Si e nxorri INSTAT, Shqipërinë më të pasur se Rumania dhe Serbia

Publikuar tek: ekonomi, më 16:20 23-12-2019 Si e nxorri INSTAT, Shqipërinë më të pasur se Rumania dhe Serbia

Nga Klodian Tomorri

Pasi ndenji 7 vjet pa matur varfërinë si askund tjetër në Europë, më në fund Instituti I Statistikave publikoi pak ditë më parë Anketën e te Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës. Në fakt, Anketa e re e bën të pamundur krahasimin se cfarë ka ndodhur me varfërinë në 7 vitet e fundit në Shqipëri për shkak se zbaton një metodologji krejt të ndryshme duke kaluar nga koncepti i varfërisë absolute në atë relative.

Por ndonëse ndryshimi metodologjik ishte kërkesë e Bashkimit Europian, raporti i INSTAT për varfërinë është një perlë e botës së PR-it. Pika kritike është krahasimi me vendet e tjera të Bashkimit Europian. I vetmi tregues për të cilin INSTAT ka bërë krahasimin me vendet e tjera është "Varfëria Relative." Madje duke e ilustruar edhe me komente si më poshtë: "Vlera më e lartë e varfërisë relative shënohet në Serbi (24,3 %), Rumani (23,5 %) ndjekur nga Shqipëria (23,4 %)."

Për një indvid me njohuri mesatare, ky koment lë të kuptohet se familjet shqiptare janë më të pasura se ato serbe dhe rumune. Madje nëse shikon grafikun e madh të krahasimit, vihet re se Shqipëria konkurron me Spanjën, Letoninë, Bullgarinë e madje edhe me Italinë, të cilat kanë një varfëri relative që luhatet nga 20 deri në 23 për qind.

Por ky tregues i shkëputur është deformues dhe keqoriention. Varfëria relative mat pjesën e popullsisë që jeton me më pak se 60 për qind e të ardhurave mesatare kombëtare. Për vitin 2018, e ardhura mesatare e disponueshme në Shqipëri ishte rreth 200 euro në muaj, që do të thotë se Shqipëria klasifikon si relativisht të varfër çdo individ që jeton me më pak se 120 euro në muaj.

Në Rumani, kufiri i varfërisë relative është 321 euro në muaj, ndërsa në Spanjë 1 100 euro në muaj. Këto shifra të ndryshme, INSTAT i krahason si të barabarta në një grafik. Kjo është njësoj si të krahasosh kekun me byrekun, për të mos përdorur atë metaforën tjetër me dollarin, që ndoshta në këtë rast do të ishte edhe më e goditur.

Ka një tregues tjetër, i cili bën më shumë sens per te krahasuar nivelin e varfërisë midis vendeve. Ai është privimi i thellë material. Eurostat klasifikon 9 kategori shpenzimesh që përbëjnë nevojat bazë të domosdoshme për jetesën e një familje. Nga mungesa e televizorit me ngjyra, ngrohja në banesë e deri tek pamundësia për të ngrënë tre vakte mish në javë apo për të bërë një javë pushime larg shtëpisë. Nëse një familje nuk mund të plotësojë 4 prej këtyre 9 nevojave atëherë ajo klasifikohet si e privuar materialisht.

Këto janë 9 zëra të standardizuar në rang europian me direktivë të BE-së. Ndaj ky indikator është vetmi që bën sens për krahasime me vendet e tjera dhe për të treguar se si ndryshon mirëqënia midis vendeve të ndryshme. Por cilat janë rezultatet?

Në Shqipëri, 38.3 për qind e familjeve janë thellësisht të privuara materialisht, pasi nuk mund të plotësojnë dot të paktën 4 nga 9 nevojat e mësipërme. Në Serbi, shifra është 16 për qind, pra 2.5 herë më pak, në Rumani 16.8%, kurse në Itali vetëm 8 për qind. Në total mesatarja e familjeve thellësisht të privuara materialisht në Bashkimin Europian është 6.6 për qind.

Për ta thënë më qartë varfëria në Shqipëri është 7 herë më e lartë se sa mestarja e Bashkimit Europian, edhe pse po të shohësh Anketën e INSTAT, Shqipëria ngjan si nje lule në mes të Europës.

 
 
 

 

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Tërmeti i 26 nëntorit, guvernatori Sejko: Stabiliteti financiar është i qëndrueshëm
»
Article Logic
Execution time: 0.0089080333709717
array(1) { ["section"]=> string(70) "si-e-nxorri-instat-shqiperine-me-te-pasur-se-rumania-dhe-serbia-190174" }