Skenarët për mandatet e deputetëve në Lezhë

Publikuar tek: analiza-komente, më 15:54 09-09-2015 Skenarët për mandatet e deputetëve në Lezhë

Nga Afrim Krasniqi*

Dorëzimi i mandatit të deputetit Ndoka (PS) të qarkut Lezhë hap debatin për pasuesin e tij në Kuvend. Sipas listës proporcionale të PS mandati i kalon numrit 4 të listës proporcionale Ndrec Dedaj, i cili në zgjedhjet e 21 qershorit u zgjodh kryetar i ri i bashkisë Mirditë. KQZ do jetë e detyruar të pyesë Dedaj nëse zgjedh të mbajë postin e kryetarit të bashkisë apo të marrë mandatin e deputetit. Nëse ai zgjedh bashkinë (sic është më logjike) atëherë mandati i kalon emrit pasues në listë, numrit 6 Eduart Ndocaj. Ky i fundit ka pasur një konflikt publik dhe mediatik me PS dhe kryeministrin gjatë fillimit të këtij viti, duke ndërprerë të gjitha raportet politike me PS.

Vetë PS do të jetë në dilemë: nëse zgjedh emrin e tij atëherë nuk ka garanci për mandatin edhe për shkak se Ndocaj muaj më parë iu bashkëngjit një partie të tjetër politike, PDK. Negociatat e ditëve të fundit duket se nuk kanë qenë bindëse për asnjërën palë dhe problemi nuk ka marrë ende zgjidhje. Për rrjedhojë PS do jetë e detyruar të vendosë: nëse mandati i kalon N.Dedaj atëherë bashkia Mirditë do të kalojë në zgjedhje të reja parlamentare brenda vjeshtës së këtij viti. Kjo do të ishte hera e parë që aplikohet zgjidhje ‘’in extrem’’, por aktualisht ka plot arsye të besojmë se është opsioni kryesor i PS. Nëse mandati i kalon Ndocaj atëherë do të kemi një situatë gjithashtu unike: një deputet që ka refuzuar partinë e tij dhe është në konflikt me të, merr mandat parlamentar. Natyrisht Ndocaj mund të ndryshojë qëndrim dhe parti nëse imponohet, gjithsesi ekzistojnë plot dilema nëse do të krijohet kjo zgjidhje.

Absurdi i Lezhës nuk merr fund këtu: emri pasues në listën proporcionale është gjithashtu i dënuar, dhe nëse ndodh që edhe mandati i deputetit Prenga dorëzohet (dorëheqje apo dënim nga gjykata) atëherë PS do të duhet të gjejë një emër tjetër për ta zëvendësuar. Për shkak se në listën e saj nuk ka më emra në dispozicion, sipas nenit 164 të Kodit Zgjedhor mandati i “mandati i kalon subjektit zgjedhor me herësin më të lartë. Kur mandati i takon një koalicioni zgjedhor, ai i shpërndahet partisë pjesëtare të koalicionit me herësin më të lartë”. Shanset më të mëdha për këtë mandat është numri dy i listës së LSI në Lezhë, Petrit Gjoni, ish- deputet i PAA në parlamentin e vitit 2005-2009. Herësi i LSI është dyfish më i lartë sesa i PSD, parti pasuese e koalicionit të majtë në zgjedhjet 2013.

Në çdo rast, qytetarët do jenë të penalizuar. Ata do përfaqësohen nga emra që nuk i kanë votuar ose do të penalizohen për të kaluar në zgjedhje të reja lokale. Pavarësisht nga vendimi politik rasti mbetet unik dhe tregues i problematikës së madhe që kanë listat proporcionale të hartuara nga zyrat e kryetarëve të partive politike në Tiranë. Në qarkun Lezhë patën problem listat e PS dhe të PD, por rasti i fundit me dy mandatet e majta, frika për kalimin e mandateve apo fenomeni i dorëheqjeve të detyrueshme për të dhënë mandatin për kandidatët e “fortë”, është standardi tipik sesi elita jonë politike e trajton demokracinë dhe institucionin e zgjedhjeve: një mjet për arritjen e qëllimit. Dhe natyrisht faji nuk ka qenë, nuk është dhe nuk duhet të mbetet në Lezhë dhe as Mirditë, por tek luksi i salloneve politike të Tiranës! Kaq.

*Titulli redaksional

 

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.02085280418396
array(1) { ["section"]=> string(49) "skenaret-per-mandatet-e-deputeteve-ne-lezhe-20369" }