Sot gjyqi në Apelin e Vlorës, Komuna Ksamil: Të përjashtohet gjyqtari që na rrëmbeu pronat

Publikuar tek: aktualitet, më 07:19 13-05-2015 Sot gjyqi në Apelin e Vlorës, Komuna Ksamil: Të përjashtohet gjyqtari që na rrëmbeu pronat Petrit Aliaj, gjyqtari qe nuk duan perfaqesuesit e komunes Ksamil ne gjykim, nen akuzen se gjithmone ka dhene vendim ne favor te kundershtareve

Gjykata e Apelit në Vlorë do të marrë sot në shqyrtim dosjen nr.188, e cila prej vitit 2006 ka marrë një pronë të komunës së Ksamilit për t’ia dhënë Kryegjyshatës Bektashiane, përmes dokumenteve që konsiderohen të falsifikuara. Në trupin gjykues, është edhe gjyqtarit Petrit Aliaj, i cili prej 9 vitesh ka kryesuar katër trupa gjykuese që kanë dhënë vendimet për t’ia marrë këtë sipërfaqe komunës së Ksamilit për llogari të personave që flasin në emër të Kryegjyshatës Bektashiane.

Komuna Ksamil, në dy relacione, firmosur nga kryetari Besnik Abedini dhe kryetari i Këshillit të Komunës Ksamil, Përparim Ahmeti, prej mëse një muaji, ka kërkuar përjashtimin nga gjykimi i dosjes së pronave në komunën Ksamil, të gjyqtarit Petrit Aliaj, i cili ka dhënë katër vendime, duke u dhënë fuqi ligjore dokumenteve të falsifikuara që janë përdorur në vendimin nr.188, dt.14.05.2008 të AKKP-së Vlorë

Në relacionet drejtuar Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD), ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço dhe për dijeni Gjykatës së Apelit në Vlorë në datë 15 prill 2015 dhe në relacionin (kërkesë) drejtuar Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla dhe Prokurorisë së Apelit në Vlorë më 29 prill 2015, komuna kujton se ajo është autore e kallëzimit penal kundër AKKP-së Vlorë. Mbi këtë kallëzim Prokuroria e rrethit Gjyqësor Vlorë nisi për gjykim procedimin penal nr.83 të vitit 2013 dhe, pas hetimit dhe gjykimit në shkallën e parë Vlorë, gjykata vendosi deklarimin fajtor të drejtorit Petraq Puleri dhe të dy punonjësve të tjerë të kësaj agjencie “Për veprën penale të shpërdorimit të detyrës për dhënien e vendimit nr.188 dt.14.05.2008 për kthim dhe kompensim prone në territorin e komunës Ksamil”. Ky vendim, pasi u apelua nga Prokurori i çështjes dhe të pandehurit, është në proces gjykimi në gjykatën e Apelit Vlorë. Këshilli i Komunës Ksamil si dhe banorët e Ksamilit, që nga viti 2008 kur u mor ky vendim i padrejtë me dokumente absolutisht të falsifikuara, tashmë të vërtetuara në dëm të pronës shtetërore dhe të interesave publike të banorëve të Ksamilit, i janë drejtuar me ankesa  dhe kërkesa të përsëritura të gjitha institucioneve shtetërore për pavlefshmërinë e vendimit të dhënë me dokumente false në favor të një grupi personash. Sipas Komunës Ksamil dhe këshillit të saj, meqë kjo çështje është duke u gjykuar, i kërkohet KLD-së dhe ministrit të Drejtësisë që në gjykimin që do të zhvillohet sot në Gjykatën e Apelit Vlorë, në përbërje të trupit gjykues të mos jetë gjyqtari Petrit Aliaj. Sipas komunës Ksamil, kjo kërkesë bazohet në faktin se, kur ky person ishte gjykatës i Gjykatës së Shkallës së Parë në Sarandë, ka marrë katër vendime gjyqësore që u dhanë fuqi ligjore dokumenteve të falsifikuara që janë përdorur në vendimin nr.188 dt.14.05.2008 të AKKP-së Vlorë. Komuna Ksamil kërkoi gjithashtu që gjykimi në Shkallën e Apelit Vlorë të monitorohet përveç palës së interesuar (këshillit të Komunës Ksamil, Prokurorisë Vlorë, edhe nga KLD-ja, Ministria e Drejtësisë, Avokatura e Shtetit dhe të tjera institucione që përgjigjen për pronën shtetërore.

Petrit Aliaj, gjyqtari i ndëshkuar nga KLD-ja

Gjyqtari Petrit Aliaj ka një jetëshkrim të pasur ndëshkimesh me vetë drejtësinë, ku bën pjesë. Në 18 shkurt 2000, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, morën në shqyrtim çështjen nr. 46 me ankues Petrit Aliaj banues në Sarandë, me objekt anulimin e vendimit nr. 4412 datë 26.6.1999 të KLD-së, në lidhje me

shkarkimin nga detyra e gjyqtarit, bazuar. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, me vendimin nr. 44/2 datë 26.6.1999 vendosi të shkarkojë nga detyra e gjyqtarit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Sarandë ankuesin Petrit Aliaj, që ishte pushuar nga detyra se nuk kaloi provimin e kualifikimit profesional. Sipas tij

vendimi ishte i padrejtë pasi nuk ishin respektuar kërkesat e nenit 45 të ligjit “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” në lidhje me zbatimin e kritereve për vlerësimin e punës së gjyqtarit; se prej komisionit nuk iu bë i njohur rezultati i provimit. “Edhe sikur të mos kem marrë pikën e mundshme për kalimin e provimit, unë kam rreth 4 vjet gjyqtar dhe nuk mund të konkludohet se jam i paaftë si gjyqtar. Në këtë drejtim kanë ndikuar dhe rrethanat e mia familjare”-shprehej gjyqtari i shkarkuar. Sipas Gjykatës së Lartë, në datën e marrjes së vendimit prejt KLD-së ishte në fuqi paragrafi i tretë i nenit 48 të ligjit nr. 8436 date 28.12.1998 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” sipas të cilit gjyqtarët që nuk e kalonin provimin shkarkoheshin nga detyra me vendim të KLD-së. Kjo dispozitë, me vendimin nr. 59 datë 5.11.1999 të Gjykatës Kushtetuese, u shfuqizua si antikushtetuese dhe prandaj vendimi i KLD-së nuk gjen bazë ligjore dhe duhet të anulohet.

Katër vite më pas gjyqtari Petrit Aliaj ishte sërish në duart e KLD-së. Me vendimin Nr. 167, datë 16.12.2004, KLD-ja verifikoi paraqitjen e gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, Petrit Aliaj, ndaj të cilit zhvillohet procedimi disiplinor dhe, pasi konstatoi se ai u paraqit, por kërkoi që të kishte edhe asistencën e avokatit të tij, i cili mungonte, vendosi të shtyjë shqyrtimin e procedimit disiplinor për në datën 21.12.2004, pas të cilit u shkarkua nga detyra.

Emri i ish-gjyqtarit do të dilte edhe në një çështje në qershor 2005, që gjykohej te Krimet e Rënda, ndaj një shtetasi që akuzohej për trafikim femrash, një histori që sipas familjarëve dhe vetë vajzës ishte nisur nga gjyqtari Petrit Aliaj, me akuzën e parë për vjedhje, për të cilën mori pafajësi dhe më pas me akuzën e re për trafikim fëmijësh.

Katër vendimet e Petrit Aliajt

Gjyqtari Petrit Aliaj është kryesues i treshes së gjyqtarëve që janë marrë me pronën e pretenduar nga Kryegjyshata Bektashiane. Vendimet në seancat e mbajtura në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Sarandë në vitet 2006, 2007, 2008 dhe 2009 janë firmuar prej tij, duke njohur pretendimet e të ashququajturve pronarë në Ksamil.

Me vendimin nr.687 treshja e gjyqtarëve kryesuar nga Aliaj pranoi kërkesën e padisë së Komunitetit Bektashian, Gjyshatës Bektashiane, Teqeja e Zallit Gjirokastër dhe vërtetimin e ish-pronësisë në emër të Teqesë së quajtur “Hajdër Baba” Bektashiane, mbi 6/96 pjesë kullotë të sipërfaqes kullosore prej 22.000 strem, ndodhur në vendin e quajtur Ksamil, Sarandë me kufizime: Veriu-Kullotë e Manastirit (Dema), Jugu-Gjiri i Ksamilit (Lumi Dalan i quajtur Vivar, Kanali i Butrintit), Lindja-Kreshta ujëndarëse (Liqeni i Dalanit, Liqeni i Butrintit), Perëndimi-Deti Jon.  Në vendimin e datës 04.04.2007 dhe më pas edhe në vendimet e viteve 2008 dhe 2009 treshja e gjyqtarëve, kryesuar nga Petrit Aliaj e çoi sipërfaqen në 137.5 ha, duke marrë një pronë publike, në emër të Kryegjyshatës Bektashiane.

Dokumentet/ Katër shkeljet me Ksamilin

1. Në dosjen dhe dokumentacionin e pretenduar nga subjekti pretendues dhe dorëzuar në ARKP-në e Vlorës nuk ekziston asnjë dokument që të vërtetojë se subjekti është i shpronësuar.

2. Mungon tërësisht dokumentacioni ligjor që subjekti i shpronësuar duhet të paraqiste pranë ZKKP-së së Vlorës, bashkëngjitur kërkesa për njohjen kthimin dhe kompensimin e pronës.

3. Vetë dokumentacioni kryesor për dhënien e vendimit konkretisht dokumenti vërtetim, tapi e vitit 1927 nuk është dokument ligjor sipas kërkesave të ligjit dhe VKM-së nr. 747, datë 9.11.2006. Ky dokument nuk është dokument Kadastral, nuk është vërtetim pronësie, nuk është dokument nga arkiva hipotekore apo shtetërore. Një dokument i tillë nuk përbën titull pronësie dhe nuk tregon origjinën e pronësisë e si e tillë nuk duhej të merrej parasysh nga ZRKK-ja e Pronave Vlorë, për kthimin e pronës në favor të Kryegjyshatës.

4. ZRKK Vlorë nuk ka bërë një hetim të plotë administrativ për të verifikuar vërtetësinë e dokumentacionit.

Vendimet/Çudia e drejtësisë: Dënon zyrtarët e pronave, por njeh pronat

Një shtetas nga Lazarati, Rebani Bocaj, që nuk është pronari i tokës së njohur nga vendimet e gjykatës, pasi sipas AKKP-së është Kryegjyshata, pretendon se gjyshi i tij vite më parë ia ka dhuruar Kryegjyshatës. Sipas vendimeve të Gjykatës, prona e tij individi, sipas dokumentacioneve të pretenduara, është rreth 137.5 hektarë kullotë, e cila ndahet në 80.25 hektarë e ndodhur brenda në fshatin Ksamil dhe pjesa tjetër gjatë hyrjes për në këtë zonë bregdetare. Këshilli komunal i Ksamilit gjatë vitit 2014 ka dorëzuar në Gjykatën e Vlorës një kallëzim penal për Komisionin e Kthimit dhe Kompensimit të Pronës Gjirokastër, punonjësit Petraq Puleri, Besnik Dine dhe Ejana Pandazo. Vendimi i Gjykatës Vlorë me gjyqtar Anastasi Shehu, mban datën 30 tetor 2014 dhe dënon me burgim për shpërdorim detyre të kryerjes së veprës penale në bazë të nenit 248 të Kodit Penal, Petraq Puleri me 1 vit e 6 muaj burgim, Besnik Dine me 6 muaj burgim, dhe Emiljana Pandazo me 6 muaj burgim. Edhe pse është hedhur poshtë e gjithë procedura e përfitimit të pronës dhe është zhvilluar një proces gjyqësor në kundërshtim të pronës së pretenduar nga pronari i tokës Rebani Bocaj ose pronari Kryegjyshata, po zvarritet procedura e mbylljes njëherë e përgjithmonë dhe ç’bërjes së pronësisë së pretenduar nga shkallët e tjera të gjyqësorit dhe institucionet kompetent në çështjen e pronësisë.

Faksimilet e vendimit të Gjykatës treguan se prona e kthyer ndaj Kryegjyshatës është bërë në kundërshtim me ligjin dhe procedurën e Kthimit dhe Kompensimit të pronës.

Pika e parë tregon se nuk ekziston asnjë dokument që të vërtetojë se subjekti është i shpronësuar.

Së dyti, mungon tërësisht dokumentacioni ligjor që subjekti i shpronësuar duhet të paraqiste pranë ZKKP-së Vlorë, bashkëngjitur është edhe kërkesa për njohjen, kthimin dhe kompensimin e pronës. Së treti, vetë dokumentacioni kryesor për dhënien e vendimit konkretisht dokumenti vërtetim, tapi e vitit 1927 nuk është dokument ligjor sipas kërkesave të ligjit dhe VKM-së nr. 747, datë 9.11.2006.

Ky dokument nuk është dokument kadastral, nuk është vërtetim pronësie, nuk është dokument nga arkiva hipotekore apo shtetërore. Një dokument i tillë nuk përbën titull pronësie dhe nuk tregon origjinën e pronësisë e si e tillë nuk duhej të merrej parasysh nga ZRKK-ja e Pronave, Vlorë, për kthimin e pronës në favor të Kryegjyshatës. Së katërti, ZRKK-ja e Vlorës nuk ka bërë një hetim të plotë administrativ për të verifikuar vërtetësinë e dokumentacionit. Në këtë vendim del qartë se kjo pronë është kthyer në mënyrë abuzive nga individë të cilët edhe pse janë dënuar nuk kanë shkuar asnjë ditë në burg.

Prona në Ksamil me dokumente false, AKKP dhe Arkivi: Nuk ekziston askund

Institucionet shtetërore, në unison, kanë kthyer përgjigje negative për ekzistencën e një prone të tillë në komunën e Ksamilit. Nga AKKP-ja, Arkivi Qendror i Shtetit, apo ai i Gjirokastrës, të gjithë kanë dhënë përgjigje mohuese në vitet 2009 e më pas, se Kryegjyshata Bektashiane ka patur një pronë të tillë në buzë të detit. Për më tepër, për të fituar këtë pronë që sot ka vlerë marramendëse monetare, duke ia marrë komunës, janë bërë falsifikime dokumentesh.

Ish-drejtori i AKKP-së, Elvis Çefa dhe më pas edhe nënkryetar i KLD-së, deri një vit më parë, në një përgjigje për komunën Ksamil kishte rrëzuar pretendimet për të ashtuquajturën pronë të Kryegjyshatës Bektashiane në Ksamil. Në përgjigjen drejtuar kryetarit të komunës Ksamil, Besnik Abedini, në datën 30 janar 2012, Elvis Çefa, rrëzonte “provën” më të fortë të pretenduesve të pronës, Vërtetim Zotnimi (Tapi) e nëntorit 1927. Në ktë dokument janë përcaktuar edhe kufijtë e kullotës sipas të cilës rezulton se: “nga një anë Deti nga ana e dytë Lumi Dalani i quajtur Vivar, nga ana e tretë Liqeni Dalan, nga ana e katërt kullota që kërkohet lidhja e saj me Manastirin Shën Jorgji i quajtur edhe Dema. Sipërfaqja e pronës së mësipërme është përcaktuar në streme dhe përkatësisht 22 mijë. Sipas Elvis Çefës, ka dyshime për dokumentin e mësipërm të noterizuar nga noteri Barjam Aliko, me vërtetimin nr.4089, sepse nuk është pasqyruar apo vërtetuar se nga cili institucion është lëshuar ky i fundit. Sipas këtij dokumenti, është pretenduar dhe aprovuar edhe nga ZRKKP Qarku vlorë, por edhe nga AKKP-ja në qendër se prona në favor të subjektit Teqesë, e quajtur “Hajdar Baba” Bektashiane Shqiptare, është blerë nga Zylejha dhe Hanëm, bijat e të ndjerit Riza Çoçoli nga Gjirokastra mbi 26/964 pjesë të kësaj kullote, e cila ka si kufij të përgjithshëm pikërisht tërësinë e pronës që ka sipërfaqe të përgjithshme 1320 hektarë.

Falsifikimi i këtij Vërtetim Zotnimi është aq i trashë dhe flagrant sa nuk mund të kalohet pa rënë në sy. Sipas rregjistrave të gjendjes civile të kohës, Riza Çoçoli nuk ka patur dy vajza, siç shkruhet në dokumentin e falsifikuar, por një djalë, Selfon dhe vajzën, Hanëme.

Vërtetim Zotnimi hidhet poshtë nga Arkivi i Shtetit. Në shkresën me numër protokolli 506/1, dt.03.03.2010, me lëndë: Të dhëna mbi probleme pronësie, drejtuar avokatit të banorëve të Ksamilit, z.Fredi Baze Xhoshi, nënshkruar nga drejtoresha e Arkivit Qendror Shtetëror thuhet: “Në përgjigje të kërkesës tuaj për të dhëna pronësie në Ksamil, Sarandë në emër të Komunitetit Bekthashian Teqja “Hajdar Baba”, ju njoftojmë se nga kërkimet e bëra deri tani në dokumentet arkivore që disponojmë nuk u gjetën të dhënat e kërkuara”.

Po kështu, zonja Nevila Nika, si drejtore të Arkivit Qendror Shtetëror, në dokumentin me nr. Protokolli 8383/1, dt.28.12.2009 i dërgon komunës së Ksamilit 26 fletë fotokopje dokumenti për të dhëna pronësie për ish-pronarët e Komunës së Ksamilit për periudhën 1921-1946, të përzgjedhura nga avokati Fredi Xhoshi, gjatë punës në sallën e leximit. Sipas këtyre dokumenteve, Kryegjyshata nuk kishte asnjë centimetër tokë në Ksamil.

Për të sajuar një dokument pronësor, me të cilin të krijohen 137 hektarë në Ksamil, sipas ekspertëve, është marrë një format tip i një Vërtetim Zotnimi të kohës së Mbretit Zog, i është fshirë përmbajtja dhe është mbushur me lëndën e kërkuar për të paraqitur një pronë që nuk ekzistonte. Me një shikim të shpejtë të tapive të vërteta dhe kësaj të vitit 1927, duket qartë se nuk është kaligrafia e përgjegjësit të Zyrës së Kadastrës Delvinë, Kasoruho, ashtu siç tregojnë katër fletë fotokopje dokumenti për ish-pronarët e Ksamilit, vënë në dispozicion nga Arkivi Qendror e Shtetit në 16.10.2008 dhe firmosur nga drejtoresha Nevila Nika.

Në një përgjigje për konfirmim dokumenti pronësor drejtuar z.Vesel Koçiu në komunën  Ksamil në 24.09.2010 bie poshtë ekzistenca e një dokumenti të tillë: “Në përgjigje të kërkesës tuaj ne nr.631 Prot. Për konfirmim dokumenti pronësor të vitit 1927 në emër të Teqesë së Zallit Gjirokastër, ju njoftojmë se Arkivi Shtetëror Vendor Gjirokastër nuk disponon dokumente të para vitit 1945”-përgjigjet drejtori Martin Zeko.

Intervista

Pronari mori 137 ha, 807 familjet e vjetra të Ksamilit asgjë

Kryetari i Këshillit të komunës Ksamil, denoncoi dje gjendjen kaotike që është në zonë për zgjidhjen e problemit të pronave. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, kreu i Këshillit të Komunës, Përparim Ahmeti e quajti absurd faktin se një pronar merr 137 hektarë, ndërsa në gati çerek shekulli nuk janë gjetur 60-70 hektarë për të kompensuar 807 familjet e vjetra të Ksamilit.

Këshilli Komunal Ksamil ka përpiluar një padi ndaj pronarit të tokave në Ksamil, ku gjatë këtyre ditëve ka pasur incidente dhe protesta nga banorët. Çfarë po ndodh me tokat në Ksamil?

Unë si kryetar Këshilli, por edhe si banor i Ksamilit, në rradhë të parë më intereson ndarja e tokës në bazë të ligjit 7501, e cila prej 24 vjetësh nuk është bërë. Jemi e vetmja ish-ndërmarrje bujqësore dhe zonë ku nuk është bërë një shpërndarje e tillë për banorët. Unë dhe pjesa tjetër e këshillit u kemi kërkuar dhe deputetëve kohë më parë zbatimin e ligjit 7501 dhe kam deklaruar dhe përpara zgjedhjeve të 2015 që si është e mundur që një pronar me 137 hektarë i merr ato, me mënyrën që e dinë dhe organet kompetente dhe nuk gjenden 60-70 hektarë për të kompesuar banorët e Ksamilit? Të mos kompesohen 807 familje të vjetra në Ksamil, mua më duket një absurditet. Sa i përket vërtetësisë së dokumentacionit të pronarit, ka gjykata, ka prokurori dhe ka institucione që e dinë dhe janë më kompetente për këtë. Nuk mund të paragjykoj unë organet kompetente. Mua më intereson që në Ksamil nuk është bërë reforma e shpërndarjes së tokës me ligjin 7501. Kemi shkuar te të gjitha qeveritë, te të gjithë kryeministrat, por kanë ngritur të gjithë duart lart. Të gjithë na kanë premtuar dhe asnjë nuk e ka zbatuar.

Këto ditë kemi patur konfrontime dhe protesta të banorëve të Ksamilit dhe pronarit “fantazmë”. Çfarë po pretendohet nga banorët?

Unë nuk kam qenë ato ditë, se kam patur angazhime personale dhe jam informuar nga ksamiliotët se ka patur një konflikt. Di që policia ka ndërhyrë në momentin e duhur dhe janë duke u zgjidhur problemet. E mira është që të mos kemi të tilla konflikte, pasi nuk është edhe momenti për të tilla situata. Di që është interesuar për këtë çështje edhe deputeti Koço Kokëdhima dhe kjo është pozitive për ne. Çështja është në proces gjyqësor e sipër dhe shpresojmë që të zgjidhen një orë e më parë, sepse jemi gati për sezonin turistik. Pas një dimri të vështirë nga ana ekonomike, presim të punojmë dhe jo të kemi konflikte.

Dhënia në përdorim e plazheve për këtë sezon është bllokuar. Kush është përgjegjës, komuna, apo kjo është krijuar nga konflikti me pronarin?

Unë nuk e di. Di që deputeti është interesuar që të punësohen banorët e Ksamilit, të cilët mbajnë familjet e tyre me sezonin turistik. Nuk e kuptoj përse komuna po vonohet. Këshilli i Komunës ka marrë vendim që vjet për lidhjen e kontratave, madje janë paguar dhe një pjesë e qirave dhe nuk e di arsyen se përse nuk po i lidhin.

Komuna dhe specialistët e tij pretendojnë se do të ndryshojë procedura e lidhjeve të kontratave dhe do të ketë një ndryshim për këtë. Ju si mendoni?

Unë nuk e di çfarë bën kryetari, por ai është i vonuar. Përgjegjësia kryesore, për mua, është e komunës, sepse ky territor administrohet nga komuna dhe ajo duhet të veprojë e para për të shuar këtë konflikt me pronarin dhe banorët e Ksamilit. E thashë dhe më lart që zbatimi i ligjit 7501 është jetik për ne. Kam patur kënaqësinë që të bisedoj dhe me deputetin e zonës, Kokëdhima për këtë çështje, sepse ne jemi rast unik në gjithë Shqipërinë ku nuk ka ndodhur kjo reformë. Në Ksamil ka ende toka ku mund të kompesohen ish-punonjësit e ndërmarrjes bujqësore.

/SHEKULLI/

Sondazh

Më shumë në këtë kategori: « Ankorohet në Bari trageti që mori flakë, pasagjerët nisen drejt Durrësit me tragetin ''Marina'' (VIDEO)
Prangoset miku i Emiljano Shullazit, goditi me levë 18-vjeçarin »
Article Logic
Execution time: 0.013714075088501
array(1) { ["section"]=> string(94) "sot-gjyqi-ne-apelin-e-vlores-komuna-ksamil-te-perjashtohet-gjyqtari-qe-na-rrembeu-pronat-11019" }