Specialistët e Seksionit për Krimin Ekonomik në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bazë të pamjeve filmike të transmetuara ditën e djeshme, tek emisioni investigativ “Fiks Fare” në Top Channel filluan procedimin penal në gjendje të lirë ndaj shtetases M.F, 50 vjeçe, banuese në Korçë, me detyrë Shefe e Financës në Prefekturën e Korçës.
Procedimi ndaj saj filloi pasi dyshohet se ka kërkuar shuma parash, personave të interesuar për tendera duke premtuar favorizime për fituesin.
Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike" dhe "Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike" parashikuar nga nenet 258 e 259 të Kodit Penal.
Policia e Korçës gjen rastin të falënderojë dhe vlerësojë rolin e medias në luftën kundër paligjshmërisë dhe garanton qytetarët se do të ndëshkohet çdokush që shkel ligjin.