Një deklaratë ka ardhur dhe nga Ministria e Jashtme e cila shprehet se po e ndjek me shqetësim të madh situatën në Maqedoni dhe skenat e dhunës në ambjentet e Kuvendit.
“Përplasje dhe skena të tilla dhune kundër përfaqësuesve të zgjedhur nga qytetarët e Maqedonisë janë të papranueshme dhe aspak të denja për një demokraci parlamentare. Dhuna nuk ndihmon kurrsesi në zgjidhjen e situatës së krijuar.”-, thuhet në deklaratë .
Gjithashtu Ministria e Jashtme i bënë thirrje politikanëve për vetëpërmbajtje si dhe fton forcat e rendit për angazhim në ruajtje të rendit .
Deklaratë e plotë e Ministrisë së Punëve të Jashtme lidhur me situatën në Maqedoni:
Po ndjekim me shqetësim të madh përshkallëzimin e situatës në Maqedoni dhe skenat e dhunës në ambjentet e Kuvendit ku raportohen sulme ndaj disa deputetëve.
Përplasje dhe skena të tilla dhune kundër përfaqësuesve të zgjedhur nga qytetarët e Maqedonisë janë të papranueshme dhe aspak të denja për një demokraci parlamentare. Dhuna nuk ndihmon kurrsesi në zgjidhjen e situatës së krijuar.
U bëjme thirrje të gjithë aktorëve politikë të tregojnë vetëpermbajtje, të mos përdorin retorika që përshkallëzojnë situatën e tensionuar dhe të angazhohen maksimalisht, me qetësi, e gjakftohtësi në një dialog të qenësishëm.
Gjithashtu, i bëjmë thirrje forcave të rendit të angazhohen në ruajtjen e rendit publik dhe sigurisë së gjithë qytetarëve dhe përfaqësuesve të tyre.
Qytetarët e Maqedonisë presin daljen sa më parë nga kriza dhe vijimësinë e procesit të funksionalizimit të institucioneve, në të mirën e tyre të përbashkët, të bashkëjetesës e harmonisë ndëretnike si edhe të përparimit euroatlantik të vendit.
Mbështesim thirrjen e ambasadoreve të vendeve të BE-së dhe të SHBA-së, për të shmangur dhunën dhe për të nisur një dialog të qenësishëm politik në Maqedoni.