Qendrat Shëndetësore në Tiranë nuk i pajisin qytetarët me karta shëndeti, por në vend të saj u japin një fletë formati A4.
Në të shënohen të gjitha të dhënat personale, ndonëse kjo letër po zëvendëson dokumentin më të rëndësishëm që mundëson marrjen e shërbimit në sistemin shëndetësor shqiptar.
“U çudita kur më dhanë këtë letër në dorë, por më thanë se ka të njëjtën vlerë me kartën e shëndetit”, thotë një qytetare e Tiranës.
Problematika
I kontaktuar nga "Gazeta Shqiptare", Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor tha se problem do të zgjidhet për pak ditë, pa thanë saktësisht se kur pritet të gjenerohen kartat e shëndetit.
“Karta po printohet me A4 që të mos mungojë shërbimi, pasi është në përfundim procedura e tenderimit dhe për çeshtje ditësh situata do të zgjidhet”, tha zyrtarisht Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Prej datës 30 prill 2016 karta e shëndetit ka zëvendësuar librezën e shëndetit.