Shefja e epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino ka dhënë alarmin duke pranuar se situata në vendin tonë është shumë serioze.
Ajo tha sot në "Open" se kurba po rritet si në Kosovë dhe Maqedoni, ndaj janë marrë këto masa të cilat Bino i quan të karakterit mesatar, por në rast përkeqësimi të situatës, edhe masat do vijnë duke u shtrënguar.
Bino gjithashtu theksoi se të gjitha masat bashkë nuk kanë asnjë funksion nëse vetë qytetarët nuk ndërgjegjësohen.
Bino: Ne jemi në një pandemi dhe matet nëpërmjet incidencës dy-javore. Nga ana tjetër kemi rritje të rasteve aktive për 100 mijë banorë. Ndaj duhen marrë masa dhe duhen shtuar madje. Natyrisht që ka përhapje virusi. Mund të ishim më keq, por duhet të jemi optimist dhe të kemi situatën në kontroll. Është e vërtetë që kurba po rritet, po i afrohemi Kosovës, Maqedonisë. Situata është shqetësuese. Kur bëjmë skenare llogarisim kapacitetet e gjithë spitaleve.
Vasili: Kemi mjaftueshëm mjekë?
Bino: Ka një plan të burimeve njerëzore. Do gjenden kapacitetet përkatëse. Mund të mos jenë mjekë specialistë, por janë mjekë që i afrohen profesionit. Nëse s’do kemi bashkëpunim me qytetarët, çfarëdolloj mase nuk do kenë rezultatin e duhur.
***