Gjykata e Tiranës lë në burg Avdjol Dobin, përfaqësuesin ligjor të DH Albania.
Gjykata ka vendosur masën ‘Arrest me burg’, për 26-vjeçarin, pas skandalit të kompanisë DH Albania, e cila fitoi tenderin 18 milion eurosh për ndërtimin e Lotit të parë të ‘Unazës së Re’.
Dobi nuk është paraqitur në asnjë seancë pavarësisht se Prokuroria i ka bërë tre herë thirrje edhe pse mësohet se në sistemin TIMS nuk rezulton që Avdjol Dobi të jetë larguar nga Shqipëria.
Emri i tij është në qendër të vëmendjes pas skandalit se kompania Dunëell Haberman LLC ka falsifikuar një sërë dokumentesh zyrtare amerikane, dokumente që më pas i janë dorëzuar autoriteteve shqiptare për të krijuar imazhin se dega e saj, DH Albania ka eksperiencë në këtë fushë prej vitit 1998. Por rezultoi që kjo kompani offshore është krijuar vetëm dy muaj para se të fitonte tenderin e Unazës së Re, në korrik të 2018-ës.
Disa media pranë të djathtës aludojnë se Dobi ka lidhje me një politikan të lartë socialist, pasi është angazhuar në fushatën elektorale të këtij të fundit. Thuhet se 26-vjeçari s’ka eksperiencë për menaxhimin financiar, ka punuar më parë si sportelist në një spital privat në Tiranë.
Nga të dhënat e QKB-së rezulton që Dobi të ketë qenë ortak edhe në një firmë të pezulluar tashmë që merrej me Shërbime marketingu, telemarketingu, organizim eventesh e të tjera.
Sakaq, në ditët në vijim pritet të procedohen edhe persona të tjerë të përfshirë në këtë skandal.