Shteti ynë s’ka kohë

Publikuar tek: analiza-komente, më 14:37 03-07-2015 Shteti ynë s’ka kohë

Nga Afrim Krasniqi

Për të kuptuar ngjarjet politike të Shqipërisë së vitit 1990 duhet ri-sjellë në vëmendje Krishtlindjet e vitit 1989, kur në Rumani, ndryshimi i shpejtë politik solli rënien e sistemit komunist dhe ekzekutimin e diktatorit Çaushesku. Në Tiranën politike të asaj periudhe, kjo ngjarje la më shumë mbresa sesa vetë Rënia e Murit të Berlinit. Elita politike e kohës filloi të mendonte për variantin më të keq, dhe për pasojë, e gjithë vendimmarrja e vitit ‘90 ishte rrjedhojë e këtij presioni, kësaj ngjarjeje dhe synimit kryesor: ndryshime kozmetike politike, - pa cenuar, por duke mbrojtur me çdo kusht sistemin dhe kontrollin e pushtetit.

Shqipëria e vitit 1990 ishte rast unik në disa aspekte, sepse:

- ajo nuk kishte disidencë politike,

- nuk kishte grupe elitare intelektualësh që mbronin platforma të ndryshme nga ajo zyrtare,

- nuk kishte burime informacioni alternativ,

- nuk kishte kontakt intensiv me Perëndimin dhe as Lindjen,

- nuk kishte institucione fetare aktive,

- nuk kishte prezencë e ndikim brenda të diasporës,

- nuk kishte shtresa të mesme me fuqi sindikaliste

- nuk kishte as një traditë të hershme reagimi civil ndaj keqqeverisjes.

Regjimi ishte gjithçka ne kishim. Sistemi i frikës, presionit dhe shantazhit dukej i dobësuar, por në thelb, mbetej i njëjtë në agresivitet e mentalitet nga koha e Hoxhës. Sot, për brezat e rinj dhe për të huajt që kanë dëgjuar për atë periudhë, është gati e pamundur që ndjesitë e jetës në diktaturë të merren nga librat apo arkivi. Çdo sekondë ishte luftë për mbijetesë, një sistem ku shumica ndjehej e kërcënuar dhe ku Zoti me kushtetutë u zëvendësua nga udhëheqësi partiak. Kur bashkohet modeli autoritar absolut i qeverisjes me krizën e thellë ekonomike, qytetari nuk privohet vetëm nga liria e siguria, por edhe standardet minimale të mbijetesës.

Përpara korrikut ‘90 në Shqipëri kishte një përvojë minore, por me pasojë e ecuri negative. Në dhjetor 1985 anëtarë të familjes Popaj arritën të hyjnë në Ambasadën Italiane në Tiranë dhe të kërkojnë strehim politik. Autoritetet nuk lanë rast pa deklaruar se asnjë prej tyre nuk mund të dilte i gjallë nga Shqipëria. Kriza diplomatike zgjati më shumë se katër vjet, derisa në maj 1990, në prag të vizitës së sekretarit të përgjithshëm të OKB Peres De Kuelar regjimi dha lejen që ata të largohen të paketuar drejt Italisë.

Rasti “Popaj” ishte tipik për të kuptuar sjelljen e regjimit komunist ndaj një praktike të ngjashme. Me “trajtimin” familjes Popaj, organet e shtetit të asaj kohe, përveç tjerash, synuan të dekurajojnë çdo iniciativë qytetare për të shfrytëzuar ekstra - territorialitetin e ndonjë ambasade tjetër. Ngjarjet e korrikut ‘90 morën drejtim tjetër për disa arsye, përfshirë faktin se bëhej fjalë për rreth 5 mijë familje të përfshira, të cilat, bazuar në statusin social, simbolizonin shoqërinë shqiptare të kohës, - të rinj, punëtorë, studentë, gra e burra, fëmijë e të moshuar, të varfër, intelektualë, nga familje ish të përndjekura politike, por edhe nga familje komuniste. Pra, shpallja e luftës ndaj tyre si në rastin Popaj, do ta vinte regjimin në një situatë të paimagjinueshme konflikti dhe reaksioni publik.

Leximi real i gjendjes së atyre ditëve meriton nënvizimin e një fakti tjetër me rëndësi. Një javë përpara ngjarjes së ambasadave njësiti ushtarak ekzekutoi dy të rinj 20-25 vjeçar në Shkodër, në përpjekjen e tyre për t’u larguar përmes kufirit tokësor. Edhe 5 ditë pas ngjarjes së ambasadave, me 17 korrik, dy të rinj 23-25 vjeç u ekzekutuan nga Sigurimi dhe njësiti ushtarak në postat kufitare në Gjirokastër e Korçë. Në total janë 97 të rinj të ekzekutuar brenda 10 muajve 1989-1990. Kjo ndodhi megjithëse në maj 1990 regjimi kishte dekretuar heqjen e klasifikimit të arratisjes si krim kundër shtetit, pra kur vrasja ishte në kundërshtim me ligjet e vetë regjimit. Me siguri nëse në ambasadat perëndimore do kishte numër minimal personash, praktika e dhunës do ishte e njëjtë, dhe, qytetarët do ndëshkoheshin me të njëjtat masa penalizuese si ata që fatkeqësisht u dorëzuan tek Sigurimi nga ndonjë përfaqësi tjetër e huaj. E kundërta, rritja e numrit dhe përmasave neutralizoi makinën e dhunës dhe iu hapi rrugën mjeteve politike të zgjidhjes.

Për të kuptuar diferencën e madhe midis masave në dukje liberale nën presionin e huaj dhe vendas dhe vijën zyrtare politike reale le të sjellim deklaratën e kreut të shtetit komunist Ramiz Alia, bërë me 23 korrik, 11 ditë pas largimit të shqiptarëve nga Ambasadat. Në dokumentin zyrtar që ndodhet në Arkivin e Shtetit, Alia shprehet:“Në qoftë se polici, për shembull, për një shkak të parëndësishëm, përdor dhunën ndaj qytetarëve, duke dalë jashtë kompetencave të tij, duhet thënë që ky veprim është i gabuar dhe ta dënojmë. Por nuk mund të themi të njëjtën gjë për kufitarin që, në krye të detyrës, qëllon me armë dikë që tenton të kalojë kufirin”. Për këtë të fundit që vret, që qëllon mbi qytetarin ka vetëm vlerësim, ka shpërblim, ka ngritje në detyrë, siç edhe ndodhi. Në atë periudhë regjimi mori në konsideratë edhe propozimin me shkrim të ministrit përkatës, për të mos lejuar që trupat e vrarë tu dërgohen familjeve, pasi në varrime shfaqeshin pakënaqësi ndaj regjimit. Deklarime të tilla kur regjimi dekretoi në maj e qershor 1990 fundin e dënimeve politike dhe të drejtën e shtetasve për tu pajisur me pasaporta udhëtimi, janë tregues të kontrasteve të mëdha midis masave për imazh jashtë dhe natyrës brutale në elitën e sistemit.

Ky ishte konteksti kur edhe ndodhen ngjarjet e Ambasadave. Imagjinoni ato ditë, ata mijëra njerëz në këtë mjedis kaq të kufizuar. Brenda mjedisit të ambasadës shteti atë kohë bllokoi komunikimin, lëvizjen, furnizimin me ujë dhe elemente te tjerë të ndihmës humanitare, kërcënoi me ndërhyrje ushtarake përpara se nën presion dhe me negocim diplomatik të OKB të pranonte humbjen. Për shkak se numri u rrit dhe u krijua një krizë politike dhe humanitare, Shqipëria u bë lajm në median perëndimore, presioni ndërkombëtar u rrit dhe qytetarët që donin t’i bashkoheshin ikjes u bënë më të shumtë, - regjimi zgjodhi riskun më të vogël, - dëbimin e tyre kolektiv nga Shqipëria. Nuk ishte liri për ikje, ishte dëbim për të mos lejuar më kthimin e tyre.

Çmimi i dëbimit do ishte i ashpër për familjet e tyre në Tiranë e rrethe, për koleget e punës apo pjesën tjetër nën sundim. Jashtë rrethimit ata u trajtuan nga media zyrtare, nga propaganda dhe regjimi si pjesa më negative e shoqërisë. Një valë “gjyqesh” fronti dhe publike u bënë kundër familjeve të prekura nga emigrimi, masat diferencuese u vunë në përdorim, por ecuria e ngjarjeve ishte aq e shpejtë sa ndryshimi bëhej i pashmangshëm. Fushata denigruese kulmoi me mitingun famëkeq të datës 14 korrik në Tiranë, - një miting me pamje mortore, por mortor edhe në përbetimet zyrtare për të refuzuar gjithçka perëndimore, çdo ndryshim dhe për rrjedhojë, edhe pjesën më aktive të rininë së vet. As dje dhe as sot shteti shqiptar nuk ka kërkuar falje publike për fushatën denigruese ndaj rreth 5 mijë qytetarëve kurajozë të ngjarjeve në Ambasada.

Ramiz Alia akuzoi shtetet perëndimore , “armikun”, që do të shkatërrojë Shqipërinë, dhe e konsideroi ngjarjen e ambasadave si vepër të agjenturave të huaja për të rrëzuar regjimin politik në Shqipëri. Ajo u lidh me skenarë gjeopolitikë apo ngjarje paralele në Kosovë, për ta etiketuar si anti-historike dhe anti-kombëtare. Ky ishte qëndrimi zyrtar, e konfirmuar prej tij edhe në takimin me intelektualët në gusht 1990. Alibia e agjenturave vijon të përdoret edhe sot nga ish nomenklatura, për të denigruar qytetarët që guxuan, por edhe për të justifikuar dështimet e sistemit dhe modelit politik që mbajti vendin në izolim e varfëri ekstreme nga bota e qytetëruar!

Sot, falë dëshmive të dhjetëra qytetarëve pjesëmarrës apo të diplomatëve aktivë si z. Daum, por sidomos edhe hapjes së arkivave shqiptare mbi këtë periudhë, - kemi informacion të mjaftueshëm për të kuptuar se kjo ngjarje e parë në kohën kur ndodhi dhe përmasat e saj, përbën goditjen më të madhe ndaj regjimit komunist në tri aspekte:

• së pari rrëzoi mitin e paprekshmërisë së sistemit sepse nxori në pah krizën e thellë të tij dhe pamundësinë e mbajtjes nën kontroll të shoqërisë,

• së dyti, i tregoi botës se çfarë mizorie sundon në elitën politike të Tiranës, duke bërë të pavlefshme të gjithë retorikën për ndryshime.

• së treti nxiti revoltë e pakënaqësi horizontale në një pjesë të madhe të shoqërisë, dhe kështu përgatiti bazën e mirë për lëvizjet e tjera politike që kulmuan në Lëvizjen Studentore të Dhjetorit 1990.

Ngjarjet e Ambasadave patën ndikim të drejtpërdrejtë në ecurinë e mëpasshme politike në vend. Më shumë sesa tek elitat konformiste ndikimi u ndje tek brezat e rinj dhe shenjat e revoltës së tyre erdhën duke u rritur. Në takimin e Ramiz Alisë me intelektualët pati ca zëra kritikë për shkallën e dhunës zyrtare të përdorur kundër të rinjve në ambasada, në shtator nisën format e para të protestave studentore, në tetor Ismail Kadare, figura më e njohur kulturore njoftoi kërkesën për strehim politik në Francë, dhe në dhjetor mori jetë Lëvizja Studentore, e cila ndryshoi një herë e mirë sistemin politik. Familjet e shumë prej atyre që hynë në ambasada u bënë mbështetësit e parë të ndryshimit, vetë një pjesë e tyre nga Gjermania apo rikthimi në vend asistuan ndryshimin dhe kështu, brenda 18 muajsh regjimi absolut policor u shndërrua në pakicë politike dhe relike negative për muzeun e historisë.

Tashmë shumë gjerë kanë ndryshuar, në kujtesën tonë sot jemi 25 vjet më të vjetër, 25 vjet më të lirë. Duket si ngjarje e largët, një skenar i denjë për kinematografi apo në një jetë tjetër. Në fakt nuk është ashtu. Ai është një moment me rëndësi në jetën tonë. Ne duhet të kthejmë sytë e mendjen nga ngjarje të tilla sepse

• është detyrim,

• është përgjegjësi,

• është respekt për ata njerëz të jashtëzakonshëm që vendosën jetën e tyre në rrezik për më shumë liri

• është respekt për shtetin gjerman dhe shtetet perëndimore që asistuan ato ditë të jashtëzakonshme,

• është respekt edhe për vuajtjet pafund që më shumë se një gjeneratë shqiptarësh bëri për të arritur lirinë dhe komoditetin e ditëve të sotme.

Ne duhet të mësojmë nga e kaluara, duhet të kujtojmë pasojat e saj, duhet të përballemi me historinë dhe bilancin tonë shtetëror e shoqëror, për të pasur qetësi me veten, dhe vizion më të qartë për sfidat e shumta të së ardhmes.

Si qytetar shqiptar ndjej keqardhje që vendi im nuk gjeti kohë përgjatë viteve dhe as këtyre ditëve të bënte diçka, qoftë edhe simbolike në nderim të 5 mijë qytetarëve dhe korrikut të Ambasadave, - siç ndjehem i nderuar dhe dyfish i falënderuar ndaj shtetit gjerman, Ambasadorit Hoffman, stafit të tij, radios Deutsche Ëelle, të cilët përgjatë gjithë javës i dhanë jetë e emocione të jashtëzakonshme këtij përvjetori dhe që mua personalisht më mundësuan të jem sonte bashkë me ju.

 Pa politikane, por me emra nga më të njohurit në shoqerine civile, boten akademike, median, si dhe me ish te perndjekur politike dhe dy ambasadoret gjermane, ai aktual Hoffman dhe ai i vitit 1990 Daum, si dhe te disa diplomateve te tjere perendimore, kaluam mbreme 2.5 ore te vecanta, - ne perkujtim te korrikut 1990, asaj qe njihet si "ngjarjet e ambasadave". Shteti yne nuk pati "kohe" dhe as vullnet te kujtonte aktin e jashtezakonshem te 5 mije shtetasve te tij, ndaj dyfish respekt e vleresim per nismen dhe aktivitetin intensiv keto dite te shtetit gjerman dhe ambasades gjermane.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.024314880371094
array(1) { ["section"]=> string(26) "shteti-yne-s-ka-kohe-15266" }