Skandali/ ‘’Hidhen në rrugë’’ mjekët me përvojë, MSH: Në punë asnjë mjek mbi 65 vjeç

Publikuar tek: aktualitet, më 17:45 11-02-2015 Skandali/ ‘’Hidhen në rrugë’’ mjekët me përvojë, MSH: Në punë asnjë mjek mbi 65 vjeç

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” pushon me copa letre poshtë derës, mjekët që i kanë kushtuar jetën spitalit.

Një numër mjekësh me përvojë në mjekësi, si Hysen Heta, Edmond Kapedani, Bashkim Resuli, Pal Xhumari, Spiro Qirko etj janë pezulluar nga detyra, pasi kanë mbushur moshën e pensionit, 65 vjeç. Mjekët me 30-40 vjet përvojë në spital janë pushuar nga puna me një njoftim të thatë poshtë derës së zyrës të tipit ‘’Ju ka mbaruar afati, dorëzoni çelësat”.

Ligjërisht, QSUT-ja dhe Ministria e Shëndetësië është në rregull, pasi mjekët në moshën 65 vjeçare, duhet të dorëzojnë çelsat e zyrës, por forma që janë pezulluar dhe ‘’kërcënimi’’ për të mos iu afruar më pavijoneve është skandaloz. Lajmi zmadhohet edhe më shumë, kur për shumë mjekë të tjerë që e kanë mbushur moshën, si të pushuarit, nuk janë bërë kurrë pezullime. Në lojë këtu hyjnë “ngjyrimet politike’’.

“Një drejtues më tha që të mos i afrohem më pavijonit, sepse nuk mund të mbante më përgjegjësi, në rast se unë kapesha në pavijon, qoftë edhe duke konsultuar mjekët për pacientët.”, i thotë Newsbomb.al. një mjek i pushuar së fundmi.

Në fakt, nga Ministria e Shëndetësisë, urdhrat janë të qarta: Asnjë mjek që ka mbushur moshën e pensionit, nuk duhet të qëndrojë një minutë më shumë në QSUT.

“Më kishin paralajmëruar për pushimin 1 muaj më parë se ta lija detyrën, por unë nuk dija gjë, sepse ma kishin mbajtur të fshehtë. Unë punoja, por ndërkohë ligjërisht më kishin pushuar’’, na rrëfen një mjek tjetër, ish-shef pavioni.

Çështja tani shtrohet: A duhet të përzihen në këtë formë mjekë, të cilët kanë themeluar mjekësinë? A duhet që ata të ftohen për të dhënë sikur dhe konsulta me përvojën e tyre shumëvjeçare, apo duhet t’ua lënë vendin ‘’mjekëve të zakonshëm’’, zhargon të cilin ky ambjent e njeh.

Hysen Heta, themelues i kirurgjisë pediatrike, thotë për Newsbomb.al se është ndjerë i fyer nga vendimi i Ministrisë dhe Rektoratit, për të mos qenë pjesë e QSUT-së. Mjeku me 52 vite përvojë, që prej viteve të shkollës, tregon se nuk iu duk aspak normal ky vendim. “Jam ndjer i fyer. Nuk m’u duk aspak normale. Po të isha unë në krye të këtij vendimi, do kisha bërë një analizë të situatës, të mjekëve, të kapacitetit të tyre, analizë fizike e psikologjike, kush je, çfarë mund të bësh?’’, thotë profesor Heta, i cili shton se gjithçka është ndërmarrë nga njerëz që nuk kanë lidhje me mjekësinë.

Heta tashmë nuk po kontribuon as në sektorin privat të mjekësisë, sepse siç thotë edhe vetë ‘’kam besuar gjithnjë tek publiku, se si më është dukur të bëj vizita me para’’.

Edmond Kapedani, ish-shef i Angio-Kirurgjisë, po kështu edhe ai i ‘’pushuar’’ nga MSH-ja, nuk ka zgjedhur tërheqjen si profesor Heta, dhe siç e shpreh ‘’në pikëpamje të interesit personal jam më i realizuar sepse po punoj në poliklinika private’’. Ajo që e shqetëson është tjetër gjë, se si mjekësia po katandiset në këtë formë, ‘’duke u flakur tej vlerat’’, e në këto vlera përmend një armatë mjekësh si Cen Heta, Spiro Qirko, Bashkim Resuli etj.

“Nuk kam çfarë emri t’i vë, duket hapur që është çështje politike. Vetëm në Shqipëri ndodh që ose do t’I bësh fresk politikës, ose nuk do jesh më mjek. Këtu është përdorur një standard i dyfishtë”, shprehet për Newsbomb.al, profesor Kapedani.

Edhe një tjetër mjek, Petrit Vargu, kardiolog,  i cili është aktualisht në krye të punëve në QSUT, mendon se pezullimet selektive po e dëmtojnë mjekësinë. Për të, këto vendime ‘’deprimojnë gjithë punën e shëndetësisë’’. “Shëndetësia është kapur prej fyti. Daljen në pension e bënë me nxitim, pa u menduar, duke u pushuar disa mjekë me emër. Kjo është një ndarje selektive’’, thotë Vargu.

Të gjithë bien dakord që kjo çështje ka ngjyrime politike, por nga ana tjetër për ta, edhe ata që flasin në emër të saj, po e përdorin thjesht për interesa vetjake, sepse u interesojnë vendet bosh.

Burime brenda Ministrisë së Shëndetësinë, thonë për Newsbomb.al se vetë ministri Shëndetësisë ka dhënë urdhër që nuk do ketë asnjë shtyrje pensioni për mjekët, duke komentuar se shefat aktualë të pavionëve duhet të pezullohen nga detyra menjëherë. “Disa nga shefat aktualë i kanë pushuar mjekët e vjetër, duke mos i lejuar të hyjnë fare në pavion, kurse disa shefa nuk e kanë bërë, por normalisht duhet t’i heqin gjithë të vjetrit’’, thotë burimi.

A duhet që Ministria e Shëndetësisë të mendojë të mbajë në QSUT, mjekë me përvojë që kanë hedhur themelet e mjekësisë shqiptare, qoftë edhe në konsultat e pacientëve, apo duhet që të presin ditën kur ata mbushin 65 vjeç dhe kur janë gra 60, për ‘’t’I hedhur në rrugë’’?!

Në kësi rastesh, përfitues mbetet shërbimi mjekësor privat, i cili po i merr në ‘’gjirin e vet’’.

 

Intervistat

Hysen Heta, mjek i kirurgjisë pediatrike

Si ndodhi largimi juaj nga pavioni që i keni dedikuar jetën?

Unë kam 3 muaj që nuk kam qenë më në pavion, as në atë territor. Më kanë thënë që nuk kam të drejtë të futem më atje dhe ushtrim të profesionit. Ligjërisht dhe sipas të gjitha rregullave unë e kam mbushur moshën e pensionit dhe nuk kam asnjë ankesë në këtë drejtim. Por nuk m’u duk normale. U ndjeva I fyer. Po të isha unë në krye të këtyre vendimeve do kisha bërë më parë një analizë të situatës, se kush je, çfarë ke bërë, analizë fizike dhe psikologjike nëse mund të kontribuosh akoma dhe jo të shkoja direkt në një vendim të tillë. Më duket se në krye të këtyre vendimeve janë njerëz që nuk kanë lidhje me mjekësinë.

Me çfarë jeni duke u marrë tani, a po punoni në klinika private?

Në fakt privatin nuk e kam preferuar asnjëherë, ngaqë gjithë jetën ia kam kushtuar shërbimit public mjekësor. Se si më është dukur që të punoj, duke u marrë para klientëve për çdo vizitë të kryer. Ndaj kam vendosur të tërhiqem, për momentin jam mirë kështu.

Çfarë mendoni se është e gabuar në të gjithë këtë?

Unë jam i fyer për mënyrën se si u veprua, u duk që kishte një skemë. Një muaj para se të lija punën, mua më kishte ardhur paralajmërimi për përfundimin e punës, ndërkohë që unë nuk isha vënë në dijeni. Dhe unë vazhdoja që punoja, por askush nga drejtoria nuk më thoshte. Lajmërimi më kishte ardhur në tetor të vitit të kaluar, ndërkohë që unë vazhdoja të punoja edhe në 30 tetor. Ndërkohë që kisha edhe një kontratë me QSUT-në deri në korrik të vitit 2015. Unë kam punuar 52 vjet në atë territor, duke futur edhe vitet e shkollës. Por nga drejtuesit m’u tha që nuk mbajnë më përgjegjësi nëse mua më gjenin në pavion duke konsultuar pacientë.

Çfarë mendoni se duhet bërë ndryshe në QSUT, për çfarë ka nevojë?

QSUT-ja ka mjekë të mirë, puna e gjithë është tek vëmendja që i kushtohet nga drejtuesit. Ata nuk pyesin se çfarë do mjeku. Duhen kushte më të mira për të punuar. Të mendosh që ne kemi operuar fëmijë të porsalindur me kushte jo të mira. Unë I kam ngritur këto probleme deri në QSUT, jo në ministri, por nuk kam gjetur kurrë zgjidhje.

 

Edmond Kapedani, angio-kirurg

Si u informuat ju për pezullimin e marrëdhënieve të punës?

Unë kisha mbushur moshën dhe nuk kam asnjë pakënaqësi në lidhje me vendimin sepse është ligjor. Më thanë do dalësh, dola.  Por në parantezë, në parantezë e theksoj, e kanë plotësuar dhe shumë të tjerë dhe i kanë mbajtur. Sigurisht kjo është zgjedhje e rektorit dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Një pjesë e mjekëve bën detyrën, kurse një pjesë tjetër u buzëqesh politikanëve, një standard i dyfishtë ky, siç ndodh edhe në në politikë. Por mjekësia nuk  është politikë.  Unë personalisht nuk kam asnjë humbje ekonomike, sepse jam duke punuar në klinika private. Jam i shqetësuar më shumë për shumë mjekë të tjerë të nderuar që nuk lejohen të japin më kontributin e tyre në QSUT si Spiro Qirko, Pal Xhumari, Hysen Heta etj. Është pa logjikë që këta mjekë që kanë 45 vjet përvojë të mos vijnë fare nëpër pavione, qoftë edhe për konsulta.

Si e cilësoni këtë vendim të drejtuesve të QSUT-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë?

Nuk kam çfarë emri t’i vë tjetër, veçse politike, por mjekësia nuk duhet të ngatërrohet me politikën.Unë vetëm në kutinë e votimit jam qenie politike, ndërsa në ushtrimin e profesionit jam apolitik. Dhe kur Ministria e Shëndetësisë gabon, unë do ta kritikoj, duke ia vënë në dukje që ka gabuar me këtë vendim. Por përgjithësisht ata nuk kanë pritur kritika e analiza, janë të idesë o me ne, o kundër nesh. Nuk kam parë asnjë mjek në botë që të detyrohet t’i bëjë fresk politikës, në të kundërt pasojat janë të mëdha për ata që shpëtojnë jetë.

Petrit Vargu, kardiolog

Duke qenë se ju punoni në QSUT dhe e njihni sistemin nga brenda, si e komentoni vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë që mjekët me përvojë mos t’i afrohen më spitalit?

Sistemi këtu është kapur prej fyti nga njerëz që deri dje ishin me Partinë Demokratike dhe sot janë me Partinë Socialiste. Vetëm politikë që nuk është kjo, vetëm se po e shfrytëzojnë për interesat e tyre vetjake. Edhe daljet në pension të bashkëthemeluesve u bënë me nxitim, pa u menduar. Kjo me qëllim që të happen klauzola tek Ligji për Arsimin e Lartë, për të mbajtur në punë disa persona. Mjafton t’u sjell emrat e Hysen Hetës dhe Edmond Kapedanit, mjekë të respektuar, por jo të zakonshëm. Pra është bërë një ndarje selektrive në nxjerrjet në pension.  Kjo deprimon gjithë punën e shëndetësisë, por në veçanti edhe mjekët e rinj që në këtë sistem nuk gjejnë veten dhe i drejtohen privatit.

Çfarë duhet bërë në QSUT, sipas jush?

Të hiqet dorë nga ndarja selektive. Njëkohësisht mos të mbahen mjekë normalë e të zakonshëm, duke u hequr ata më të mirët, më të shkëlqyerit. Shumë shpejt do të bëhet testimi i mjekëve, të shohim çdo na sjellë ky testim. Heqja e mjekëve me përvojë është një gafë e ministrit Ilir Beqaj.

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Një dokument “bombë” që trondit sistemin bankar, pëmbaruesit ndihmë qytetarëve
7 donatorët e Fondacionit Klinton, me llogari ''offshore'' në Zvicër »
Article Logic
Execution time: 0.018362998962402
array(1) { ["section"]=> string(83) "skandali-hidhen-ne-rruge-mjeket-me-pervoje-qsut-ne-pune-asnje-mjek-mbi-65-vjec-3072" }