyre takimeve janë bërë dhe nxënësit e shkollave të mesme, studentët si dhe stafet pedagogjike.
Gjithashtu prej disa ditësh në të gjithë vendin ka vijuar trokitja derë më derë nga Specialistët e Policisë së Zonave për të ndërgjegjësuar banorët për domosdoshmërinë e dorëzimit të armëve që mbajnë pa leje.
“Policia e Shtetit edhe një herë falenderon të gjithë ata banorë që po dorëzojnë armët vullnetarisht.
Në veçanti nxënësit dhe studentët që janë bërë pjesë e fushatave ndërgjegjësuese dhe sensibilizuese si dhe pushtetin Vendor.
Policia e Shtetit edhe një herë iu bën thirrje banorëve që cilido që mban armë pa leje, ta dorëzojë atë brenda afatit të caktuar”, thuhet ndërkaq në deklaratën e policisë.