Skema e TVSH, Ahmetaj: Përjashtohen 61 mijë biznese, këto janë kriteret

Publikuar tek: ekonomi, më 09:14 25-10-2017 Skema e TVSH, Ahmetaj: Përjashtohen 61 mijë biznese, këto janë kriteret

Bizneset me xhiro deri në 2 milionë lekë në vit nuk do të përfshihen në skemën e TVSH-së. Qeveria tërhiqet nga varianti i parë për të përfshirë në skemë të gjitha bizneset, tashmë jashtë saj do të mbeten 61 mijë të tilla.

Bëhet fjalë për ambulantët, berberët, taksistët, tregtarët e tezgave të fruta-perimeve dhe ata që shesin në tregjet e bashkive. Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, dje në një takim me biznesin e Dhomës Amerikane të Tregtisë, shpjegoi se skema e TVSHsë do të zbatohet për bizneset me xhiro mbi 2 milionë lekë. Ministri Ahmetaj tha se nga zbatimi i skemës, preken 9 mijë biznese, ndërsa 61 mijë biznese do të përjashtohen nga skema. “Ndërkohë, po shtrijmë nivelin e aplikimit të TVSHsë nga 5 milionë në 2 milionë. Kjo do të thotë që përjashtohen ambulantët, tregjet e bashkive, zejtarët, shkruan panorama.

Ministri i Financave tha se zbatimi i skemës së TVSH-së, nuk rrit çmimet për qytetarët dhe kostot e deklarimit për biznesin. Ministri Ahmetaj shpjegoi se deklarimi i TVSH-së do të kryhet 1 herë në 3 muaj. “Nuk do të ketë rritje të çmimeve dhe nuk do të ketë kosto shtesë për sipërmarrjen, sepse ata do të deklarojnë 1 herë në 3 muaj, siç deklarojnë sot sigurimet shoqërore individuale”, tha Ahmetaj. Ministri i Financave shpjegoi se përfshirja e biznesit të vogël në skemën e TVSh-së ka si qëllim luftën kundër informalitetit. “E gjithë paketa anti-informalitet është e bazuar në një plan të detajuar masash, e fokusuar sërish te sipërmarrja e madhe, dhe shtrirja e TVSH-së të sipërmarrjet mbi 2 milionë lekë, bëhet jo me qëllim për t’i kontrolluar ata, por me qëllim për të strukturuar transaksionet nga i madhi tek i vogli. Qëllimi është strukturimi i biznesit të madh.

99 për qind e të ardhurave nga TVSh-ja vijnë nga biznesi i madh. A mund të jetë normale që një administratë, me ato burime që ka, të fokusohet të 1 për qindëshi? Jo! Fokusi do të jetë te sipërmarrja e madhe, por tani do të kemi më të qartë, më të strukturuar gjithë transaksionet e TVSHsë dhe kjo është një betejë dhe kemi shtuar një instrument plus për të skanuar transaksionin e TVSH-së”, tha Ahmetaj.

SKEMA E TVSH

Zbatimi i skemës së TVSH-së nis pas 1 janarit 2018. Në skemë do të përfshihet edhe biznesi i vogël me xhiro mbi 2 milionë lekë, i cili duhet të deklarojë dhe të lëshojë fatura me TVSH. Për ta konkretizuar, skema synon që për çdo blerje që biznesi i vogël bën në një pikë shumicë, pra në biznes të madh, krahas faturës tatimore, duhet të regjistrojë edhe TVSH-në. Ndërsa për shitjet që bën biznesi i vogël, duhet të llogarisë TVSH-në te konsumatori. Qeveria ka deklaruar që taksat e tjera për biznesin e vogël do të vazhdojnë të mos ndryshojnë. Pra, biznesi i vogël, me xhiro deri në 5 milionë lekë, do të vazhdojë të mos paguajë tatimin e thjeshtuar dhe taksën e biznesit të vogël. Bizneset me xhiro nga 5 milionë deri në 8 milionë lekë, do të paguajnë 5 për qind tatim-fitim.

 

 

 

 

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.017544031143188
array(1) { ["section"]=> string(74) "skema-e-tvsh-ahmetaj-perjashtohen-61-mije-biznese-keto-jane-kriteret-97119" }