Vetëm një ditë më parë ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Haki Çako, u takuan me krerët e shoqërive private të transportit të parave dhe sendeve me vlerë në Shqipëri, të quajtura “security”.
Në takim u dikutuan problematikat si dhe rekomandime për përmirësimin e cilësisë së shërbimit, nxitur edhe nga grabitjet e bujshme të miliona eurove gjatë transportimit nga bankat e nivelit të dytë në vitet e fundit.
Por ndërkohë që Ministri Tahiri tha se policia private prej rreth 9,000 personash do ketë paga dinjitoze, dhe Policia e Shtetit ra në gjurmët e një prej personave të grabitjes famëkeqe të Rinasit, një tjetër grabitje e madhe ndodhi ditën e sotme.
Si për ironi, banka, paratë e së cilës u bënë sot objektiv i grabitjes, BKT-ja, u kritikua dje nga një prej pronarëve e policisë private për pagesë skandaloze kundrejt shërbimit të ruajtjes dhe transportit së parave, raporton Newsbomb.al.
“Një konkurencë që është e pandershme bëhet në banka. Në qoftë se unë ofroj një shërbim që i plotësoj kushtet te banka, ai i bankës funksionon në një formë tjetër, “kush ofron ofertën më të lirë për ta ruajtur dhe siguruar bankën”, ky person vete futet dhe e ruan bankën me 33 mijë lekë. Pra këtu hyn pagesa, sigurimet e të gjitha. Unë se di Bankën Kombëtare Tregtare ose ka banka të tjera që paguajnë në mënyrë mjaft skandaloze”, deklaroi dje pronari i një shoqërie transporti parash.
Ndërsa një pronar tjetër shprehu shqetësimin duke thënë: "Kisha si problem, këto bankat që punojnë në Shqipëri a komandohen nga dikush? Të ruash një bankë me 200 mijë lekë. Kaq thotë e kam tenderin unë po deshe hyn po deshe s’hyn". /Newsbomb.al