Nuk ka humbur kohë biznesi i shkatërruar në Rrugën e Kombit, aty ku nga rrëshkitja e malit u prish një pikë servisi dhe karburanti.
Mëngjesin e sotëm, aty janë parkuar makina policie, por edhe furgonë e kamionë, të cilët kanë filluar menjëherë nga puna për ringritjen e pikës së karburantit që është shkatërruar. Nuk kanë pritur vlerësimin e dëmeve, as ekspertët që të shohin nëse ia vlen ngritja e biznesit apo jo, e nëse ekspertët mund të thonë se mund të rrezikohet prapë.
Por firma private, ka thyer tashmë barrierat e Rrugës së Kombit, ato të autostradës, për të bërë shpejt e shpejt biznesin, raporton newsbomb.al. Eshtë Ela Ruçi, eksperte e medias për kompaninë Bechtel Enka që sot në mëngjes ka kaluar në këtë segment dhe ka filmuar gjithçka. E meqë Bechtel Enka, ka qenë kompania që ka ndërtuar rrugën e Kombit, duket se shqetësimi i saj është i drejtë.
“Ky dhe kush i jep leje këtij dhe atij që po thyen barrierat e autostradës ku i do qejfi duhet të shkojnë në burg. Bëjnë karburante ku ju do qejfi, gërryejnë malin pa asnjë përgjegjësi, e pastaj rrezikojnë jetën e njerëzve nga papërgjegjshmëria. Popull vagabond, shtet rrumpall”, shkruan e irrituar, gazetarja Ela Ruçi, raporton newsbomb.al.
E në fakt, duhet të ndodhë e kundërta. Në hyrje të objektit, nëse autoritetet kanë dhënë një leje, duhet të evidentohet leja. Në të kundërt, nuk duhet të fillojë asnjë punim.