Skandali në Bankën e Shqipërisë, si këmbeheshin kartmonedhat e dëmtuara duke u zhvatur shqiptarëve 4 milionë euro (SKEMA)

Publikuar tek: ekonomi, më 09:04 11-08-2016 Skandali në Bankën e Shqipërisë, si këmbeheshin kartmonedhat e dëmtuara duke u zhvatur shqiptarëve 4 milionë euro (SKEMA)

Një raport sekret i Kontrollit të Lartë të Shtetit zbulon skandalin e madh dhe të ri që ka përfshirë Bankën e Shqipërisë.

Me miliona euro të zhvatura nga xhepi i shqiptarëve në buxhetin e tyre, me skemën e këmbimit të kartmonedhave të vjetra. Thelbi është te 20% i përfitimit të paligjshëm.

Raporti publikohet nga ‘’Top Channel’’, sipas të cilit është hetuar praktika sesi Banka e Shqipërisë dhe bankat private kanë nxjerrë nga tregu kartëmonedhat e dëmtuara nga janari i vitit 2010 deri në korrik të 2014-s. Pikënisja e hetimit ka qenë vjedhja e bujshme në Bankën e Shqipërisë në korrik të vitit 2014. Por gjetjet e tij janë tronditëse.

Sipas raportit, e gjithë skema e këmbimit të kartëmonedhave të dëmtuara ka funksionuar në mënyrë të jashtëligjshme, duke u marrë qytetarëve dhe buxhetit pa të drejtë qindra milionë lekë.

Por si ka funksionuar skema? Deri në shtator të vitit 2013, baza ligjore për këmbimin e kartëmonedhave të dëmtuara ka qenë vendimi i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, numër 29, datë 30.3.1998. Sipas këtij vendimi, bankat private do t’i grumbullonin kartëmonedhat e dëmtuara nga qytetarët me 80 për qind të vlerës dhe do t’i dorëzonin ato në Bankën e Shqipërisë me po të njëjtën vlerë.

Por KLSH ka gjetur se ky rregull është shkelur. Edhe pse bankat private i kanë blerë kartëmonedhat e dëmtuara nga qytetarët me 80 për qind të vlerës, ashtu sikur diktonte ligji, kur i kanë dorëzuar në Bankën e Shqipërisë, kjo e fundit ua ka blerë ato me 100 për qind të vlerës. Diferenca prej 20 për qind, që sipas KLSH-së është përfituar në mënyrë të paligjshme nga një grusht bankash private, duhej të ishte fitim i Bankës së Shqipërisë për t’u transferuar në buxhetin e shtetit.

KLSH ka zbuluar se, për periudhën Janar 2010-Korrik 2014, përmes kësaj skemë janë këmbyer dhe nxjerrë nga tregu rreth 2.71 miliardë lekë kartëmonedha të dëmtuara. Sipas tij, kjo do të thotë se përfitimi i padrejtë për bankat ka qenë 542 milionë lekë, ose rreth 4 milionë euro.

Raporti, i cili konsiderohet si një nga auditet më tronditëse në vitet e fundit, i është dorëzuar Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Banka i ka kundërshtuar përfundimet e KLSH-së dhe dy institucionet janë përplasur fort për raportin.

Por veç kësaj, dokumenti pritet të shkaktojë furtunë edhe mes institucioneve më të larta të shtetit, mbi mënyrën sesi operon dhe është qeverisur sistemi financiar. Në shtator raporti do t'i dorëzohet Parlamentit të Shqipërisë, përkatësisht Komisionit parlamentar të ekonomisë, bashkë me pretendimet e Bankës së Shqipërisë në lidhje me konkluzionet e forta të auditit.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0073058605194092
array(1) { ["section"]=> string(124) "skandali-ne-banken-e-shqiperise-si-kembeheshin-kartmonedhat-e-demtuara-duke-u-zhvatur-shqiptareve-4-milione-euro-skema-49401" }