'Sonte LDK çoi dorë kundër Kosovës...jo kundër qeverisë', revoltohet djali i ish-deputetit: Tradhti ndaj Rugovës dhe votuesve

Publikuar tek: rajon, më 08:57 26-03-2020 'Sonte LDK çoi dorë kundër Kosovës...jo kundër qeverisë', revoltohet djali i ish-deputetit: Tradhti ndaj Rugovës dhe votuesve Nezir Kraki

Nezir Kraki, djali i ish-deputetit të LDK, Haxhi Kraki, ka qenë i pakënaqur me rrëzimin e qeverisë së Albin Kurtit, nga aleati bashkëqeverisës Isa Mustafa.

Kraki thotë se ajo që bëri LDK tradhëtoi votuesit e saj dhe Kosovën, pasi forcoi Presidentin Thaçi në procesin e tij zhbërës të Kosovës.

Ai thotë se me këtë veprim LDK tradhëtoi edhe kujtesën e Rugovës, pasi uzurpatorët e partisë që ai krijoi, sot bëjnë marrëveshje me ata që donin ta vrisnin.

"Votues të dashur të LDK-së,

I kam dy fjalë me juve por para se të flas dua ta dini kush po ju flet sepse disa fejsbukxhinj, argatë të bandave, me cekësi të thellë intelektuale, morale e patriotike, mendojnë se unë kam pikë nga qielli dhe flas nga luksi parisien kur guxoj të shkruaj për hallin e Kosovës.

Jam rritë në LDK sepse jam djali i Haxhi Krakit, deputet i LDK-së i vitit 1992, i kohës kur parlamenti ka qenë klandestin dhe politika ka qenë vetmohim, jo përfitim.

Gati çdo mengjes gjumin na nxirrte Milicija dhe zhurma e Nives që, siç thoshte një komshi, edhe pa shofer e dinte rugen per te shpia jonë.

Kam qenë në klasen e tretë kur kam plotësu me dhjetra libreza të LDK-së për antarët e shumtë të atyre viteve sepse një frymë e re po lindte. Ishte si oksigjen për popullin e asfiksuar nga regjimi serb dhe argatët e tyre shqiptarë.

Në vitin 2002 Ibrahim Rugova vinte në tubim zgjedhor në Junik. Ishte koha kur aktivistë e deputetë të LDK-së vriteshin dhe kërcënoheshin. Disa veç ishin vrarë tashmë por ne nuk ndrronim taborr. Tubimin në Junik e kam udhëheqë unë atë ditë dhe më kujtohet me sa respekt, me sa njerëzi e me sa admirim na foli Rugova. Aura e tij impononte respekt, edhe nëse nuk ishe i LDK-së.

Deri në vitet 2004-2005 kam qenë i anagzhuar në forumin rinor në LDK dhe përfaqësoja degën e Junikut në Prishtinë.

Pastaj vdiq Fryma dhe ata që mbeten, në vend se t'ia siguronin parisë frymëmarrjen e re dhe dinamike, ata nisen asfiksimin e saj deri në ngulfatje. Epokë tjetër nisi. Ajo e pazareve dhe e karrigeve. E karrigeve si ulëse por edhe si armë. Vitin tjetër erdha n'Paris, për formim dhe pavarësi intelektuale, në mendim e në kritikë.

Kur flas për LDK-në e di për çka flas. Kur flas për Kosovën e di për çka flas. As LDK-në as Kosovën s'i kam zbuluar në vitin 2000 apo 2008 si shumë propagandues e profiterë të orëve të vona.

Prandaj sonte të dashur votues të LDK-së, jam i zhgënjyer sepse sonte, edhe hija dhe kujtesa e Rugovës në LDK u dhunuan, u tradhëtuan, vdiqen përfundimisht. Sot Rugova është rrotulluar në varr nga ultësia në të cilën, uzurpatorët aksidentalë të partisë së tij, të Lidhjes së tij, bëjnë politikë në favor të atyre që kërkonin vrasjen e tij.

LDK ju tradhëtoi juve dhe Kosovën votues të dashur, kur e votoi Thaqin për president. Sot ai president është origjina e të zezave që pritet t'i ndodhin shtetit të Kosovës.

LDK ju tradhëtoi edhe më fort sonte juve dhe Kosovën, kur e forcoi Thaqin në procesin e ti zhbërës kundër Kosovës.

LDK sonte i trafikoi votat tuaja që ishin të qarta kundër hajnisë dhe krimit dhe i çoi drejt në gryken e pangopshme të bandave. Atë gryken që ka 20 vite që e han edhe Kosovën edhe të ardhmën e saj por edhe të ardhmen e shpresën e secilit nga ju.

LDK sonte e tradhëtoi edhe lideren e saj legjitime për të cilën ju votues të nderuar votuat në besim dhe me shpresë.

Unë s'kam asgjë kundër LDK-së. Përkundrazi, mednoj se Kosova ka nevojë për një parti të tillë. Por, arsyeja e ekzistencës së një partie zhduket në momentin kur ajo e shet apo e devijon legjitimitetin popullor. Trafikimi i legjitimitetit është pabesi demokratike, është dhunim i demokracisë në themelin e saj sepse e dhunon lirinë e zgjedhjes. Prandaj duhet të ndëshkohet në mënyrë demokratike sepse asnjë mashtruesi nuk duhet t'i jepet një shans i dytë.

Pushteti i vetëm i qytetarit është vota e tij. Për këtë arsye është e shenjtë dhe e mbrojtur aq shumë. Por kur edhe ajo ju merret votuesve dhe tregtohet pabesisht, atëherë kontrata e votuesit me partinë nuk ekzidton më.

Për këto arsye, votuesi i ndershëm i LDK-së sonte është plot dyshime e plot zhgënjim sepse sonte, përveçse iu vodh e iu shit vota, partia e tij e la në korridore spitalesh, të vetëm në ftont kundër një virusi vrasës.

Prandaj, ju KURRE ME nuk duhet të lejoni që me votat tuaja të bëhet tregti në dëm të Kosovës dhe në dëmin tuaj.

Prandaj, ju nga sot nuk duhet t'i besoni atyre që çuan dorë dhe e rrëzuan një popull, rrëzuan shpresën e tij.

Këto fjalë jua them sinqerisht pa e pasë ASNJEi interes personal sepse në familjen time nuk e dimë ç'është përfitimi nga politika, veç torturat dhe kërcënimet.

Mos i votoni më!

Mos e nënçmoni votën!", shkruan Nezir Kraki.

Sondazh

Article Logic
Execution time: 0.0092589855194092
array(1) { ["section"]=> string(126) "sonte-ldk-coi-dore-kunder-kosoves-jo-kunder-qeverise-revoltohet-djali-i-ish-deputetit-tradhti-ndaj-rugoves-dhe-votuesve-200106" }