Shqipëria, vendi ku njerëzit burgoseshin vetëm pse dëgjonin “The Beatles”

Publikuar tek: aktualitet, më 20:41 26-07-2015 Shqipëria, vendi ku njerëzit burgoseshin vetëm pse dëgjonin “The Beatles”

Ndonëse mund të jetë pak i njohur për shumë Perëndimorë, Shqipëria është një vend me histori unike dhe tragjike. Nën regjimin brutal komunist për pjesën më të madhe të shekullit të 20-të, vendi ka qenë pothuajse i shkëputur në tërësi nga bota deri kur regjimi nisi të prishej me rënien e Murit të Berlinit.

Pasi me mijëra shqiptarë pushtuan ambasadat e huaja më 1990 për të kërkuar azil gjatë ndarjes së Bashkimit Sovjetik, qeveria e shtetit ballkanik nisi të shtronte rrugën për zgjedhje.

Faza e trazicionit të Shqipërisë drejt demokracisë është një rast studimi mbi sukseset dhe dështimet e një vendi që kishte dalë nga vite të tëra të izolimit. Tani, si vend kandidat për anëtarësim në BE, kombi ende përballet me disa sfida që kanë mbetur nga trashëgimia e shtypjes dhe mjerimit.

Në librin e tij, “Shqipëria Moderne”, autori dhe këshilltari special i “Human Rights Watch”, Fred Abrahams, sjell në detaje betejën e vendit për ndryshim. Rubrika “WorldPost” e “HuffingtonPost” ka folur me Abrahams mbi hulumtimin e tij në këtë trazicion fascionues që po vazhdon edhe sot, intervistë të cilën Koha.net ua sjell të plotë.

Sa shtypëse ka qenë qeveria e Shqipërisë para se të shkëputej nga komunizmi?

Është e vështirë të imagjinosh një vend më shtypës. Mendoj se koreano-veriorët do të ndiheshin si në shtëpinë e tyre; ndoshta edhe rusët në ditët e tyre më të errëta nën Stalinin do të gjenin ngjashmëri me Shqipërinë komuniste, por ndoshta askush tjetër më.

Ka qenë krejtësisht e izoluar nga bota e jashtme. Pothuajse askush nuk ka qenë në Shqipëri si vizitor. Pothuajse askush përveç elitës më të besueshme partiake ka dalë jashtë Shqipërisë, dhe [Partia e Punës së Shqipërisë] ka sunduar me disiplinë dhe kontroll të ashpër.

Them partia, por në të vërtetë ajo që ka qenë unike për Shqipërinë është se nuk ka pasur parti, por ka qenë vetëm një person. Diktatori i Shqipërisë ka qenë një person me emrin Enver Hoxha, sundimi i të cilit mbeti i pamposhtur nga Lufta e Dytë Botërore e deri në vdekjen e tij më 1985, dhe i cili nuk e ka toleruar mendimin ndryshe.

Pamaturia apo shmangja më e vogël nga ideologjia e tij do t’ju çonte juve apo familjen tuaj në burg.

Besoj se e keni përmendur [në libër] se mund të burgoseshin për gjëra aq të vogla siç është dëgjimi i muzikës nga “The Beatles”?

Po, veprime shumë të vogla kanë bërë që të ndëshkoheni ju dhe e gjithë familja juaj me dëbim interno të përjetshëm apo burgim.

Dëgjimi i muzikës së ndaluar, siç janë “The Beatles” për shembull, apo nëse keni provuar të shikoni televizionet e shteteve fqinje, siç janë Italia, Greqia apo Jugosllavia. Si rezultat, ka qenë një gjendje frike dhe pothuajse nuk kanë ekzistuar disidentët fare.

A ka pasur përreth Hoxhës kult personaliteti të stilit të Stalinit?

Kulti i personalitetit përreth Enver Hoxhës ka qenë i fortë, i kultivuar dhe i implementuar mjeshtërisht. Ai ka qenë drita udhëzuese, “Big Brother”. E quanin “Xhaxhi Enver”.

Njerëzit e konsideronin atë si figurë patriarkale, i cili, me diturinë e tij dhe dashamirësinë e tij, do ta largonte Shqipërinë nga varfëria drejt modernitetit. Imazhi i tij ishte në secilin mur, fjalimet e tij citoheshin në çdo artikull dhe emri i tij ishte gravuar me plotëkuptimin e fjalës në male.

Pas rënies së komunizmit, si do ta përshkruanit tranzicionin e Shqipërisë nga një shoqëri krejtësisht e mbyllur në njëfarë demokracie të hapur?

Ka qenë gjendje kaotike, ad hoc e me raste edhe e dhunshme – por edhe ka shkuar drejtë një hapjeje më të gjerë. Sot Shqipëria është një vend shumë më i mirë se që ka qenë më parë. Është vend ku njerëzit pak-a-shumë mund të shprehin mendimet e tyre [dhe kanë] liri të besimit dhe liri të shprehjes.

Nuk mund të krahasosh Shqipërinë e sotme me atë të epokës së komunizmit, por pas përjetimit të pothuajse pesë dekadash të diktaturës, demokracia është e vështirë të arrihet.

Një nga gabimet e mëdha nga politika Perëndimore ka qenë se kanë besuar se demokracia do të vinte me zgjedhje dhe me reforma në tregtinë e lirë, dhe Shqipëria është një rast studimi që dëshmon të kundërtën. Demokracia vjen nga institucionet demokratike dhe kultura demokratike, dhe këto janë dy gjërat që i mungojnë Shqipërisë.

55ae9ce51800002500376705.jpeg

Çfarë roli ka luajtur politika amerikane në procesin e tranzicionit të Shqipërisë drejt demokracisë?

SHBA-të kanë luajtur një rol të madh; është fuqia e jashtme më domethënëse deri më tani që ka ndikuar në tranzicionin e Shqipërisë. Pas Luftës së Ftohtë, shqiptarët, duke refuzuar komunizmin, ndryshuan krahun dhe përqafuan SHBA-të. Gjëja më e rëndësishme e një lideri shqiptar është vizita në Shtëpinë e Bardhë. Është popullariteti më i madh që mund ta fitoni kur të ktheheni në shtëpi.

Kështu, marrëdhënia mes tyre është shumë e fortë, por roli i SHBA-ve në Shqipëri ka qenë i përzier. Një prej kritikave kyçe në librin tim është ajo se SHBA-të janë orientuar në liderë individualë në Shqipëri e jo në institucione.

Veçanërisht në vitet e para, politika amerikane kishte mbështetur liderin e ri të ashtuquajtur demokratik, personin e quajtur Sali Berisha. Ai fliste anglishten, i thoshte gjërat e duhura në anglisht, ishte i përkushtuar për të shkatërruar trashëgiminë e komunizmit, ndërsa amerikanët e përkrahën atë 110 për qind.

Por ky doli të ishte një person i keq që nuk toleronte kritikat, i burgoste gazetarët, rrihte kundërshtarët politikë dhe mbante një kontroll të rreptë. SHBA-të mbyllën sytë karshi këtyre ngjarjeve asokohe, pasi që ishte personi i tyre.

Kam intervistuar shumë zyrtarë amerikanë nga ajo kohë, dhe më thoshin: “Çfarë prisni nga një vend që po del nga diktatura?”

Mendoj se ka ky ka qenë një gabim i madh, sepse imazhi i SHBA-ve në Shqipëri ishte shumë i fuqishëm dhe kanë mundur edhe ta përkrahin Berishën, por t’i caktojnë disa kufij të pushtetit të tij. SHBA-të nuk e bënë këtë, dhe Shqipëria vuan edhe sot nga ai gabim.

55ae9d6a1500007600173c52.jpeg

Cilat janë ato probleme me të cilat përballet Shqipëria sot?

Me gjasë, problemi më i madh i vetëm është mungesa e institucioneve – shtyllat e një shoqërie që ofron shërbime dhe i kontrollon e i balancon njëra-tjetrën.

Është gjyqësia, media, policia dhe policia sekrete që duhet të operojnë bazuar në ligjin e jo t’i shërbejnë pushtetit.

Edhe sot Shqipëria vazhdon të jetë jashtëzakonisht e korruptuar, si në nivele të vogla ashtu edhe në ato të mëdhatë. Lidhjet në mes të biznesit dhe politikës janë ende të larta, dhe kjo është një sfidë e madhe për vendin që të shkojë tutje e të anëtarësohet në BE.

A ka diçka që do të donit që njerëzit të dinë për Shqipërinë, në përgjithësi?

Kryesorja do të ishte ajo se sa e vështirë ka qenë historia e këtij vendi. Periudha komuniste është shenja më e fundit e zezë, por para asaj, vendi është përballur me vuajtje të tmerrshme të trashëgimisë së okupimit. Këta janë njerëz që kanë pasur të kaluar të vështirë, dhe sot po mundohen të zhvishen nga ajo e kaluar e trazuar.

Kanë qenë në frigorifer të historisë për pesë dekada dhe ende janë duke u tharë.

/ The Huffington Post / Koha /

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Për herë të parë një anije turistike viziton ishullin e Sazanit (Foto)
Përplaset me makinë deputeti Pjerin Ndreu në Tepelenë »
Article Logic
Execution time: 0.015182018280029
array(1) { ["section"]=> string(76) "shqiperia-vendi-ku-njerezit-burgoseshin-vetem-pse-degjonin-the-beatles-17046" }